Vëzhgimi / Brenda dyerve të Kuvendit Kombëtar, 12 orët e erës së re të demokratëv

url

Gëzim Saliu

Detajet e punimeve të ditës së parë të Kuvendit të PD-së

Drejt nisjes së re! Ky ishte slogan i demokratëve në ditën që ndoshta shënoi fillimin e erës së re të Partisë Demokratike, në pak më shumë se një vit pas humbjes së thellë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit dhe daljes në opozitë. Mes “gumëzhitjes” së 7500 delegatëve, numër ky që shënoi pjesëmarrjen më të madhe në një Kuvend Kombëtar të PD-së, nisi dje punimet forumi më i lartë i demokratëve, i cili do të përcaktojë ekipin e ri drejtues të forcës më të madhe opozitare. I përjetuar si përmbyllje e një procesi që zgjati thuajse një vit, pas fazës së anëtarësimeve të reja, zgjedhjeve të brendshme dhe analizës së humbjes, Kuvendi përbënte në vetvete kulmin e ripërtëritjes së PD-së.

Nisja

Ndonëse orari zyrtar i nisjes së punimeve ishte përcaktuar rreth orës 10:00 të paradites, një pjesë e mirë e 7500 delegatëve që përfaqësonin 101 mijë anëtarë të PD-së nga e gjithë Shqipëria ishin mbledhur dje që prej orës 09:00 para dyerve të Pallatit të Kongreseve. Ajo që binte në sy ishte organizimi efektiv i eventit të demokratëve, edhe pse prania e delegatëve ishte më shumë se trefishi i kapacitetit të sallës në të cilën do të zhvilloheshin punimet e Kuvendit. Kështu, në hollin e sallës ishin vendosur nga të dyja anët monitorë të mëdhenj që mundësonin lidhjen live me ambientin brenda, ku edhe u mbajtën fjalimet. Ndërkaq, ngjyra blu mbizotëronte në pjesën e brendshme të Pallatit të Kongreseve, ku në qendër ishte vendosur foltorja me një sfond të PD-së e ndërkohë që salla ishte e ndarë sipas qyteteve. Në rreshtin e parë ishin vendosur përfaqësuesit e qyteteve kryesore, si: Tirana, Durrësi, Vlora, Korça, Kavaja, Shkodra si edhe nuk mungonte Tropoja. Rreth orës 10:30 minuta, pasi një pjesë e mirë e delegatëve kishin zënë vendet e tyre, në sallë mes brohoritjeve u shfaq kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij. Pasi takoi delegatët, deputetët, aleatët e trupën diplomatike nga të dy krahët e pjesës qendrore të sallës së Pallatit, kryedemokrati u ul në rreshtin e dytë, ku në krah të tij ishin vendosur dy ish-krerët, Eduard Selami dhe Tritan Shehu dhe më vonë mes tyre edhe lideri historik Berisha, i cili u shfaq në sallë rreth 15 minuta më vonë mes duartrokitjeve. Kuvendi nisi nën tingujt e Himnit Kombëtar dhe më pas u shfaq në monitorin kryesor një spot përmbledhës së njëvjeçarit të PD-së në opozitë, ku u dallua fjala e kryetarit Basha, e cila specifikonte se “vota është i vetmi pushtet në PD”. Nuk mungoi një përshëndetje me anë të një video-mesazhi nga Joseph Daul, kryetar i grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian. Daul, pasi vlerësoi marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, theksoi rëndësinë që ka vazhdimësia e reformave në rrugën e integrimit evropian. Ndërkaq, e para që nisi fjalimet në podium ishte Laura Vorpsi, e cila bëri të ditur largimin nga detyra e zëdhënëses së PD-së dhe ftoi në sallë pasardhësen e saj Oriela Nebiaj. Nuk vonoi shumë dhe përmes zërit që vinte nga salla e regjisë kryesore, u thirr emri i kreut të PD-së, Lulzim Basha, për të mbajtur fjalimin kryesor të Kuvendit. Nuk mungoi tek fjala e kryedemokratit as ashpërsia e një opozitari, por as edhe ndjenja e kriticizmit dhe mundësisë së korrigjimit për atë që nuk u bë mirë në 8 vitet e pushtetit të djathtë. Në fjalimin që zgjati për më shumë se një orë, i cili ndërpritej shpeshherë në pikat kulmore nga brohoritjet e demokratëve në sallë, Basha rroku të gjitha problematikat e PD-së, procesin e hapjes së partisë, zgjedhjet e brendshme, mundësitë e reja për të ardhmen si edhe komentoi bilancin e qeverisjes së majtë në një vit.

 

Fjalimet dhe votimi

Pas fjalës së kryetarit Basha, në podium u shfaqën kandidatë të Këshillit Kombëtar si edhe anëtarë të shoqërisë civil, të cilët mbajtën nga një fjalim, i cili ishte i përcaktuar me limit deri në 5 minuta. Një tjetër moment special në këtë Kuvend ishte edhe fjalimi i ish-kreut të PD-së Sali Berisha, i cili nënvizoi në diskutimin e tij domosdoshmërinë e përballjes me mazhorancën e majtë si edhe shprehu mbështetjen ndaj demokratëve në sfidat që i presin drejt fitores. Ndërkohë, më parë, deputeti demokrat Eduard Halimi shpalli votimin e hapur të ndryshimeve në statut, të cilat u votuan unanimisht. Ndërkaq, në pjesën e bodrumit të Pallatit të Kongreseve, e cila ishte tërësisht e rikonstruktuar falë vizitës së Papa Françeskut, nisi votimi për zgjedhjen e 150 anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Përmes 300 kutive të votimit të vendosura në gjithë pjesën e poshtme të sallës dhe 10 komisioneve, delegatët e PD-së ushtruan të drejtën e tyre të votës për të zgjedhur anëtarët e Këshillit, të cilët më pas do të vendosin për strukturën e re drejtuese të forcës më të madhe opozitare. Pak pas orës 15:00, kreu i PD-së, Lulzim Basha, së bashku me ish-krerët Berisha dhe Selami drekuan së bashku, ku ndërkohë edhe salla e brendshme e kongreseve dukej pak më e zbrazur.

 

Mbyllja e ditës së parë

E gjithë pasditja e ditës së parë të Kuvendit shërbeu për votimin e delegatëve për zgjedhjen mes 285 kandidatëve për 150 vendet në Këshillin Kombëtar. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes, u shënua mbyllja e punimeve të djeshme, ku votuan më shumë se 55% e delegatëve. Ndërkaq, ditën e sotme do të vazhdojë votimi i të gjithë delegatëve, ndërsa priten fjalime nga krerët e degëve të PD-së, anëtarë të shoqërisë civile si edhe aleatët.

 

Fjalimi

Shano: PD po rishkruan projektin e saj për më shumë liri e prosperitet

Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së, Dritan Shano theksoi rëndësinë e këtij forumi, duke theksuar se ai përbën rishkrimin e projektit të demokratëve për më shumë liri e prosperitet. “Partia Demokratike, qe nga dita e pare e themelimit te saj, ka qene forca, energjia dhe mbi te gjitha frymezimi i ndryshimit ne ketë vend. Idete dhe perkushtimi i demokrateve kane ndryshuar Shqiperine. E kane ndricuar ate. Ne aksionin dhe suksesin e saj Partia Demokratike nuk ka hezituar te ndryshoje vetveten. Edhe nga gabimet e saj ajo ka mesuar te ndryshoje vetveten. Sot pakice ne parlament, por jo ne shoqerine shqiptare Partia Demokratike po jep deshmine me te fresket te ndryshimit te saj. Per te ripropozuar veten tek Shqiptaret dhe tek e ardhmja e tyre. Duke u ngritur mbi kollonatë e saj te patjetersueshme, e ndergjegjshme per rolin e vet misionar si garantuese e vleres se lirise perballe arbitraritetit, si garantuese e vlerave te individit perballe mentalitetit kolektivist, Partia Demokratike do jete perdite e me shume nje opozite e forte, e vendosur ndaj fantazmave te se shkuares. Njeheresh nje alternative me vision te qarte europian”. Më tej, Shano theksoi se përmes fyrmëzimit të kreut të PD-së me ide dhe objektiva të mëdha, forca më e madhe opozitare “po rishkruan projektin e saj, projektin e shqiptareve per me shume liri politike, me shume liri shoqerore, me shume liri ekonomike. Per me shume prosperitet. Prandaj jam sot ketu, si edhe ju,te rikonfirmoj mbeshtetjen pa asnje reserve te ketij projekti dhe te kryetarit te Partise Demokratike, Lulzim Basha, si institucioni dhe njeriu ku do kulmojne te gjitha energjite tona, ku krijohen garancite dhe realizimi i vizionit europian te ofertes politike, qeverisese, qytetare dhe njerezore te Partise Demokratike. Të qenit pjese e ketij projekti eshte per mua dhe persecilin prej nesh besim, pergjegjesi dhe angazhim. Na duhet te perveshim menget dhe te fillojme punen”.

 

 

 

 

 

Share it :