Teknologji / E ardhmja e makinave, goma “pa kabllo”

0

Në disa qytete ku makinat të “zënë frymën”, gati një e treta e benzinës së përdorur digjet nga njerëz që kërkojnë një hapësirë për të parkuar

Makinat “e lidhura me internet” do ta bëjnë dhënien e makinës më të sigurt, më të pastër dhe më efikase. Aplikimi i tyre duhet të përshpejtohet. Që kur Henry Ford e ktheu atë në një produkt në masë të tregut një shekull më parë, makina ka dhënë shumë përfitime. Ajo ka përforcuar rritjen ekonomike, ka rritur lëvizshmërinë sociale dhe i ka argëtuar shumë njerëzit. Nuk është çudi që njerëzimi e ka marrë automjetin me një entuziazëm të tillë, saqë tani ka një miliard automobila në rrugët e botës.

Por makina ka sjellë edhe shumë probleme. Ajo ndot ajrin, krijon mbingarkesë dhe vret njerëz. Një shifër e çuditshme prej 1.24 milionë personash vdesin dhe gati 50 milionë plagosen, në aksidentet rrugore çdo vit. Shoferët dhe pasagjerët humbin rreth 90 miliardë orë në trafiqe të bllokuara çdo vit. Në disa qytete ku makinat të “zënë frymën”, gati një e treta e benzinës së përdorur digjet nga njerëz që kërkojnë një hapësirë për të parkuar.

Për fat të mirë, një teknologji në zhvillim premton t’i bëjë motorët më të sigurt, më pak ndotës dhe më pak të prirë për t’u prishur. “Makinat e lidhura” – të cilat mund të evoluojnë në makina pa shofer por për të ardhmen e parashikueshme do të vazhdojnë të kenë një njeri në timon – mund të komunikojnë me valë me sistemet e njëra-tjetrës dhe menaxhimit të trafikut, për të shmangur këmbësorët dhe automjete të tjera dhe për të gjetur pika të lira parkimi.

 

Bëhu i zgjuar

Disa pjesë të transformimit tashmë janë gati. Shumë makina të reja tashmë po pajisen me pajisje që u mundëson të ruajnë distancën e tyre dhe të qëndrojnë automatikisht në një korsi të autostradës me shpejtësi të caktuar, si dhe të identifikojnë një hapësirë ​​të lirë parkimi dhe vendin e caktuar në të. Ata gjithashtu po sigurojnë lidhje me celular: së shpejti, të gjitha makinat e reja në Evropë do të duhet të jenë në gjendje të njoftojnë shërbimet emergjente nëse sensorët e tyre diktojnë një aksident.

Singapori ka udhëhequr në rrugën e përdorimit të mjeteve të ndryshme për të zbutur ngarkesën e trafikut gjatë orës së pikut; Britania ka nisur aplikimin e “autostradave të zgjuara”, kufijtë e shpejtësisë së të cilave ndryshojnë vazhdimisht, për të arritur një efekt të ngjashëm. Të kombinuara, këto inovacione do të mund të krijojnë një sistem shumë më efikas, përgjatë të cilit makinat dhe shoferët e tyre informohen vazhdimisht për rreziqet dhe problemet rreth bllokimeve, trafiku do të vijojë gjithmonë në shpejtësi optimale dhe automjetet mund të bashkohen në “toga” në autostrada, duke udhëtuar më afër së bashku, por më pak të rrezikuara për t’u përplasur.

Ashtu sikur rregulloret kanë ndihmuar në rritjen e efikasitetit të karburantit, reduktimin e tymrave të dëmshëm dhe aplikimin e pajisjeve kundër rrëshqitjes, po kështu ndërhyrja e qeverisë është e domosdoshme të sigurojë “makinën e lidhur” në rrugë. Kjo ka filluar të ndodhë. Në fillim të këtij viti, agjencitë e vendosjes së standardeve të Evropës ranë dakord për komunikimin e një grupi të përbashkët të protokolleve për makinat dhe infrastrukturën e trafikut.

Të tjerët duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Kështu pra qeveritë duhet të vendosin afate të forta që të gjitha makinat e reja të lidhen plotësisht dhe të jenë të afta për t’u “bashkuar” dhe një datë për makinat ekzistuese që të pajisen me një fener bazë lokator dhe me aftësinë për të siguruar paralajmërime të rrezikshme.

Lidhja e makinave lind nevojën për ndërtimin e një infrastrukture të re. Nëpër rrugë dhe hapësirat e parkimit do të duhen sensorë për monitorimin e tyre: autostradat do të kenë nevojë për korsi të dedikuara “bashkimit”.

Por kjo nuk do të jetë domosdoshmërisht e shtrenjtë. Azhurnimi i sinjaleve të trafikut, në mënyrë që ata të mund të kontrollohen në distancë nga një sistem qendror i menaxhimit të trafikut, është shumë më i lirë se ndërtimi i rrugëve të reja. Sa më shpejt të bëhen të tilla ndryshime, dhe makinat të bëhen pjesë e një rrjeti të zgjuar trafiku, aq më shpejt çmimet e ndryshueshme të Singaporit – për parkim si dhe përdorim rruge – mund të kthehen në normë. Shoferët do të kenë nxitjen, si dhe aftësinë, për të shmangur vendet më të ngarkuara në kohërat më të ngarkuara, si dhe pritet të bjerë kostoja e tmerrshme e jetëve njerëzore, që humbin jetën në aksidente rrugore. Në të kaluarën, rritja e personave që i jepnin makinës nënkuptonte më shumë rrugë, më shumë bllokime, më shumë vdekje dhe më shumë tym. Në të ardhmen, makina e lidhur mund t’i ofrojë njerëzimit kënaqësitë e rrugës me më pak dhimbje.

 

 

Samiti G20

Synohet rritja e ekonomisë globale

Ministrat e Financave dhe kryetarët e bankave qendrore të 20 vendeve më të fuqishme të botës janë mbledhur në Australi me qëllimin ndryshimin e rrjedhës së ekonomisë globale pavarësisht destabilitetit financiar dhe tensioneve politike që kanë kapluar disa shtete. Samitit dy ditor në Cairns ka për synim, që vendet e G20-ës të bien dakord për një sërë politikash për të arritur një objektiv ambicioz, rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto me 2% gjatë pesë viteve të ardhshme. Në fjalën hapëse të takimit, guvernatori australian Joy Hockey tha se ne do të jemi në gjendje për të hartuar plane të reja për të rritur ekonominë botërore dhe për të rifituar besimin e të gjithë votuesve të tyre. Më herët, Hockey kishte thënë në një konference shtypi, se G20 mirëpret edhe Rusinë për të marrë pjesë në Samitin e presidentëve në Australi parashikuar në nëntor, pavarësisht shqetësimeve të disa shteteve që Moska po mbështet separatist pro-rusë në Ukrainën lindore. Në këtë samit zyrtarët e G20-ës do të përqendrohen edhe në mënyrat për hapjen e tregjeve to punës dhe për të inkurajuar më shumë investime në infrastrukturë.

 

 

Ngërçi institucional

S’rrezikohet buxheti 2015?

Kosova gjatë këtij viti rrezikon të hyjë në vitin 2015 pa buxhet të miratuar, nëse vazhdon vonesa për krijimin e institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e fundit të 8 qershorit, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe ish-anëtarë të Komisionit për buxhet dhe financa në Kuvendin e Kosovës. Sipas tyre, ngërçi politik dhe mosfunksionalizimi i Kuvendit, ka sjell vonesa të mëdha në aktivitetet për përgatitjen e buxhetit dhe miratimin e tij. Por, zyrtarë të qeverisë thonë se janë duke i përfunduar të gjitha përgatitjet që në afatet e përcaktuara me ligj, nëse formohen institucionet, të dorëzojnë projekt-propozimin për buxhetin e vitit të ardhshëm. Gëzim Baxhaku, këshilltar për media i ministrit në largim të Financave, Besim Beqaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, pohoi se buxheti për vitin e ardhshëm parashihet të jetë rreth 1milirad e 700 milionë euro. “Nga ana e vet, Ministria e Financave, në bazë të obligimeve ligjore që ka, deri në fund të muajit të ardhshëm, do të jetë gati të dorëzojë projekt-buxhetin në Kuvendin e Kosovës”, tha Baxhaku. Situata aktuale politike mund të paraqesë rrezik eventual që Kosova të futet në vitin 2015 pa buxhet të miratuar, pohon edhe Hykmete Bajrami, ish-anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvend, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Megjithatë, ajo thotë se në mungesë eventuale të buxhetit të miratuar, në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave, në tre muajit e parë, shpenzimet buxhetore mund të realizohen me 1/12 e buxhetit paraprak. “Mirëpo, kjo nuk është e mjaftueshme, ne shpresojmë se deri atëherë situata do të zhbllokohet. Ne jemi optimistë se situata do të zhbllokohet shumë herët para kësaj. Por, në fakt mungesa e institucioneve, mungesa e Kuvendit e ka dëmtuar shumë mundësinë për të pasur një rishikim të buxhetit të këtij viti”, – shprehet Bajrami. Pavarësisht këtyre, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se moskonstituimi i institucioneve të Kosovës, ndikojnë edhe në rrezikun eventual të mosmiratimit të buxhetit

Share it :