Gëzim Saliu
Kreu i PD-së: Ekonomia e vendit e minuar nga mendësia e vjetër e dyshes Rama-Meta për gjithpushtet dhe nga ekstremizmi për të bllokuar, ndëshkuar dhe mbitaksuar cdo iniciativë
Kreu i opozitës Lulzim Basha në cilësinë e kryebashkiakut të Tiranës iu përgjigj dje akuzave që kanë ardhur prej disa ditësh nga selia rozë në lidhje me ndërtimin e pallateve 17 katëshe në afërsi të Parkut të Liqenit Artificial. Sipas Bashës, tashmë ka përfunduar koha e betonizimit progresiv të kryeqytetit dhe se synimi kryesor i Bashkisë është ndërtimi me vizion i kryeqendrës evropiane të shqiptarëve. “Koha e “Vajmedetit” në Tiranë ka perënduar. Bashkia e Tiranës çrrënjosi historinë e dhunës, frikës, gjobave, klientelizmit korruptiv dhe betonizimit progresiv të qytetit. Qeverisja jonë bazohet tek liria, transparenca dhe respektimi i të drejtave të të gjithë kryeqytetasve. Ne qeverisim me koncepte të qarta, me plan rregullues, me raporte europiane të zhvillimit të qendrueshëm dhe ruajtjes së mjedisit rrethues. Ne ndërtojmë me vizion kryeqendrën europiane të shqiptarëve”, theksoi ai në rrjetin social FB. Më tej, kreu i bashkisë më të madhe në vend tha se,: “ne projektojmë bulevarde të reja, infrastrukturë metropolitane dhe investime që hapin portat e zhvillimit. Me durim ne do t’i flakim tej edhe mbetjet e fundit të së vjetrës që po perëndon. Tirana që hodhi diktaturën, do të triumfojë edhe mbi bllokadën e nipave të komunizmit”. Ndërkaq sipas Partisë Socialiste, vendimi i një dite më parë i qeverisë shqiptare për të ndalur me një vit planet zhvillimore të vendorëve do ti japë fund abuzimit me ndërtimet pa leje. “Partia Socialiste përshëndet vendimin e qeverisë shqiptare për të ndalur vazhdimin e abuzimeve me lejet e ndërtimit që jepen jashtë normave ligjore e urbane”, tha ajo duke akuzar kryetarin e bashkisë së kryeqytetit se po zëvendëson parkun sportiv të parashikuar për tu ndërtuar në zonën e Liqenit Artificial me një mur betoni. Nga ana e saj Bashkia e Tiranës ka pohuar se ishte pikërisht kreu i qeverisë ai që betonizoi 65 mijë metra katrorë lulishte . “Edi Rama, njeriu që betonizoi mbi 65 mijë metra katrorë lulishte në zemër të Tiranës vetëm në 4 vitet e tij të fundit si kryebashkiak hapi edhe sot gjirizin e shpifjeve dhe sulmeve kundër Bashkisë së Tiranës. Në vend të mashtrimeve që nuk i ha me askush, kryekarikatura e keqqeverisjes duhet t’i përgjigjet qytetarëve të Tiranës se pse ka bllokuar projektin e bulevardit të ri, ku përfshihen 7 parqe me mbi 300 mijë metra katrorë gjelbërim për kryeqytetasit dhe gjithë vizitorët e tij? Pse ka bllokuar garancinë sovrane për ndërtimin e tramit, projekti i të cilit është gati? Pse bllokon projektin e stacionit multimodal të pasagjerëve i cili pakëson ndotjen e ajrit në Tiranë me 6 ton gaz karbonik më pak në ditë?”.
Ekonomia
Ndërkohë kreu i opozitës ka reaguar dje gjithashtu edhe për situatën ekonomike në vend, duke e cilësuar atë si të minuar. Sipas Bashës, minimi i ekonomisë kombëtare vjen nga mendësia e vjetër e dyshes Rama-Meta për gjithpushtet. “Ekonomia e vendit është në gjendjen më të vështirë. Minimi i ekonomise kombëtare vjen nga mendësia e vjetër e dyshes Rama-Meta për gjithpushtet si dhe nga ekstremizmi i kryeqeveritarit që i frymëzuar nga modelet e vjetra centralizuese kërkon të kontrollojë, bllokojë, ndëshkojë dhe mbitaksojë cdo iniciativë prodhuese dhe zhvilluese. Ekonomi e dobët, e ardhme e pasigurtë; ky është produkti i një viti keq-qeverisje oligarkike!”, deklaroi kreu i PD-së Lulzim Basha.
Denoncimi nga Himara
Në ditën e viktimave të komunizmit, PD: Treshja oligarkike, vepër në nderim të Hoxhës
Partia Demokratike denoncoi dje përmes koordinatorit Ervin Salianji rivendosjen e parullave të regjimit në Ditën Ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të komunizmit. Në takimin e zhivlluar me banorët e fshatit Kudhës, në Himarë, ku qeveria sipas demokratëve po shpenzon miliona para të taksave të qytetarëve, për të ndërtuar një vepër në përkujtim të Enver Hoxhës është hasur edhe kundërshtia e qytetarëve për këtë veprim. “Parrullat i ka bërë një fshatar i yni për para dhe erdhi Koço dhe vuri dike t’i zbukurojë. Duam t’i heqim por une s’kam fuqi. Për mua është shumë keq të vendosim atë parrullën e Enverit. Nuk kemi të rinj në fshat që ta prishin. Enver Hoxha i vrau dhe preu njerëzit dhe e zuri gjaku i atyre që vrau” u shpreh Dhimitri, një prej të moshuarve të fshatit Kudhës. Ndërkaq koordinatori për denoncimet në PD, tha se kjo përpjekje shkon në të kundërt të aspiratës së shoqërisë sonë. “23 vite më parë shqiptarët, studentët, të rinjtë të lirë protestonin me këto pankarta në duar “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Poshtë komunizmi” dhe “Liri Demokraci”, pa e imagjinuar që 23 vite më pas në mes të Shqipërisë, në zonën elektorale të kryeministrit shoku Edi Rama dhe kryeministrit të jugut Koço Kokëdhima, me paratë e partisë-shtet, ka rehabilituar këto parrulla të vjetra, këto parrula që do t’i kishte zili edhe regjimi me mizor që ka njohur Europa e pas Luftës së Dytë Botërore. Qytetarët dhe Partia Demokratike do të reagojnë dhe do të jenë në çdo cep të Shqipërisë për t’i bërë ballë kësaj marrëzie, këtij glorifikimi dhe purifikimi që po u bën Partia Socialiste dhe kryeministri Rama”, tha Salianji.
Ndalimi për 1 vit i ndërtimeve
Berisha: Vendim antikushtetues,ndalon zhvillimin dhe rivendos 20%-shin
Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha e ka cilësuar si një vendim antikushtetues që ndalon zhvillimin e qyteteve të vendit atë të marë dy ditë më parë nga KKT-ja lidhur me ndalimin për 1 vit të ndërtimeve planeve zhvillimore. “Rama në shkelje flagrante te Kartes Europiane të Autonomisë Lokale, Kushtetutës së vendit, vendimeve të Gjykates Kushtetuese, ligjit për Urbanistikën vendosi që, në një akt dënimi kolektiv, të bllokojë planet dhe lejet e ndërtimit, pra ndërtimin në mbarë vendin për së paku 15 muaj dhe të lejojë atë vetëm me autorizimin direkt, objekt për objekt, nga zyra e tij, pra të lejojë vetëm duke prerë gjobën 20%. Ky vendim i papërgjegjshëm vjen pas ndalimit prej rreth një viti të ndërtimit nga qeveria të veprave publike, rrugëve, urave, ujësjellësave, kanalizimeve, shkollave, spitaleve. Theksoj këtu, se vetëm ky sektor punësonte mesatarisht 48 – 57 mijë punëtorë ne vit”, u shpreh Berisha. Më tej, deputeti demokrat tha se në Shqipëri ekzistojnë dhjetëra mijëra familje që sigurojnë kafshatën e gojës me mundin dhe djersën e njerëzve të tyre të punësuar n ndërtim në kompanitë private. “ U bëj thirrje qeverive vendore të zbatojnë Kushtetutën, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ligjin për Qeverisjen Vendore, ligjin e Urbanistikës dhe të hedhin në kosh të plehrave vendimin e atyre që sillen si banditë ndaj shtetit, ligjit dhe institucioneve të tij. Qytetarë, zgjidhja është një dhe vetëm një: t’i shporrim qelbësirat”, deklaroi deputeti demokrat.






