Gjashtë persona u plagosën në një aksident rrugor të ndodhur mesditën e djeshme në autostradën Lushnje-Rrogozhinë. Burime policore bëjnë me dije se pranë fshatit Gramsh, makina me targa TR 9973 R doli nga rruga dhe ra në një kanal. Nga aksidenti u plagosën shtetasit Hysen, Ylli dhe Kevin Hasanllari, të moshave 55, 50 dhe 5 vjeç; Enea Hazaj, Shaqir dhe Florie Buzali të moshave 10, 64 dhe 60 vjeç. Makina drejtohej nga 64 vjeçari Shaqir Buzali, ndërsa nga aksidenti është lënduar rëndë Florie Buzali. Policia ka vijuar punën dhe veprimet hetimore për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ku janë aksidentuar edhe dy fëmijë të moshave 5 dhe 10 vjeç. Nga hetimet e para bëhet me dije se dy familjet kanë qenë duke u kthyer nga festa e Kulmakut në malin e Tomorrit. Sipas burimeve, mësohet se një defekt shkaktoi përmbysjen e mjetit me të cilin po udhëtonin gjashtë pjesëtarët e dy familjeve. Sipas policisë rrugore, shkak mendohet të ketë qenë bllokimi i sistemit të drejtimit të automjetit të drejtuar nga 64-vjeçari Shaqir Buzali, gjë që ka sjellë dhe humbjen e kontrollit. Të gjithë të aksidentuarit u transportuan në spitalin e Lushnjes, por sipas mjekëve të këtij spitali, në gjendje më të rëndë është Florie Buzali, 60 vjeçe, e cila u dërgua me urgjencë për në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Konflikti
U zunë 5 muaj më parë për një lojë bixhozi, qëllohet me armë 53-vjeçari
Policia në kërkim të autorit Kledjan Plaku, familjarët ngrenë dyshimin për grabitjen e Naim Gjonit. Mjekët: I plagosuri, jashtë rrezikut për jetën
Sonila Mesareja
Nuk ishte harruar jo vetëm zënka e pesë muajve më parë në një lojë bixhozi, por edhe rrahja që i kishte bërë të atit dy muaj më parë, përderisa dje Kledjan Plaku ka marrë armën dhe ka qëlluar 5 herë ndaj 53-vjeçarit Naim Gjoni. Zënkë që konfirmohet nga familjarët dhe policia se ka vijuar edhe përgjatë këtyre muajve dhe ditëve të fundit. Ndërkohë që, familja Gjoni ngre dyshimet se të afërmit të tyre i është grabitur edhe një shumë prej 130 mijë lekësh të reja që kishte me vete. Policia është vënë në ndjekje të Plakut, ndërsa i plagosuri Gjoni është transportuar me urgjencë në spital, ku falë ndërhyrjes së mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë së Elbasanit, 53-vjeçari ka qenë në makinë në momentin kur është qëlluar më armë. I plagosuri, i cili ka marrë 5 plumba, është dërguar me urgjencë në spitalin e Elbasanit, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas ngjarjes autori është larguar në drejtim të paditur, ndërsa policia është vënë menjëherë në ndjekje të tij. Sipas familjarëve dyshohet se të plagosurit i është grabitur një shumë prej 1 milion e 300 lekë të vjetra që kishte me vete. Ndërkaq, uniformat blu të mbërritura menjëherë në vendngjarje po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të kësaj ngjarjeje.
Ngjarja
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur mëngjesin e djeshëm në fshatin Balëz të Elbasanit. Naim Gjoni ka qenë në automjetin e tij kur para i ka dalë Kledjan Plaku me të cilin kishin pesë muaj që kishin një konflikt për shkak të një zënkë në lojë bixhozi. Plaku e ka qëlluar disa herë më armë zjarri 53-vjeçarin duke e lënë të plagosur. Menjëherë është transportuar për në urgjencën e Elbasanit Gjoni, ndërsa është njoftuar policia për ngjarjen. Nga dëshmitë e para të familjarëve të viktimës, por edhe informacionit qe disponon policia, mësohet se mes tyre ka pasur një konflikt të hershëm për një përplasje që kanë pasur për një lojë bixhozi. Policia është vënë në ndjekje të plakut, ndërsa Gjoni, falë ndërhyrjes së bluzave të bardha, edhe pse ka marrë pesë plumba, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Konflikti
Sipas hetimeve paraprake mësohet se një lojë bixhozi është bërë shkak për përplasjen mes Naim Gjonit dhe Kledjan Plakut. Gjithçka ndodhi pesë muaj më parë dhe qysh prej asaj kohe, dy grupet e familjeve Plaku e Gjoni ishin përballur disa herë ndërmjet tyre. Madje, mësohet se 5 muaj më parë, djemtë e familjes Plaku kishin qëlluar me armë ndaj asaj Gjoni, por fatmirësisht pa shënuar të lënduar. Madje, situata kishte kaluar edhe në polici, ku është përpiluar edhe dosja, ndërsa personat e përfshirë në konflikt në atë kohë ishin lënë të lirë, ndonëse konflikti nisi të intensifikohej edhe më tej. Madje, disa muaj më parë, bëhet me dije se i plagosuri Gjoni kishte rrahur në një konflikt të dytë babain e Kledjan Plakut, duke e çuar atë në gjendje kome. Rrjedha e kësaj ngjarjeje, përplasjet e dhunshme mes dy familjeve, gjendja e babait të Plakut dhe ngjarja e mëngjesit të djeshëm vënë para përgjegjësisë policinë e Elbasanit, e cila nuk ka marrë asnjë masë për parandalimin e tyre.
Korçë
I çahet goma, autobusi përplaset me autoveturën, plagosen 2 persona
Një autobus pa pasagjerë është aksidentuar në aksin Korçë- Pogradec. Autobusi me targa greke NIY 6157 është përplasur me një autoveturë tip Seat, me targa greke YHN 2476. Burime policore bëjnë me dije se të plagosur kanë mbetur shoferi i autobusit Imor Baçe 40 vjeç, dhe drejtuesi i makinës, Petraq Mokra, 42 vjeç, të cilët janë dërguar menjëherë drejt spitalit të Korçës. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit të djeshëm pranë fshatit Bulgarec në Korçë. Shkak i aksidentit është bërë çarja e gomës së prapme, duke bërë që autobusi fillimisht të përplaset me automjetin e më pas me një kolonë betoni. Fatmirësisht, autobusi ka qenë pa pasagjerë dhe për pasojë, ka mbetur e dëmtuar vetëm pjesa e parë e tij. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur plotësisht shkaqet e aksidentit.
Durrës
Pakujdesia e shoferit, përmbyset autoboti me gaz në Porto Romano
Një autobot me gaz është përmbysur pasditen e djeshme në Porto Romano në Durrës. Nga hetimet e para mësohet se shkak është bërë një pakujdesi e drejtuesit të automjetit, i cili ka pësuar aksident pasi është mbushur në Porto Romano. Policia, e cila ka marrë njoftim, ka shkuar menjëherë në vendngjarje, duke bllokuar rrugën, ndërkohë që edhe dy zjarrfikëset e nisura nga Durrësi kanë mbërritur me urgjencë për të mos ndodhur ndonjë zjarr i mundshëm. Megjithatë, burimet policore bënë me dije se pas aksidentit të autobotit, në rrugë nuk ka pasur rrjedhje të gazit. Ndërkohë njoftohet se nuk ka as të lënduar nga kjo ngjarje. Brenda një kohe mjaft të shkurtër, policia dhe forcat zjarrfikëse kanë marrë situatën nën kontroll. Nga ana e këtyre strukturave është punuar për një kohë të gjatë për të bërë të mundur lëvizjen e automjetit nga rruga.





