Supervjedhja në BSH/ Reparti “X” në Linzë, zbarkojnë për 6 orë hetuesit dhe policia

Sonila Mesareja

bsh 2 Sekuestrohen dokumentacion dhe filmime, verifikim punës së punonjësve të arrestuar dhe atyre nën hetim. Verifikim zbatimit të rregullores së brendshme të Degës së Thesarit

Në repartin “X” në Linzë” kanë zbarkuar dje një grup oficerësh të policisë Gjyqësore që janë duke hetuar supervjedhjen e ndodhur në këtë repart. Grupi hetimor i ngritur për këtë super vjedhje, së bashku me 10 efektivë të Drejtorisë së Policisë kanë qëndruar për më shumë se 6 orë në repartin X. Objekt i sekuestrimit për efekt hetimi nga ana e hetuesve janë bërë dokumentet e hartuara nga punonjësit e Bankës së Shqipërisë, të atyre që janë arrestuar pak ditë më parë, por edhe të tjerëve që janë nën hetim dhe për të cilët ende nuk është marrë një vendim për arrestim. Gjithashtu, nga hetuesit do të shikohet nëse rregullorja e brendshme e Degës së Thesarit është zbatuar me rigorozitet nga punonjësit. Për këtë janë sekuestruar dhe do të këqyren me kujdes të gjitha filmimet e kamerave të sigurisë të vendosura në Thesar.

 

Hetimi

Qysh herët në mëngjes, grupi i hetuesve ka shkuar në Departamentin e Emisionit të monedhës në zonën e Linzës për kontroll. Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar disa ditë më parë, duke qenë se Prokuroria nuk e konsideroi të mjaftueshëm vetën një raport auditi apo dhe procesverbalin e shumës së vjedhur në bankë, hetuesit shkuan vetë në vendin e ngjarjes për të bërë këqyrjet e veta dhe për të marrë dokumentet që do ndihmojnë në zbardhjen e vjedhjes kolosale prej 713 milion lekëve. Prania e tri oficerëve të Policisë Gjyqësore bëhet me dije se u kërkua nga Prokuroria javën e kaluar për një kontroll të zyrave dhe dokumentacionit që të arrestuarit, por edhe punonjës të tjerë kryejnë gjatë orarit të punës. Ka qenë pikërisht kjo arsyeja që shkaktoi radhë tek shërbimet e ruajtjes së sigurisë fizike, të cilat nuk u lejuan të hyjnë në degën e thesarit, pasi në ditë normale këto shërbime hyjnë në godinë për të marrë para nga qendra dhe rishpërndarë tek bankat e nivelit të dytë. Ndërkohë që në rrugë jo zyrtare deklarohet se në departamentin ku ka ndodhur skandali i vjedhjes së 713 milionë lekëve, për momentin puna është e bllokuar, jo vetëm për shkak të veprimeve hetimore që po kryhen, por edhe për shkak të pezullimit nga detyra të disa nëpunësve të tjerë dhe zëvendësimit të tyre me grupe të tjera të komanduara.

 

Pasuria

Pas nisjes së verifikimit të pasurive të personave të arrestuar nga Prokuroria, edhe LKDP njoftoi se ka nisur hetimin administrativ të të gjitha deklaratave të pasurisë që prej vitit 2003, që nga Guvernatori Ardian Fullani dhe zëvendësguvernatorë deri tek anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës dhe të të gjithë drejtuesve të tjerë të Bankës së Shqipërisë. ILDKP bëri me dije se mbledhja e të dhënave do të shtrihet edhe tek familjarët e tyre, bashkëshortët, fëmijët por edhe personat e lidhur me ta.

 

Reagimi/ BSH: Po bashkëpunojmë me Prokurorinë për çdo shkelje që mundësoi vjedhjen

Për herë të parë që pas zbulimit të skandalit të vjedhjes së 7 miliardë lekëve, ka reaguar Banka e Shqipërisë. “Drejtuesit e Bankës së Shqipërisë kanë marrë masa, që të mos cenohet normaliteti i veprimtarisë së Bankës në Departamentin e Emisionit, si dhe në Departamentin e Sigurimit dhe të Mbrojtjes”, – ka deklaruar Banka lidhur me punën në departamentin ku ndodhi vjedhja, duke shtuar se “Banka e Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me Prokurorinë e Tiranës, për evidentimin e shkeljeve të akteve ligjore, që mundësuan krijimin e rrethanave për përvetësimin e vlerave monetare nga ish-punonjës”. Më tej në reagimin e saj, Banka e Shqipërisë shprehet se është e vendosur për vënien përpara përgjegjësisë të çdo punonjësi që, me veprime dhe mosveprime, ka lejuar të ndodhë kjo ngjarje e rëndë. “Pas largimit nga detyra të drejtorit të Departamentit të Emisionit, z. Dorian Çollaku, në këtë detyrë është emëruar Stefan Sevo, i cili është drejtues me përvojë në Bankën e Shqipërisë. Të gjithë punonjësit e tjerë të këtyre njësive, të cilët kishin në ngarkim vlerat monetare, si dhe kontrollori mbikëqyrës, janë larguar nga puna, dhe pozicionet e tyre të punës sot mbahen nga punonjës të tjerë. Në departamentin e Sigurimit dhe të Mbrojtjes janë zëvendësuar dy operatorë monitorues, për të cilët është konstatuar se kanë shkelur rëndë detyrimet rregullative për ruajtjen dhe miradministrimin e vlerave monetare dhe materiale. Është emëruar gjithashtu drejtori i ri i Departamentit të Sigurimit dhe të Mbrojtjes, z. Ilir Mollaymeri” sqaron banka zëvendësimet e bëra, ndërsa shton se “pas këtyre zëvendësimeve garantohet vazhdimësia e veprimtarisë normale të funksionit të emisionit dhe atij të sigurisë dhe mbrojtjes në Bankën e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë vazhdon të mbajë të informuara të gjitha institucionet e sigurisë financiare në vend dhe partnerët ndërkombëtarë, mbi ecurinë e zbatimit të planit të masave, për të garantuar ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik dhe sigurinë e depozituesve në sistemin bankar shqiptar”.

 

 

 

 

Share it :