Apeli/ Lirimi nga gjykatat i Gropës dhe Ben Qimes, kërkohet verifikim i procedurave

Sonila Mesareja

prokuroria e pergjithshme Ballauri: Me këto vendime, cenohet reciprociteti i marrëdhënieve të institucioneve shqiptare me shtetet e huaja

Prokuroria e Përgjithshme kërkoi dje nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Ministria e Drejtësisë të vlerësojnë procedurën që është ndjekur për vendimmarrjen e gjyqtarëve në disa gjykata të ndryshme të Shqipërisë, për të cilat, në vlerësimin e institucionit e këtij institucioni janë tërësisht të pabazuara në ligj dhe në prova. Për Prokurorinë e Përgjithshme, gjykata, nëpërmjet këtyre vendimeve, ka lejuar shkeljen e ligjit, të cilat sjellin pasoja të pariparueshme. Përmes një deklarate për shtyp, drejtoresha e kabinetit të Prokurorisë së Përgjithshme, Fjorida Ballauri, deklaroi se “për më tepër, në vlerësimin e organit të Prokurorisë, këto vendimeve përbëjnë edhe cenim të marrëdhënieve të besimit të mirë dhe reciprocitetit të institucioneve shqiptare me shtetet e huaja, veçanërisht me ato të Bashkimit Evropian”.

 

Rasti i Arben Gropës

I pari rast i denoncuar nga znj. Ballauri ka qenë vendimi i trupit gjykues të Gjykatës së Apelit Vlorë, dt. 20.2.2014, e përbërë nga kryesues Alma Liçaj, anëtarë Skënder Damini dhe Gjinovefa Gaba, në caktimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” për shtetasin Vangjel Zijaj (Arben Gropa) për efekt të shqyrtimit të kërkesës për ekstradim. Fillimisht, ndaj këtij shtetasi ishte vendosur masa e sigurisë “arrest në burg”. Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, ky vendim është tërësisht të pabazuar në ligj dhe në prova. Në bazë të këtij vendimi, shtetasit Gropa i është krijuar mundësi t’i shmanget drejtësisë. Në datë 24.7.2014, Ministria Drejtësisë ka lejuar ekstradimin e këtij shtetasit për në Itali, bazuar në vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit, dt. 3.7.2014. Ky shtetas, i cili gjendej në “arrest shtëpie” rezulton që është larguar nga vendi i qëndrimit dhe nuk është bërë e mundur ende të gjendet. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier, në datë 30.7.2014, ka paraqitur pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë, duke kërkuar rikthimin në ‘arrest me burg” për këtë shtetas, si edhe është regjistruar procedimi penal ndaj tij për veprën penale të largimit nga vendi i qëndrimit. Në bazë të vendimit të Gjykatës së Apelit Romë, Itali, ky shtetas është dënuar me 32 vjet burgim (pjesa e mbetur e pavuajtur e dënimit 29 vjet e 5 muaj e 27 ditë burgim), për kryerjen e veprës penale të “Prostitucionit dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës”.

 

Rasti i Ben Qimes

I dyti është vendimi i datës 15.7.2014 të gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Igerta Hysi, e cila ka vendosur shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg” për efekt ekstradimi, për shtetasin Arben Isufaj, duke vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, ky vendim është tërësisht i pabazuar në ligj dhe në prova. Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane të drejtësisë, për shkak se Gjykata e Torinos Itali, me vendimin nr. 14754/04, datë 22.6.2010, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, si edhe është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për veprat penale të “Pjesëmarrjes në organizatën kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

 

Rasti i Erjon Sadikajt

I treti është vendimi i datës 16.7.2014 të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Laurent Fuçia, i cili ka vendosur shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg”, për qëllime ekstradimi, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm për shtetasin Erjon Sadikaj. Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, ky vendim tërësisht të pabazuar në ligj dhe në prova. Ky shtetas, aktualisht, i është shmangur drejtësisë dhe nuk gjendet. Ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Leçe-s, Itali ka lëshuar Urdhër-Arrestin datë 1.7.2011 për veprën penale të “Pjesëmarrjes në organizatë kriminale” dhe të “Trafikimit të lëndëve narkotike”. Ndërkohë që po shqyrtohej kërkesa e Prokurorisë për ekstradimin e këtij shtetasi, në Gjykatën e Vlorës po zhvillohej paralelisht gjykimi nga autoritetet shqiptare për “armëmbajtje pa leje” dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”. Në përfundim të këtij procesi, ndërkohë që ishin pezulluar afatet për shqyrtimin e kërkesës për ekstradim, gjykata e dënon me 5 vjet burgim, si edhe ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke e vënë këtë shtetas në periudhë prove me afat 4 vjeçar. Gjithashtu, gjykata ka vendosur gjithashtu lirimin e menjëhershëm të këtij shtetasi. Në konsideratë të Prokurorisë së Përgjithshme, edhe vendimi i gjykatës për dënimin e të pandehurit me një dënim me kusht është tërësisht i pabazuar ne ligj, prova. Ky shtetas ndërkohë që mbahej në burgim për t’u ekstraduar në Itali për veprat penale “Pjesëmarrje në organizate kriminale” dhe “Trafikim të lëndëve narkotike”, është hetuar dhe gjykuar në Shqipëri për dy vepra të tjera “Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”. Pra, është e qartë rrezikshmëria e lartë e këtij personi, si në territorin e Republikës së Shqipërisë, ashtu edhe jashtë saj. Prokuroria e Përgjithshme gjykon se, në asnjë rast, një personi të kërkuar nga autoritetet e huaja për një vepër me rrezikshmëri të tillë të lartë shoqërore dhe aq më tepër te dënuar në Shqipëri për dy vepra penale, nuk mund t’i pezullohet ekzekutimi i dënimit dhe të vendoset në provë. Krahas kërkesave drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, organi i prokurorisë po vijon të ndjekë procedurat ligjore të ankimit në gjykatën më të lartë për këto raste. Prokuroria e Përgjithshme shpreh bindjen për angazhimin maksimal të dy institucioneve, nisur edhe nga përvoja e mëparshme. “Vlen të përmendim impenjimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë pas kërkesës pak muaj më parë të Prokurorisë së Përgjithshme për vlerësimin e procedurave të ndjekura nga gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, Shyqyri Çobo. Pas kërkesës së organit të Prokurorisë, ndaj këtij gjyqtari ka nisur procedimi disiplinor. Në këtë kuadër, Prokuroria e Përgjithshme është e bindur në angazhimin e institucioneve të drejtësisë për vlerësimin e drejtë dhe korrekt të procedurave që ndiqen në vendimmarrjet e gjyqtarëve” përfundon apeli publik i institucionit qendror të akuzës.

 

 

  

Share it :