Rrjedhja e votave në Kuvend / Ligjet me 3/5-at, tri opsionet që diskutohen në grupin parlamentar të Partisë Socialiste

Florenc Drizari

Pas negociatave deputetët nuk garantojnë praninë në votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar

 

KUVENDIPas rrjedhjes së votave brenda radhëve të mazhorancës për të votuar ligjet me 3/5-at në seancën e fundit të Kuvendit të Shqipërisë, mes drejtuesve të PS-së dhe 5 deputetëve “rebelë” që nuk morën pjesë në votimin e fundit, kanë nisur negociatat. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka zhvilluar takime informale jashtë ambienteve të selisë rozë këtë fundjavë me deputetët e PS-së, ndërkohë që burime nga kjo parti thonë se kontakte ka pasur edhe nga kreu i grupit, Gramoz Ruçi. Ndërkaq, prej dy ditësh mësohet se mes deputetëve dhe drejtuesve të partisë më të madhe qeverisëse, ende nuk ka një dakordësi për të garantuar votat në seancën e së enjtes së ardhshme, paçka se jo zyrtarisht negociatorët shprehen se kanë gjetur marrëveshjen. Në seancën e 31 korrikut mazhoranca ka përcaktuar në axhendë projektligje që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, ndërsa nismat janë cilësuar si tejet të rëndësishme për t’u miratuar brenda kësaj vere nga mazhoranca. Dy nga këto nisma janë reforma administrative-territoriale dhe projektligji për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, (KLD). Të dy projektligjet kanë hapur debat jo vetëm mes pozitës dhe opozitës, por edhe brenda radhëve të shumicës parlamentare. Disa nga deputetët që munguan në seancën e fundit plenare, kanë shprehur hapur kritika për dy projektligjet, reformën territoriale dhe ligjin për KLD-në.

 

Tri opsionet

Dy ditë pas negociatave me deputetët që munguan në seancën e fundit plenare, ende nuk ka qëndrim publik që garanton shumicën e cilësuar të votave në Kuvendin e Shqipërisë. Negociatat mbahen larg syrit të medias, ndërkohë që tri janë opsionet që diskutohen edhe mes vetë deputetëve të shumicës parlamentare. Kryeministri Edi Rama pritet të përballet drejtpërdrejt me deputetët e tij në mbledhjen e parë të grupit parlamentar që ishte parashikuar të mbahej ditën e hënë, por që për shkak të festës së Bajramit në këtë datë, mbledhja pritet të zhvillohet të martën që vjen. Burime nga Partia Socialiste, por edhe vetë deputetë të majtë nuk flasin për një variant zyrtar në lidhje me garantimin e shumicës së cilësuar në seancën e 31 korrikut. Opsioni i parë që diskutohet është gjetja e konsensusit ose bindja e deputetëve për të votuar në linjën e qeverisë nismat që kërkojnë 3/5 e votave, paçka se kjo pritet të krijojë brenda radhëve të mazhorancës precedentin e kundërshtisë apo edhe të “presionit” ndaj qeverisë me forcën e kartonit, kur interesat apo bindjet personale nuk përputhen me ato të mazhorancës në tërësi. Opsioni i dytë është refuzimi i pjesmarrjes në Kuvend, apo në votimin e ligjeve, si pasojë e mosgjetjes së dakordësisë mes deputetëve dhe kreut të qeverisë, Edi Rama. Kjo do të bënte të pamundur votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar në Kuvend, duke rrëzuar për herë të dytë brenda dy javëve shumicën prej 85 votash që gëzon parimisht koalicioni i majtë, PS-LSI. Mundësia e tretë është që mazhoranca të tërheqë nga votimi në seancën e fundit plenare reformën administrative-territoriale edhe projektligjin për KLD-në. Kjo tezë gjen mbështetjen e pak përfaqësuesve të opozitës dhe skeptikët e medias, ndërkohë që për dy draftet ligjore, reformën administrative-territoriale dhe projektligjin për KLD-në, ka pasur objeksione dhe nga përfaqësues ndërkombëtar. Shpeshherë përfaqësues të ambasadave të huaja të akredituara në Shqipëri kanë theksuar se reforma administrative-territoriale duhet miratuar edhe me konsensusin e opozitës dhe se projektligji për KLD-në nuk është konsultuar me misionet që asistojnë qeverinë në fushën e drejtësisë.

 

6 deputetët që munguan në seancën e 24 korrikut

1. Tom Doshi

2. Mark Frroku

3. Armando Prenga

4. Pjerin Ndreu

5. Parid Cara

6. Vangjel Dule

 

Tri opsionit për votimin e ligjeve më 31 korrik

1. Gjetja e konsensusit

2. Refuzimi i votimit të ligjeve me 3/5 nga 5 deputetët

3. Strategjia e shumicës për të shmangur votimin e reformës territoriale dhe ligjit për KLD-në

 

 

Tom Doshi

“Ishim në ditëlindjen e deputetit Mark Frroku”, – kështu u shpreh për mediat pas seancës së të enjtes për mosprezencës së tij socialist Tom Doshi. Pak ditë më parë deputeti Doshi theksoi se mospjesëmarrja në seancë nuk është presion ndaj Kryeministrit Edi Rama. Duke u ndalur tek replikat e ditëve të fundit mes Doshit dhe Tahirit sa i takon projektligjit “Për Policinë e Shtetit”, deputeti theksoi se nuk e ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm. Sa i takon pjesëmarrjes së tij në Kuvend, deputeti Doshi u pyet nëse do të jetë prezent në seancën e radhës, ku pritet të miratohen disa projektligje të rëndësishme, siç është dhe reforma territoriale, ai theksoi se nëse kolegu i tij Armando Prenga ka ditëlindjen, ndoshta nuk do të jetë i pranishëm.

 

 

 

Ligjet me 3/5 që pritet të votohen në seancën e 31 korrikut

 

1. Projektligji “Për ndarjen administrative-territoriale të njësive vendore në Republikën e Shqipërisë”,

2. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar. (shumicë e cilësuar)

3. Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar. (paraqitur grup deputetësh)(shumicë e cilësuar)

4. Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar. (shumicë e cilësuar)

5. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905,date 21.3.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar. (shumicë e cilësuar)

6. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.

Share it :