Ervin Kaduku
CEZ Shpërndarje depoziton emrin e ri në QKR, por pronësia mbetet e çekëve
– Ishte OSSH, u ndryshua në CEZ Shpërndarje, tani e tutje faturat në shtëpi do të vijnë nga një subjekt “i ri”: OSHEE
Kompania e shpërndarjes së energjisë, ende në pronësi të grupit çek CEZ, por që nga 1 janari 2013 në administrim shtetëror ka ndryshuar emrin dhe nuk do të quhet më CEZ Shpërndarje, duke lënë përfundimisht pas historinë e një privatizimi të dështuar. Sipas aplikimit në QKR, “Enti Rregullator i Energjisë” ka vendosur në 17 korrik miratimin e ndryshimit të emrit tregtar të shoqërisë “CEZ Shpërndarje” sh.a., në shoqërinë: “Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike” sh.a., me akronimin “OSHEE” sh.a.
Në fund të qershorit të këtij viti qeveria e Shqipërisë dhe ajo qeke arritën një marrëveshje për zgjidhjen e konfliktit lindur në janar 2013, kur Enti Rregullator i Energjisë mori vendimin për heqjen e licencës së kompanisë çeke CEZ. Marrëveshja parashikonte transferimin e menjëhershme të aksioneve në favor të CEZ shqiptar, duke i dhënë shtetit pronësinë e plotë, pas marrjes se 76% të aksioneve që kishte grupi CEZ; Pala çele hoqi dorë nga kërkimi i vlerës prej 103 milionë euro, shumës që ajo bleu kompaninë në 2008; Shoqëria e re e shpërndarjes së energjisë e kontrolluar nga shteti do t’i paguajë çekëve 87.1 milionë euro, me këste deri në 2018, ndërsa interesat e paguara për katër vjet arrijnë në 7.9 milionë euro, duke e çuar koston që duhet të paguajë kompania në rreth 95 milionë euro; Palët heqin dorë nga çdo pretendim i mëtejshëm financiar dhe pala çeke tërhiqet nga procesi i arbitrazhit.
Kompania gjithsesi, ka mbetur në pronësi të kompanisë çeke CEZ Group, në pritje të mbylljes së procesit të shpallur tashmë nga pala shqiptare lidhur me zinxhirin e pretendimeve financiare midis dy palëve. Në ekstraktin e QKR-së gjithnjë kompania e huaj mbetet pronare e 76 për qind të aksioneve të shoqërisë.
Regjistrimi i ndryshimit në QKR
| 23/07/2014 | Numri i ceshtjes: CN-566201-07-14 Arsyet e hapjes se ceshtjes: Depozitimi i vendimit te “Entit Rregullator te Energjise”, Nr. 63, date: 17.07.2014, “Per miratimin e ndryshimit te emrit tregtar te shoqerise”, me te cilin eshte vendosur:Miratimin e ndryshimit te emrit tregtar te shoqerise “CEZ SHPËRNDARJE” sh.a., ne shoqeria “Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike” sh.a., me akronimin “OSHEE”sh.a.Miratimin e ndryshimit te selise se shoqerise. Emri i Subjektit ishte (“CEZ SHPËRNDARJE”) u be (“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike”) Emri Tregtar ishte (“”) u be (“OSHEE”) Kane ndodhur ndryshimet e meposhtme ne Adresat e Aktivitetit: Lista e Dokumenteve: |
Haxhinasto: Mundësi e re në Shëngjin, parkimi i jahteve
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, vizitoi dje Portin e Shëngjinit me rastin e përfundimit të punimeve për kalatën e re dhe për thellimin e basenit. “Është një zhvillim i rëndësishëm për Portin e Shëngjinit, pasi kanë përfunduar punimet për kalatën e re dhe për thellimin e basenit dhe është bërë krejtësisht funksional kjo pjesë e rëndësishme e Portit, që do të ketë një ndikim shumë të madh në rritjen e volumeve të përpunimit të mallrave dhe të pasagjerëve, nga Porti i Shëngjinit”, – tha ai.
Është një zhvillim i pritur, është pjesë e strategjisë sonë, për të përmirësuar infrastrukturën portuale dhe për të rritur volumin e shërbimeve në portet tona. Ashtu siç po ndodh me Portin e Sarandës apo atë të Vlorës, një investim i ri që fillon këto ditë prej 15 milionë eurosh, po kështu do të vazhdojmë edhe me Portin e Durrësit me përmirësimin dhe investimet në kapacitetet e përpunimit të mallrave, kështu do të ndodhi edhe me Shëngjinin dhe jam i bindur që volumet e mallrave dhe cilësia e shërbimit këtu do të ketë vetëm rritje. Kemi shenja të mira, trendet janë në rritje, dhe kështu do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, tha ai. Një mundësi e re e krijuar në Portin e Shëngjinit është parkimi i jahteve dhe i barkave turistike që do të jetë një kontribut për industrinë e turizmit, por gjithashtu edhe një kontribut për të ardhurat që do të realizojë Porti i Shëngjini”, – shtoi ministri.
Haxhinasto deklaroi se është në pritje edhe hyrja e trageteve të udhëtarëve në këtë Port. “Kemi folur me operatorët e rinj që po futen në tregun shqiptar dhe na është premtuar prej tyre që do të kemi ndalesë në itineraret e tyre edhe në Shëngjin dhe besoj që kjo do t’u krijojë një lehtësim më të madh të gjithë pasagjerëve dhe atyre që do të udhëtojnë drejt Italisë apo që duan të vijnë nga Italia në Shëngjin dhe në zonën veriore të Shqipërisë. Kjo do të jetë shumë e afërt”, – u shpreh kreu i Transporteve.
Kontrolli i qiejve
Në kuadër të Presidencës së radhës së Shqipërisë në Komitetin e Menaxhimit të Eurocontrol, Haxhinasto takoi dje Frank Brenner-in, President i Eurocontrol-it. Ministri kërkoi asistencën e Eurocontrol-it në studime të mundshme fizibiliteti për parashikimin e trafikut që do të gjenerojë aeroporti i ri në jug të vendit, si një prioritet zhvillimor i potencialit turistik në ketë zone te Shqipërisë. Ndërsa Brenner, në emër edhe të shteteve anëtare të Eurocontrol-it, vlerësoi kontributin e vendit tonë në mbarëvajtjen e punëve në menaxhimin e Qiellit të Përbashkët Evropian. Ai vijoi duke cilësuar shërbim – ofruesin e lundrimit ajror shqiptar, Albcontrol në lartësinë e duhur për të qenë pjesë e nismave të përbashkëta evropiane në fushën e navigimit ajror dhe shprehu gatishmërinë e mbështetjes së Shqipërisë në nismat e saj zhvillimore në këtë fushë.
Në përfundim të takimit, palët ranë dakord në parim për miratimin e marrëveshjes bilaterale për vendosjen e tarifave navigacionale nga ana e Eurocontrol.
INSTAT: Biznesi i fluturimeve tregtare, tani vetëm në duar të të huajve
Ka arritur në rreth 368 mijë numri i pasagjerëve që kanë fluturuar përmes aeroportit të Rinasit në tremujorin e parë të këtij viti, me një rritje prej 8% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat janë bërë të ditura nga buletini statistikor i tremujorit të parë të INSTAT-it. Ky është tremujori i parë kur nuk operoi Belle Air, kompania shqiptare, që shpalli falimentimin në tetor të vitit të kaluar. Ndërsa në tremujorin e parë 2013, përmes Belle Air fluturuar 54% e udhëtarëve (ose rreth 194 mijë),në tremujorin e parë 2014, ky treg u ka kaluar tërësisht kompanive të huaja. Tregu i Italisë (ku Belle Air mbizotëronte) është marrë kryesisht nga All Italia, Air One dhe më pak hyrësit e rinj në treg, Blu Panorama, Livingstone, Meridiana.
Sipas INSTAT janë 16 kompani të huaja që veprojnë aktualisht në aeroportin e Rinasit, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishin 13 kompani të huaja dhe një me kapital të përbashkët (Belle Air). Numri i fluturimeve në janar-mars 2014 ka rënë me rreth 2% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, megjithatë kompanitë duket se kanë qenë më eficiente në shfrytëzimin e këtyre fluturimeve, teksa numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me to është rritur.





