Heqje licence për ata që nuk marrin dot provimin e shtetit
Mjekët të cilët nuk kanë asnjë kredit ose nuk kanë plotësuar numrin e mjaftueshëm përgjatë 5 viteve do të hiqen nga puna. Deklarata është bërë nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë konferencës për programin e ricertifikimit 2010-2014. “Me keqardhje konstatoj se kemi ende profesionistë pa as edhe 1 kredit, apo edhe shumë të tjerë me numër të pamjaftueshëm kreditesh, sipas atyre standardeve që janë të përcaktuara. Nuk do të lejohen të vazhdojnë të punojnë si mjekë, ata që nuk arrijnë të provojnë se bëjnë përpjekje për rifreskimin dhe përditësimin e dijeve dhe aftësive të tyre, aty ku ata punojnë. Për këdo mjek, që e shpërfill totalisht këtë lloj kërkese, që do të thotë se deri në fund të vitit do të rezultojë me zero kredite, masat do të jenë të menjëhershme efektive nga fillimi i vitit. Vendet e tyre të punës do të shpallen vakant nga drejtuesit e institucionit. Paralelisht, urdhrat profesionalë do t’ua pezullojnë licencën e ushtrimit të profesionit”, – u shpreh ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Bordi i Ricertifikimit dhe i Akreditimit, në një mbledhje të para pak ditëve, i rimori në konsideratë kriteret aktuale të parashikuara, sanksionet e parashikuara dhe ka dalë me disa përfundime. “Paralelisht, urdhrat profesionale do t’ua pezullojnë licencën e ushtrimit të profesionit. Këta profesionistë e rifitojnë të drejtën vetëm pas dhënies së provimit të shtetit”, – theksoi Beqaj.
Licenca
Ata profesionistë që kanë kredite, por jo sa niveli i mjaftueshëm, brenda 6 muajve të mbarimit të afatit 5-vjeçar, do të duhet të rihyjnë në provimin e shtetit. Nëse pas 6 muajsh,përsëri, nëse nuk do të kenë marrë provimin e shtetit, apo nuk do të kenë pranuar të hyjnë në provimin e shtetit, jemi në të njëjtat kushte, vendi i tyre i punës del vakant dhe u pezullohet licenca. Sipas një raporti të Urdhrit të Mjekut, 850 mjekë rezultojnë që kanë 0 kredite, pra nuk kanë marrë pjesë në asnjë konferencë, ndërkohë që të tjerë nuk e kanë përmbushur numrin prej 150 kreditesh, që duhej të plotësonin në 5 vjet duke marrë pjesë në konferenca shkencore, trajnime të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit.
Festivali i Jazz-it në Shqipëri, 7 ditë në 5 qytete
Nga dita e sotme deri në 27 korrik, do të zhvillohet në Shqipëri Festivali i Jazz-it. Grupet më të mira ndërkombëtare brenda një jave do të vizitojnë qytete të ndryshme të vendit. Festivali nis sot në Tiranë dhe më pas do të vazhdojë në Shkodër, Korçë, Fier dhe Himarë. Ndër grupet më të njohura do të jenë: Marco Castelli Trio (Itali), Marco Zappa (Zvicër), Tal Kravitz (Izrael), Lebi Derya (Gjermani), Evrim Demirel Ensemble (Turqi), Das Großmütterchen (Austri), Martin Brunner Trio (Ceki), Manos Tavlakis Trio (Greqi) dhe Gent Rushi Quartet (Shqipëri-Kosovë). Në kryeqytet festivali do të zhvillohet për tri ditë rresht, njëkohësisht do të zhvillohet në data 23 dhe 24 në Korçë, në 24 dhe 25 në Shkodër, në 26 dhe 27 korrik në Apoloni të Fierit dhe në Himarë. Festivali i Jazz-it në Shqipëri për herë të parë është zhvilluar në Durrës në vitet 2003-2005. Pas viteve 2008-2009 festivali i Jazz-it, u zhvillua rregullisht në Shqipëri përgjatë sezoneve të verës.





