Protesta/ Invalidët: Veliaj po na heq të drejtat e fituara, në protesta derisa të anulohet ligji  

invalid-300x175Ashtu siç kishin paralajmëruar, qindra invalidë kanë protestuar dje përballë Kuvendit. Me pankarta në duar, ku akuzonin ministrin e Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, invalidët kërkonin që të drejtat e fituara të mos hidhen poshtë me disa ndryshime në ligj. “Mos gënje zoti ministër”; “Mbaje fjalën, jep dorëheqjen”; “Edhe ne duam të jetojmë”; “Mos cenoni të drejtat tona”, – ishin disa nga pankartat që invalidët apo të verbrit mbanin në duar. Kryetarja e Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve tha se ligji i parashikuar për PAK është zero. Sipas saj, ky ligj do t’i hedhë ata në greminë. Në fjalën e saj drejtuar ministrit Veliaj, ajo deklaroi se ai nuk mund ta kuptonte, pasi nuk e di ç’do të thotë të jesh me aftësi të kufizuara. Ajo u bëri thirrje deputetëve të mos e kalojnë këtë ligj dhe kërkoi prej tyre të mendojnë veten si persona me aftësi të kufizuara. “Përfaqësojmë mijëra anëtarë, edhe pse të premten Veliaj tha se e udhëheqin dy dhe tre kryetarë. Ne nuk jemi dy-tre kryetarë dhe ky ligj po bëhet për ne. Ju gaboheni zoti ministër, kur mendoni se do ta ulni zërin tonë, sepse e kemi në të drejtën e Konventës. Në emër të të gjitha grupeve që përfaqësojmë, ne nuk jemi 20 organizata siç thoni ju, por jemi 120 organizata lokale të cilat protestojmë për atë ligj të mbrojtur në Parlament. Ne si Këshill Kombëtar kemi kërkuar të bëhen me status edhe personat që nuk dëgjojnë dhe ata me probleme mendore, sot kërkoni të na bëni zero. Nuk do t’i përçani personat me aftësi të kufizuara, ju nuk mund ta kuptoni ç’do të thotë të jesh me aftësi të kufizuara. Ky ligj kërkon të na hedhë në greminë dhe kjo ministri të luajë me ne”, – përmendi kryetarja e Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve.

 

Po na cenoni të drejtat

Kreu i Personave të Verbër, Sinan Tafaj, u shpreh se projektligji po cenon të drejtat, të cilët invalidët i kanë fituar gjatë gjithë këtyre viteve. Mandej Tafaj akuzoi ministrin Veliaj se ka ndërhyrë ditët e fundit që shumë invalidë të mos ishin të pranishëm në protestë. “Ato që të drejta që ne kemi fituar do rrezikohen për t’u hequr. Nuk jemi këtu për të ndonjë individ jemi për të mbrojtur të gjithë të drejtat tona. Ministri Veliaj dhe fondacionet që punojnë gjoja në emrin tonë kanë prodhuar baltë për të hedhur mbi ne. Dje gjithë ditën dhe gjithë këto ditë kanë kontaktuar njerëz brenda grupeve tona për t’i bindur ato për t’i përçarë dhe për t’i penguar për të ardhur në protestë”, – tha kreu i Shoqatës së të Verbërve. “Veliaj dhe fondacionet që gjoja punojnë në emrin tonë, do të prodhojnë baltë për të hedhur mbi ne. Gjithë këto ditë kanë kontaktuar njerëz të rëndësishëm brenda grupeve tona, për t’i bindur, përçare që të mos vijnë më protestë. Ne nuk jemi një grup interesi,por jemi një shoqëri civile, e cila ka në themel të saj interesin e qytetarit të thjeshtë, përpjekjet e Veliajt për të hedhur baltë do të rriten në të ardhmen dhe nuk është çudi të dëgjojmë shpifje nga më monstruozet që do të hidhen për të hedhur poshtë të drejtët tona. Zoli Veliaj është i pandershëm me deklaratat që ka bërë të premten, duke deklaruar se kjo është një protestë kryetarësh. Ai ka deklaruar se nëse ju shkelet vetëm një e drejtë unë do jap dorëheqjen. Nëse Veliaj do vazhdojë me këto forma qeverisëse, do ketë suksese të përkohshme sepse ne jemi të vendosur për të luftuar dhe mbrojtur të drejtat tona”, – theksoi Tafaj. Invalidët kanë kërkuar që deputetët të dilnin t’i takonin dhe se theksuan se protesta e tyre nuk do të ndalet derisa projektligji të anulohet. Kundër ndryshimeve në ligjin për invalidët ka dalë edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani.

 

Veliaj dhe Kospiri

Pas protestës së personave me aftësi të kufizuara ka reaguar ministri Erion Veliaj dhe zëvendësministrja e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, Bardhylka Kospiri. Në një postim në faqen e tij në “Facebook”, Veliaj shkruan se respekton protestën, por ligji i ri bëhet për të pastruar skemën nga abuzuesit. “FMN ka të drejtë, ndaj po kalojmë ligjin për Personat me Aftësi të Kufizuara që të heqim abuzuesit, jo të drejtat. Shpërdorime me pagesat e invaliditetit”, – shkruan Veliaj. “Ky ligj është një ligj që nuk prek asnjë të drejtë të personave me aftësi të kufizuara. Ka një abuzim dhe personat me aftësi të kufizuar janë të shqetësuar. Asnjë e drejtë e fituar nuk do të ndryshojë, por do zgjerojë grupet që përfitojnë nga të drejta dhe do përfitojnë më shumë të drejta që kanë pasur deri tani. U është thënë që do t’u hiqen kujdestaret apo do u ulen pagesat. Nuk janë të vërteta. Konventa, një dokument që përmban të gjithë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Ky ligj kalon të drejtat e konventës në legjislacionit shqiptar. Ligji kuadër është hartuar nga në grup pune ndërinstitucional dhe një eksperte ndërkombëtare”, – u shpreh gjatë një konference për shty zv.ministrja Kospiri.

 

 

Share it :