Valbona Bozgo Musai
Në rininë e hershme, lexova diku disa vargje të Suiftit, autorit të të famshmit “Udhëtimet e Guliverit”:
“Dhe më pas do shkruhen rreshta
Se edhe pleshtat kanë pleshta”….
Suifti, përveçse shkrimtar, sikurse edhe njihet, kishte njohuri të mirëfillta shkencore dhe ekonomike. Mbase, rreshtat e mësipërme, të cilat tregojnë një formim të adhurueshëm shkencor, ku aludojnë bindshëm për pafundësinë jo vetëm të makrokozmosit, por edhe të mikrokozmosit, të pavërtetuara ende nga shkencëtarët në atë kohë, mund të jenë bërë ngacmim për lindjen e fabulës së Guliverit. Prandaj, ai e nis atë në aventurat aq të këndshme dhe me të papritura: në botën e gjigantëve dhe të liliputëve, përmes një stili të zhdërvjellët që përshkruan jetën e tyre, të mbushura përplot humanizëm, ironi e grotesk, naivitet, mençuri e absurditet.
Për Guliverin, të dyja botët ishin të ndara: e madhja dhe e vogla.
Për një çast, e ndjeva veten një Guliver në vendin tim. I gjeta të dyja botët aty, veçse, o të kthyera përmbys, ose të përziera në atë farë feje, sa të shkaktonin një adrenalinë, që zor se ekuilibrohej.
S’ka shumë kohë, që në mediat tona, në prag të marrjes së statusit për vend kandidat në Evropën e Bashkuar, u ngrit një debat, mbi kolonelin e mirënjohur holandez, Tomson, i vrarë nga forcat haxhiqamilëse, në mbrojtje të trojeve shqiptare (sipas dijeve tona të deritanishme).
U paraqitën dokumente të reja, që gjigantin Tomson, e shndërronin në liliput. Sipas tyre, ai jo vetëm nuk e paska dashur vendin tonë, por e paska tradhtuar atë, për llogari të interesave greke. Me një fjalë, e paska ngrënë plumbin kot! Më 16.7.2014, Parlamenti holandez e nderoi kolonelin në fjalë, duke i vendosur një bust në faltoren e tyre. Gjigant – atje, liliput – këtu!
Prej kohësh, kam dëgjuar zëra, që vënë në dyshim edhe gjigantizmin e vëllezërve Frashëri. Edhe këta na paskan gënjyer keqas! Nuk paskan qenë as patriotë, as gjuhëtarë, as dijetarë… as shqiptarë. Vanë edhe këta në botën e liliputëve.
Po, pse, Skënderbeu, ç’ishte?! Një zot e di, nëse vërtetë kërkonte lirinë e vendit të tij dhe shpëtimin e krishtërimit, pjesë e të cilit jemi?! Një kaçak i thjeshtë qe…! Le ta flakim edhe atë në botën e të veckëlve. Pas tij, edhe Nënë Terezën! Më shumë indiane, se sa shqiptare edhe kjo…
Edhe ky Kadareja, si shumë na ngatërrohet nëpër këmbë. Disa thonë që është shumë i madh, të tjerë, i vogël. Dhe, për më tepër, është i gjallë. Më pas, e dimë vetë ne, se ç’i punojmë!
Çmitizimi vërtet është një gjë e dobishme, kur niset nga qëllime dashamirëse dhe të mirëprovuara, sigurisht, vetëm nga specialistë të njohur të fushave përkatëse.
Por, të hedhura tymshëm, në rastin më pak të fajshëm, për të provuar origjinalitete aspak origjinale, jo vetëm që nuk i çmitizojnë “legjendat”, por, përkundrazi, i përforcojnë ato.
Koha dhe popujt shqiptarë përgjatë saj kanë ditur dhe do të dinë t’i përcaktojnë e nderojnë personalitet e tyre. “Bota e gjigantëve” të vërtetë do të mbetet gjithnjë orientuese për vlerat atdhetare e më gjerë, që ato mbartin, sikurse do të harrohet, ajo “e liliputëve”, tymtarëve, dashakeqëve apo edhe naivëve qoftë.





