Florenc Drizari
“Ne kemi vendosur që të gjitha këto sera dhe të gjithë ata që i kanë ndërtuar dhe i kultivojnë, t’i mbështesim me lëndën djegëse në mënyrë të drejtpërdrejtë, për të bërë të mundur që çdo pikë naftë të cilën qeveria financon fermerin, të shkojë tek prodhimi dhe jo në kanalet e korrupsionit”
Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi që zhvilloi dje në Komunën e Poshnjes, në Qarkun e Beratit, premtoi sërish rritje të fondeve për fermerët shqiptarë. Në këtë aktivitet kreu i qeverisë ishte i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, dhe gjatë takimeve që patën me fermerët, u shpërndanë edhe kontratat nga skemat e mbështetjes financiare në bujqësi. Këto kontrata Kryeministri Edi Rama i quajti një moment të rëndësishëm për bujqësinë dhe një politike të re zhvillimi.
“Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se ne nuk mbështesim më mbijetesën, nuk shpërndajmë më lëmoshë, nuk e çojmë më asnjë qindarkë të buxhetit të shtetit në drejtim të paditur, edhe pse e rritëm 70 për qind fondin e mbështetjes për bujqësinë për këtë vit jemi të vetëdijshëm që duhet akoma më shumë dhe nuk mund të përballojmë dot në këto kushte sot aq shumë kërkesa sa kanë ardhur. Vitin e ardhshëm ju siguroj që do ta rrisim më tej këtë fond, do të heqim diku tjetër dhe bujqësinë dhe fermerin nuk do t’i lëmë asnjëherë vetëm”, – tha Kryeministri Rama.
Në Komunën e Poshnjes janë ndërtuar rreth 23 hektarë me serra, ndërkohë që Kryeministri Rama u ndal në çështjen e çmimit në naftës. “Ne kemi vendosur që të gjitha këto serra dhe të gjithë ata që i kanë ndërtuar dhe i kultivojnë t’i mbështesim me lëndën djegëse në mënyrë të drejtpërdrejtë, për të bërë të mundur që çdo pikë naftë të cilën qeveria financon fermerin të shkojë tek prodhimi dhe jo në kanalet e korrupsionit”, – theksoi Rama.
Në këtë takim, Rama i drejtoi një mesazh të rinjve, të cilët i nxiti të përfshiheshin në të punuarit e tokës, duke i qëndruar larg lojërave të fatit. “Shpresoj shumë që transformimi i bujqësisë do të sjellë edhe një transformim të marrëdhënies së të rinjve me tokën dhe shtëpinë, për t’i mbajtur pranë tokës që të bëhen të pasur me tokën e tyre duke bashkuar mendjen, krahët dhe tokat e tyre dhe duke shkuar më përpara nga pika ku ka mbërritur babai me nënën”, – deklaroi Kryeministri.
Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, tha se qeveria është duke përgatitur një skemë pilot për sigurimin e prodhimit të fermerëve në rastet e fatkeqësive natyrore, sikurse edhe vënien në jetë të një skeme me vlerë miliona euro për këtë zonë që synon përmirësimin e cilësisë së produkteve të ullirit.
Ndërsa, nga ana e saj, drejtorja e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Suela Popa, theksoi suksesin e procesit të aplikimeve pranë AZHBR-së dhe shpjegoi fokusin e mbështetjes financiare.
“Skemat e reja të mbështetjes financiare janë skema që mbështesin një filozofi tërësisht të re për vitin 2014, duke u ndarë njëherë e mirë nga e shkuara. Skema, të cilat fokus kryesor do të kenë pikërisht investimet në infrastrukturë bashkëkohore, linja standardizimi, ngritjen e pikave të grumbullimit, veçanërisht këtu në qarkun e Beratit, ku karakteristike është pikërisht prodhimi i frutave dhe perimeve dhe ku pikat e grumbullimit do të jenë fokusi kryesor”, – u shpreh Popa.
Panariti: Disa skema sigurimi për prodhimet bujqësore
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, u takua me fermerë të kësaj zone të njohur bujqësore, të cilëve u shpërndau edhe kontratat e përfitimit nga skemat e mbështetjes financiare në bujqësi. Ministri lajmëroi edhe nisjen e dy projekteve të mëdha në bujqësi, të cilat ai i quajti “ambicioze”. “Nga ana tjetër, një skemë pioniere, që ne përgatitemi të fusim dhe që i ka munguar bujqësisë shqiptare, është skema e sigurimit të prodhimeve. Ne do të fillojmë një projekt që këtë vit, prej disa milionë euro, për të filluar në nivel pilot disa skema sigurimi”, – tha Ministri Panariti.
Plazhet publike dhe private, Gjermeni: Kallëzime penale ndaj vendorëve që do të shkelin urdhrin
Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Englantina Gjermeni, gjatë një takimi që zhvilloi dje me gazetarët për punën e 300 ditëve të para të qeverisë, deklaroi se i ka çuar një udhëzim të veçantë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, që nëse kryetarët e njësive vendore nuk respektojnë vendimin e Këshillit të Ministrave për ndarje plazhesh publike-private apo nuk kanë respektuar kontrata me sipërmarrësit, do të shkojnë deri për kallëzim penal.
“Në fakt, të gjitha bashkitë kanë ofruar plane. Bashkia e Sarandës atë pjesën e qytetit e ka vënë të tërën për plazh publik, ndërkohë që bashkitë e tjera e kanë bërë të alternuar ose jo. Prandaj, thashë që pas monitorimit u kemi çuar letër kryetarëve të njësive vendore, duke u kërkuar dhe duke u lënë një afat për të marrë masa dhe për të respektuar vendimin. Duhet të jemi shumë të rreptë për këtë gjë. Mos u çudisni që nëse shumë shpejt do të keni kallëzime penale për disa kryetarë njësish bashkiake”, – tha ministrja Gjermeni, duke shtuar se këtu do të përfshihen edhe ata kryetarë njësish që do ta dalin nga ndarja e re administrative-territoriale e vendit.





