Reagon Agron Kuliçaj: Padia, tentativë për hakmarrje politike
Ministria e Brendshme kallëzoi në Prokurori ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, dhe ish-numrin dy të këtij institucioni, Agron Kuliçaj, për ngjarjet e 21 Janarit 2011, ku gjatë demonstratës së opozitës së bashkuar u vranë para godinës së Kryeministrisë 4 protestues. Në kallëzimin e Ministrisë së Brendshme thuhet se ish-drejtuesit e Policisë së Shtetit nuk zbatuan urdhrat e Prokurorisë për arrestimin e ish-shefit të Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe disa gardistëve të tjerë, për të cilët kishte dyshime të arsyeshme se ishin autorë të tri vrasjeve të ndodhura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Atë kohë, Prokuroria e Tiranës, e cila po hetonte për zbardhjen e vrasjes së Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës, urdhëroi arrestimin e zinxhirit komandues të Gardës së Republikës, urdhra që u vonuan të zbatohen. Por, ndërsa dosja “21 Janari” rikthehet sërish në vëmendjen e institucioneve të drejtësisë, asnjë prej të akuzuarve për vrasjet e katër demonstruesve nuk ndodhet prapa hekurave. Ish-kryegardisti Ndrea Prendi u dënua nga Gjykata e Apelit me 1 vit burg për akuzën e vrasjes nga pakujdesia në dëm të demonstruesit Faik Myrtaj. Ish-majori Agim Llupo u dënua me tri vite burg, për vrasjen e demonstruesit Ziver Veizi, ndërsa nuk u cilësua fajtor për vrasjen e Hekuran Dedës. Gjykata e Tiranës, i kishte shpallur të pafajshëm Prendin dhe Llupon. Vrasja e demonstruesit Aleks Nika, vijon të mbetet pa autor. Në një reagim për media, ish-zv.drejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, tha se është i hapur për të bashkëpunuar me Prokurorinë lidhur me këtë akuzë. Sipas Kuliçajt, kallëzimi ndaj tij është një tentativë për hakmarrje politike. Ai theksoi se urdhrat për arrestimin e gardistëve janë zbatuar në kohë dhe nuk është cenuar asnjë afat. “Kallëzimi, një tentativë për hakmarrje politike. Hakmarrje për shkak të funksionit që kam kryer dhe për shkak të gjyqit me Tahirin. Do paraqitem në Prokurori, do jem bashkëpunues”, – deklaroi Kuliçaj. Ndërkohë, i pyetur gjatë aktivitetit të çeljes së sezonit të ri të Akademisë së Policisë, ku Burgaj ishte i pranishëm krah Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ish-kreu i Policisë së Shtetit, u shpreh se nuk ka asnjë dijeni për kallëzimin në fjalë.





