Gëzim Saliu
“Rama, për hir të aleancës me botën e krimit, po kërkon të kapë dhe drejtësinë”
Partia Demokratike denoncoi dje përmes deputetit Eduard Halimi heshtjen e Kryeministrit të vendit Edi Rama pas publikimit të fakteve dhe provave për të shkuarën kriminale, sipas selisë blu, të deputetit socialist Ndoka. Në këtë kontekst, ligjvënësi demokrat deklaroi se edhe pse kreu i qeverisë kërkoi emra për denoncimet e PD-së, tani që ata janë bërë publike, theksoi Halimi, Rama jo vetëm që nuk ka ndërmarrë asnjë masë, por madje nuk është shprehur për asnjë moment për këtë çështje. “Mbarë opinion publik është njohur me provat e pakontestueshme, me dosjen e plotë penale të deputetit të Edi Ramës, Arben Ndoka, të dënuar për trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe për heqje me forcë të lirisë së tjetrit. Çdo shqiptar është i tronditur nga këto fakte. Dhe çdo shqiptar është edhe më shumë i tronditur nga fakti se Edi Rama hesht. Edi Rama kërkoi 8 ditë më parë një emër. Kërkoi dhe fakte. Tani ai i ka edhe emrin dhe faktet, por hesht, bën të paditurin. Ne e kontestuam kur spostoi 2 gra, por atëherë Rama qepi gojën para opinionit publik. A ka ndonjë kryeministër në botën euroatlantike që hesht dhe fshihet kur faktohet se deputetët e tij kanë qenë të lidhur me boten e krimit te organizuar?”, – deklaroi ai.
Reagimi
Duke pyetur kreun e qeverisë se pse nuk u flet qytetarëve që u kërkoi dhe i mori 1 milion vota më 23 qershor, deputetit Halimi tha se Rama është vetëshpallur fajtor me heshtjen e tij për çështjen e deputetit socialist. “Pse nuk u flet partnerëve ndërkombëtarë, ambasadorëve, por i fshihet faktit se ai me firmën e vet ka sjellë në parlament botën e krimit? Deputeti Ndoka është shpallur fajtor dhe është dënuar për akuza shumë të rënda. Por fajtor është vetëshpallur tashmë Edi Rama, me heshtjen e tij, dhe gjendet nën akuzën e eliminimit nga lista të dy kandidateve gra për t’i hapur rrugë me çdo kusht hyrjes në parlament të personit me precedent të rëndë penalë”, – theksoi ligjvënësi demokrat. Më tej, Halimit shtoi: “Fajtor është Edi Rama sepse me anë të këtyre deputetëve me të shkuar kriminale, ai godet dhe kërcënon me jetë përfaqësuesit e opozitës. Është fajtor Edi Rama se për hir të aleancës me botën e errët të krimit, ai po kërkon të kapë dhe drejtësinë për t’u shërbyer deri në fund banditëve rreth tij dhe aktivitetit të tyre të paligjshëm”. Në fund të deklaratës, deputeti demokrat tha se kryeministri Rama do të marrë dënimin e tij nga qytetarët e vendit për kriminalizimin që, sipas tij, i ka bërë dhe po i bën shtetit dhe Parlamentit.
Ish-kryeministri/ Berisha: Rama në 300 ditë harroi fermerët, qeveria s’ka financuar asnjë projekt në bujqësi
Ish-kreu i qeverisë, Sali Berisha, reagoi dje ndaj takimit që Kryeministri Rama zhvilloi në Poshnje të Beratit lidhur me zhvillimet në 300 ditë për fermerët dhe bujqësinë. Duke e cilësuar një dështim total të qeverisë në këtë fushë, Berisha pohoi se deklaratat e kryeministrit ishin tërësisht të pavërteta. “Edvin Kristaq Rama ishte në Poshnje të Beratit ku foli si një alien. Konkretisht, Edvini u tha fermerëve se do të marrë fund skema e korruptuar e ndarjes së naftës për fermerët. Këta të fundit qeshën dhe panë njëri-tjetrin në sy dhe Ramën se mos ishte i trallisur nga overdoza, pasi skema e ndarjes së naftës u ndalua që në shtator të vitit 2005 e deri sot; se tani që morëm statusin e vendit kandidat do fillojë financimi i projekteve të fermerëve nga Komisioni Evropian. Edhe kjo shkaktoi nënqeshjen e Fredit dhe gajasjen e Myrtos, fermerëve që një vit më parë e kishin përfituar financimin e projekteve të tyre nga fondet e BE-së”, – shkruante Berisha në rrjetin social “Facebook”. Më tej, deputeti demokrat theksoi se në 300 ditë qeveria aktuale, që premtoi heqjen e akcizës dhe taksës së qarkullimit për fermerët, nuk ka financuar, sipas Berishës, asnjë projekt të vetëm në bujqësi. “Nuk ka ndërtuar asnjë kilometër kanal vaditje apo kullimi. Sot në Poshnje ata ndanë grantet për 5-6 fermerët e parë kundrejt mbi 10 mijë projekteve që u financuan vitin e kaluar dhe 45 mijë fermerëve që iu financuan projektet në 5 vitet e fundit, me të cilat u mbollën rreth 10 milion rrënjë ullinj dhe miliona të tjera mollë, vreshta, arra, pjeshkë, qershi etj”. Në këtë kontekst, ish-kryeministri bëri të ditur arritjet e qeverisë së tij në bujqësi, duke theksuar: “Ne ndërtuam mbi 8 mijë km rrugë në fshatrat e vendi, rreth 1000 shkolla, kopshte, 450 qendra shëndetësore, qindra km kanale vaditës dhe kullimi, natyrisht bujqësia kishte dhe më shumë nevojë por sipërfaqja e mbjellë thuajse u dyfishua, eksportet u rritën me 2-3 herë. Rama për fermerët është thjesht një alien!”





