Ervin Kaduku
Vendet e Evropës aplikojnë paga minimale më të larta krahasuar me rajonin e Ballkanit dhe Shqipërinë
Shqipëria dhe Kosova kanë nivelin më të ulët të jetesës në të gjithë rajonin, shumë larg standardeve evropiane drejt të cilave synojnë. Kjo vërtetohet edhe nga një sërë studimesh të cilat flasin për një pagë minimale tepër të ulët, më të voglën në rajon dhe një nivel të lartë të informalitetit në tregun e punësimit.
Open Data Albania, nëpërmjet studimit të saj në fushën e punësimit, jep shifra të qarta të treguesve të pagave, ku konkretisht: Kosova ka pagën minimale më të ulët me 130 euro për moshat nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç, ndërsa Shqipëria e ka pagën minimale 156 euro apo 22 mijë lekë, ndërsa Maqedonia e ka pagën minimale 178 euro; në Greqi paga minimale është 684 euro, në Kroaci 405 euro, në Mali të Zi 192 euro, në Turqi 425 euro, dhe në Serbi 188 euro. Vendet e Evropës aplikojnë paga minimale më të larta krahasuar me rajonin e Ballkanit dhe vendin tonë. Pagën më të lartë minimale e aplikon Luksemburgu, e cila arrin 1921 euro/muaj. Më pas renditet Belgjika, Irlanda, Franca, Britani e Madhe. Gjermania aplikon pagë minimale në bazë të sektorëve dhe tarifa më e ulët arrin 7 euro/ora për 48 orë pune në javë.
Ndërsa lidhur me informalitetin edhe një studim i fundit i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike ka treguar se 29% e punësimit të përgjithshëm është informal dhe Shqipëria ka ende pagën minimale më të ulët në Evropë. Lidhur me këto çështje drejtoresha e ekzekutive e projektit Open Data Albania, Aranita Brahaj, deklaroi për “Kosovapress” se këta tregues dëshmojnë për një nivel të ulët të jetesës së qytetarëve të dy vendeve tona, dhe se në këtë aspekt i takon qeverive të të dyja vendeve të marrin masa për të mbrojtur qytetarët dhe për të rritur standardin e jetesës së tyre. “Rezulton që për Shqipërinë dhe Kosovën paga minimale shënon vlerat më të ulëta në Evropë dhe rajon. Përkatësisht Kosova aplikon dy kategori pagash minimale; paga minimale për moshat nën 35 vjeç që është 130 euro dhe paga minimale për moshat mbi 35 vjeç! që është 170 euro. Me këtë lloj page Kosova renditet e fundit në rajon, duke dhënë në këtë mënyrë karakteristika të një niveli jetese apo niveli ekonomik të një vendi i cili qëndron ende në një kontekst inferior kundrejt rritjes ekonomike dhe nivelit të jetesës së vendeve të Rajonit. Por pas Kosovës vjen Shqipëria e cila e ka pagën minimale 156 euro apo 22 mijë lekë si pagë minimale e lejuar, që ka gjithashtu një karakteristikë tjetër negative, që është paga minimale që lejohet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave për pagesën e sigurimeve shoqërore dhe kontributeve”, – ka thënë Brahaj. Sipas tij, qeveritë duhet ta shikojnë më me kujdes në nivelin e matjeve për të pasur indikatorin e saktë. “Është me vend që të dyja qeveritë ta shohin më me kujdes vlerësimin e indikatorëve të cilët të krijojnë mundësinë të krijosh idenë se cila do të jetë paga minimale e lejuar. Kjo edhe për ta mbrojtur qytetarin e thjeshtë i cili është i punësuar në mënyrë të rregullt që të jetë i mbrojtur nga shfrytëzimi i ashpër i kompanive të ndryshme të biznesit në vend. Sepse në Shqipëri ndodh që kompanitë e huaja që vijnë për të investuar, synojnë të shfrytëzojnë krahun e lirë të punës dhe lobojnë për të pasur një pagë minimale sa më të ulët kundrejt Rajonit: në një farë mënyre kjo duket sikur nuk favorizon tregun e punës në Shqipëri, por favorizon më shumë sasinë e fitimeve dhe koston e kohës së punës së këtyre kompanive, të cilat nga viti në vit, kanë rritur të ardhurat e tyre dhe kjo është e vërtetuar edhe nga bilancet tregtare ku kompani përkatëse përbëjnë ndoshta edhe zërin kryesor të eksporteve. Kështu që qeveritë duhet ta shikojnë më me kujdes në nive! lin e matjeve për të pasur indikatorin e saktë, dhe së dyti kjo nuk duhet të bëhet një karakteristikë e cila të favorizojë bizneset që vijnë në vend kundrejt personave që janë të punësuar”, – ka thënë ai. Brahaj thotë se në Shqipëri një pjesë e parave që qarkullojnë sidomos para nga puna apo nga biznese të tjera, janë para që gjenerohen në mënyrë infomale, jashtë kontrollit bankar dhe të institucioneve tatimore, andaj Qeveria duhet ta monitorjojë me kujdes edhe këtë punë. “Është interesante të përmendet fakti se Kosova dhe Shqipëria përveçse kanë pagën minimale më të ulët në Rajon, janë edhe të prekura nga tregu informal……. Informaliteti deri tani në të dyja vendet është artikuluar si një problem i zbatimit të ligjit, apo i mënyrës se si mund të verifikohen! dhe të deklarohen këto para, dhe asnjëherë nuk është parë më me realitet nëse këto vende pune janë konstante, të sigurta apo të pasigurta apo sezonale. Pra nëse një kompani hap një biznes dhe shumë shpejt brenda vitit e mbyll atë, pyetja është a janë reale këto vende pune të krijuara? Kështu që më e rëndësishme për qeveritë mbetet jo verifikimi i sa më shumë vendeve të punës por siguria e vendeve të punës”, – ka thënë Brahaj. Ai shton se indikatori i pagës minimale mund të përdoret edhe si një atraksion për të tërhequr kompanitë e huaja të cilat tentojnë ta gjejnë tregun e lirë të punës brenda rajonit. “Kështu që tregu i punës do një kujdes të veçantë dhe do politika për ta fuqizuar atë. Nuk mund të marrësh nisma artificiale për të rritur pagën minimale sa! kohë që nuk ke një zhvillim të përgjithshëm të indikatorëve ekonomikë të një vendi. Kështu që të dy vendet tona duhet ta konsiderojnë një problem që ka të bëjë me zhvillimin dhe fuqizimin e tyre ekonomik, dhe se ku është niveli ekonomik i dy vendeve e tregon edhe ky indikator. Por ky indikator, i pagës minimale mund të përdoret edhe si një atraksion për të tërhequr kompanitë e huaja të cilat tentojnë ta gjejnë tregun e lirë të punës brenda rajonit apo gjeografisë evropiane. Por ajo që është më e rëndësishme mbetet fakti që të dy vendet kanë ende shumë për të punuar, që ky treg pune dhe ky grup personash që janë aktiv në tregun e punës dhe ku ka shumë të papunë t’u jepet mundësia të profesionalizohen, pra të rrisin kapacitetet e tyre për të kërkuar, pse jo edhe të ardhura më të mira”, – ka thënë ai.
Shqipëria dhe Kosova, shton ajo, mbeten vendet me pagat më të ulëta, dhe duhet punuar në të dy ven! det për ta ndryshuar këtë trend mes vendeve të Rajonit, pasi mbi të gjitha jemi larg nivelit evropian të jetesës.
Haxhinasto: Ja rrugët që “kanë radhën” për ndërtim
Ervin Kaduku
Kohët e fundit është folur gjithnjë e më me forcë për kalimin e mirëmbajtjes së rrugëve nacionale në administrim të privatëve-koncesionarë. Gjatë një interviste televizive dje, ministri i Transportit Edmond Haxhinasto e ka pohuar këtë strategji, duke shtuar se ajo garanton cilësi dhe shpejtësi për qytetarët dhe firmat. Ai ka shtuar se koncesionet aktuale, të dhëna me kontratë nga mazhoranca e kaluar do të respektohen.
“Qëllimi në thelb i dhënies me koncesion është që të ofrohet një shërbim që nuk mund të ofrohet nga institucionet publike, pra të ofrohet një cilësi më e lartë se ajo publikja. Situata në Shqipëri është komplekse për sa i takon koncesioneve ashtu siç e përmenda më lartë ka disa detyrime kontraktore të cilat nuk mund të injorohen pasi pasojat e zgjidhjes së kontratës janë shumë të mëdha për sa i takon impakteve mbi detyrimet ligjore dhe financiare, por ajo që ne përpiqemi të bëjmë është që nëpërmjet të gjithë të drejtave ligjore që përmbajnë kontratat të ushtrojmë kontrollin tek koncesionarët që ata të performojnë sa më mire dhe të garantojnë ato shërbime të cilat duhet të ofrohen ne baze te kontratave”, – u shpreh ai.
Sipas Haxhinastos, duhet t’i ndajmë në dy kategori koncesionet. Së pari janë koncesionet për investime dhe së dyti janë koncesionet për mirëmbajtje. Për rastin e Rrugës së Kombit, flasim për një koncesion për mirëmbajtjen e saj dhe për realizimin e disa investimeve për ta përfunduar këtë rrugë e cila akoma mbetet e pa përfunduar, tha ai. Duke shtuar se jemi duke komunikuar me konsulencën e huaj që janë përfaqësues të IFC-së, e cila është degë e Bankës Botërore dhe është e specializuar veçanërisht për partneritetet publike dhe private (PPP), që të realizojmë tenderin së shpejti. Deri tani ka pasur interes nga kompani ndërkombëtare, të cilat janë të specializuar në këtë lloj aktiviteti. Besoj që ky tender apo kjo kontratë koncesionare do krijojë mundësinë që shërbimi apo mirëmbajtja e kësaj rruge të jetë në nivelet më të larta dhe shërbimi që përftojnë operatorët e saj, ata që e përdorin rrugën pra të jetë gjithashtu i cilësisë shumë të lartë dhe të kemi një normë amortizimi shumë të vogël. “Për sa i takon kontratave të tjera mund të përmend Rrugën e Arbrit. Edhe për këtë rrugë jemi në diskutim me kompani të interesuara për realizimin e saj dhe shpresoj që do të jetë një zgjidhje pozitive, një formulë pozitive për kompanitë e interesuara”.
Po cilat janë veprat ku do të përqendrohet puna e ministrisë që ai drejton?
Haxhinasto sqaroi se një prej tyre është segmenti Qukës – Qafë-Plloçë, një projekt i rëndësishëm i investuar nga Banka Islamike për Zhvillim. Po kështu fillon një vepër tjetër të rëndësishme që është bypass-i i Vlorës. “Sapo ka filluar bypass-i i Fierit dhe sigurisht kemi biseduar me shumë kompani të interesuara për segmente të tjera të rëndësishme siç janë: Korridori i Kaltër që shkon paralel me bregdetin. Segmente të veçanta të tij kanë pasur interes veçanërisht nga kompani të huaja. Po kështu në jug të vendit segmenti Gjirokastër – Sarandë, por edhe segmente të tjera. Dyfishimi i rrugës Tiranë-Durrës është një nga projektet që është diskutuar dhe mjaft projekte të tjera të cilat janë në poçes vlerësimi dhe unë uroj që do të realizohen duke filluar që nga ky vit”.
Verë 2014: Bum turistik në Greqi
Greqia po përjeton këtë verë një rekord turistik. Pronarët e hoteleve gëzohen dhe rrisin çmimet ku të munden. Qeveria greke bën thirrje për mosabuzim. Shifrat flasin vetë: Në vitin 2014 priten më shumë se 21 milionë vizitorë në Greqi – një plus prej 10% krahasuar me vitin 2013. Edhe të ardhurat nga turizmi priten po ashtu të arrijnë nivele rekord, në 13 miliardë euro bën të ditur Shoqata e Bizneseve Turistike, SETE. Duket se këtë verë turizmi do të jetë spiranca e shpëtimit për ekonominë greke.
Por disa hotele po përpiqen të nxjerrin përfitime të shpejta: Në këtë korrik, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet e hoteleve në Greqi janë rritur me 13,5%, sipas portalit informativ të hoteleve, trivago. Presidenti i SETE-s, Andreas Andreadis, në bisedë me “Deutsche Welle”-n përpiqet të qetësojë zërat kritikë: “Çmimet e hoteleve orientohen sipas kërkesë-ofertës. Megjithatë rritja aktualisht e çmimeve është mesatarisht në kuotën njëshifrore”.
Por sigurisht nuk mund të përjashtohet që hotele të caktuara në Mykonos dhe Santorini po përpiqen të nxjerrin përfitime të shpejta. Edhe në Athinë këtë vit ka pasur një rritje të dukshme të çmimeve, thotë Andreadis. Por duhet të kujtojmë që në vitet e fundit për shkak të krizës ka pasur një ulje deri në 50% të çmimeve të hotelerisë.
Rritja e çmimeve aktivizon politikën
Turizmi përbën një të pestën e kapacitetit ekonomik të Greqisë. Ishte pikërisht kjo degë që vitin e kaluar bëri që për herë të parë nga viti 1948 Greqia të shënonte një plus në bilancin vjetor ekonomik. Qeveria e koalicionit nën Kryeministrin Samaras do të bëjë gjithçka që kjo tendencë pozitive ekonomike të mos shkatërrohet nga çmimet abuzive në turizëm. Ministrja e Turizmit, Olga Kefalogiani, paralajmëroi në fillim të qershorit nga rritja e çmimeve të hoteleve. Madje vetë Kryeministri Samaras i bëri një vizitë Shoqatës së Bizneseve Turistike. Andreas Andreadis nuk do ta komentojë këtë, por thekson se “pozicioni ynë është që vetë tregu të rregullojë çmimin”.
Për Nikos Chryssikopolous, kryeredaktor i portalit ekonomik “capital.gr” çmimet e larta janë raste përjashtuese. Por sigurisht udhëtarët që kërkojnë një prenotim në minutën e fundit duhet të llogarisin me çmime të larta. “Greqia është një destinacion turistik mjaft i preferuar, prandaj kush do të vijë këtu, duhet të bëjë sa më herët prenotimin”. Por sipas tij shumica e turistëve nga Gjermania dhe Austria i bëjnë prenotimet shumë herët. “Në veriun e Evropës është traditë që pushimet të planifikohen herët. Këtu në Mesdhe është mentaliteti që të bësh pushime në minutën e fundit”. Sipas prognozave të turizmit edhe këtë vit gjermanët me 2,7 milionë vetë do të përbëjnë sërish grupin më të madh të turistëve në vend, të ndjekur nga britanikët.
Rusët me gjithë krizën në rajon vijnë në Greqi
Me një milionë pushues edhe rusët nga viti 2013 hyjnë në grupin e mëdhenj të turistëve. Ata konsiderohen si mjaft shpenzues, gati 100 euro në ditë, më shumë se çdo europian tjetër. Por si pritet të jetë gjendja këtë vit në kuadër të krizës në Ukrainë dhe dobësimin e rublës? Eksperti Nikos Chryssikopolous nuk beson se kriza do të ketë ndikim: “Duhet të diferencojmë: Pushuesit e pasur, që duan të vijnë në Greqi nuk tremben aq lehtë nga kriza. Për turizmin masiv nga Rusia, gjendja paraqitet ndryshe”. Konkluzioni i tij: “Po qe se do të ketë rënie të turizmit nga Rusia, atëherë kjo pritet vetëm në rënien e numrit të vizitorëve, por jo edhe aq tek të ardhurat”.
Shoqata e Bizneseve Turistike greke sigurisht dëshiron që turistët e preferuar nga Lindja, t’i mbeten besnikë Greqisë. Për këtë arsye rusëve i është ofruar edhe një bonus: “Për të kompensuar dobësimin e rublës, shumë operatorë turistikë kanë rënë dakord për të ulur çmimet”, – sqaron kreu i Shoqatës së Bizneseve Turistike, Andreas Andreadis. Një gjest i rëndësishëm që Greqia të sigurojë pjesën e saj në tregun turistik.
Deutsche Welle





