Anxhela Tato
Hakeri negocioi me qeverinë amerikane, pranoi fajësinë në këmbim të uljes së masës së dënimit
Qëndrim Dobruna realizoi 15 mijë transaksione monetare, duke tërhequr lekë në mbarë botën
I mjaftonte një klikim nëpër rrjetet kompjuterik për të fituar lekë nga e gjithë bota, por kjo aventurë mori fund për hakerin më të famshëm shqiptar, i cili arriti të grumbullonte 14 milion dollarë nga veprimtaritë e paligjshme kompjuterike. I shquar për aftësinë e tij në fushën e teknologjisë, hakeri shqiptar u shndërruar në një rrezik për qeveritë e shumë shteteve të fuqishme, duke pasur mundësinë për të ndërhyrë në sistem, ku mund të vihej në dijeni edhe të sekreteve të ndaluara dhe duke qenë një rrezik. “Policia gjermane ka mundur të arrestojë një ndër shqiptarët më të kërkuar në botë, i cili akuzohet për mashtrime kompjuterike me vlerë 14 milionë dollarë”, – thuhet nëpër agjencitë e lajmeve. Personazhi misterioz është Qëndrim Dobruna, 27 vjeç, i cili pas arrestimit ka pranuar fajësinë dhe është ekstraduar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ndaj tij ka tashmë një hetim. Dobruna ka shpjeguar për hetuesit se ai ishte pjesë e një grupi hakerash dhe me anë të klonimit të kartave të kreditit, arrinin të përfitonin vlerat monetare. Vepra penale për të cilën ai e pranoi fajin mbart një shumë prej 30 vitesh burg dhe një gjobë prej 1 milion $, por pas marrëveshjes me qeverinë amerikane Dobruna rrezikon 9 vite burg, siç bëjnë me dije mediat, ndërsa vendimi për të pritet të jepet më 24 tetor. Grupi i hakerave, i cili nga provat e mbledhura deri më tani përbëhej nga 7 persona, kanë kryer 15.000 transaksione në ATM, duke përdorur karta krediti të klonuara, duke kryer tërheqje parash në 18 vende të botës, mes tyre edhe në Kosovë dhe Shqipëri, bëjnë me dije hetuesit.
Dosja penale
Emri i Dobrunës është i njohur për drejtësinë e Kosovës, pasi në vendlindjen tij ai është proceduar në mungesë si bashkëpunëtor në një grup të njohur për mashtrime kompjuterike. Procesi gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Prishtinës ka nisur që prej vitit 2011. Qeveria gjermane ka mundur të arrestojë një ndër shqiptarët më të kërkuar në botë, i cili akuzohet për mashtrime kompjuterike me vlerë 14 milionë dollarë. Në aktakuzën e ngritur nga prokurori thuhet se që nga mesi i vitit 2005 në Prishtinë, Gjilan, Kamenicë, Fushë-Kosovë dhe vendbanimet e tjera të Kosovës, me qëllim të arritjes së përfitimeve të drejtpërdrejta të dobisë pasurore-financiare, formuan grupin kriminal të organizuar që do të merrej me aktivitete kriminale e që do të bashkëvepronte me “hakerat” e panjohur deri më tani të sistemeve kompjuterike bankare nga shtete të ndryshme të botës. Këta, duke komunikuar përmes rrjetit të internetit në drejtim të sigurimit të kundërligjshëm të pin-kodeve me xhirollogari bankare të personave të ndryshëm të dëmtuar nga shtete të ndryshme të botës me qëllim të falsifikimit të kartelave bankare, kanë futur në shiritat magnetikë të tyre këto pin-kode me xhirollogari dhe me to të tërhiqnin shuma të ndryshme të parave në bankomate, si dhe të blinin gjëra të ndryshme nëpër supermarkete. “Gjithashtu këta persona kanë bërë edhe tërheqjen e shumave të mëdha të parave përmes agjencisë financiare W.U., shuma të cilat, në emër të të dëmtuarve do t’ua dërgonin këta ‘hakerave’ të panjohur”, – thuhet në aktakuzë. Kështu, të akuzuarit për qëllime kriminale duke përfituar pasuri financiare dhe duke bashkëvepruar e komunikuar me këta “hakerë” përmes msn-ve dhe chat-room-it, janë marrë vesh që përmes agjencisë financiare W.U., sapo të tërhiqnin paratë një pjesë të këtyre parave t’ua kthenin “hakerave” në mënyrë që të fshihnin burimin e vërtetë të transferimit të këtyre shumave e kinse janë duke shitur e blerë programe të ndryshme kompjuterike, ku me këtë rast e kanë bërë pastrimin e parave të pista, duke vepruar kështu deri nga muaji korrik i vitit 2006.






