Anxhela Tato
Hapen dyert e mortit në banesën e Kristian Çullhait, familjarët kërkojnë ndihmë financiare nga shteti
Thirrja e nënës së Eri Pelivanit: Shteti të më ndihmojë, nuk e di fatin e djalit tim, 10 ditë pa asnjë lajm
Heshtja ka pllakosur në familjen Pelivani në Fier, ku pas humbjes tragjike të kryefamiljarët 10 vjet më parë, pritet lajmi i gjetjes së djalit 22-vjeçar. Të tronditur dhe pa asnjë lloj informacioni, familjarët qëndrojnë në ankth në pritje të një lajmi para televizorit. Ndonëse shpresa është ende e fortë, ata janë të frikësuar pas njoftimit të mbytjes së njërit prej djemve me të cilin kishte marrë rrugën e kurbetit 22-vjeçari Eri Pelivani. U mbushën plot 11 ditë që familja nuk ka asnjë njoftim, asnjë komunikim me djalin dhe nuk dinë se çfarë është bërë me të. Ndërsa nuk kanë të dhëna se me cilët djem mund të jetë larguar, ata kërkojnë ndihmë nga qeveria për të ditur fatin e të riut, i cili në kushte të vështira ekonomike dhe për t’i ardhur në ndihmë familjes, zgjodhi të ikte në emigrim në Greqi. Mbrëmjen e së premtes familjarët mësuan se shoku i udhëtimit të 22-vjeçarit është gjetur i pajetë, por ende asnjë reagim nga Eri. Një fije shprese në sytë e familjarëve që ai të mund t’ia ketë hedhur, të ketë kaluar kufirin, por lajmi i hidhur i vdekjes së Kristian Çullhait duket sikur ka zbehur çdo gjë tek të afërmit e 22-vjeçarit Eri Pelivani.
Lutja e mamasë
Nëna e tij, Florika, me lot në sy kërkon ndihmë nga shteti për të gjetur djalin e saj, i cili në mënyrë të mistershme është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë. Ndonëse në një gjendje mjaft të rënduar psikologjike, gruaja gjen forcë brenda saj të tregojë historinë, duke kërkuar ndihmë. “Janë nisur bashkë me dy shokë të Kristianit nga Durrësi. Tani menjëherë që morëm këtë lajmin e vdekjes së Kristianit, u shqetësuam dhe ne, sepse edhe djali ynë ishte me të. Do të shkonin të punonin, donin të jetonin. Që atë ditë që ka ikur, ne nuk kemi komunikuar me djalin. Unë kërkoj nga shteti të më ndihmojë. Sido të jetë, djalin e dua këtu”, – thotë duke fshirë lotët. Dhimbja në familjen Pelivani tani është shtuar shumë, pasi vite më parë ai ka humbur edhe babain. Nëna vazhdon rrëfimin e saj: “Mezi i kam rritur. Për arsye familjare, nuk kemi të ardhura të shkojmë ta kërkojmë djalin. Nuk them dot se ka qenë me dokumente, pasaportën e mori, por nuk e di nëse e mori me vete apo e la diku. U nis me Kristian Çullhain dhe dy shokë të tij, ata nuk i njohim. Tani Kristiani u gjet i mbytur e ne nuk dimë gjë për djalin tonë. Edhe babain nuk e ka, ka që në vitin 2003 i humbur dhe ndoshta nga kjo e ka vrarë ndërgjegjja, donte… Çfarë të them unë. I lutem shtetit të më ndihmojë në këtë drejtim, të më gjejë djalin”, – lutet Florika.
Familja Çullhaj
Familja e të riut Kristian Çullhai, i cili u gjet i mbytur në Igumenicë në përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin për në Greqi, kërkon kthimin e turpit të djalit të tyre. Halla e Kristianit, Monda Çuko, u bën thirrje autoriteteve që të kthejnë në Fier trupin e djalit, i cili qëndron prej tri ditësh në morgun e Janinës. Zonja Çuko thotë se familjes i janë kërkuar 1000 euro për të rikthyer trupin e djalit, por ata nuk mund ta përballojnë këtë pagesë. “U nis në Greqi për bukën e gojës. Kërkojmë kthimin e trupit në Pojan. Të bëhet ekspertiza mjekoligjore edhe në Fier. Na kërkuan 1000 euro për kthimin e trupit. Shteti të na ndihmojë, nuk kemi mundësi financiare”, – deklaron halla e djalit. “Më njoftuan në degë dhe vajta; më njoftuan që është gjetur një person me këtë emër, me këtë kështu… Vajti dhe e verifikoi pastaj byrazeri i madh. Akoma s’kemi përgjigje se kur do vijë, kur do kthehet. Vajti 10 ditë. Nuk na lajmëroi para se të ikte”, – shprehet babai i Kristianit.
Denoncimi
Kristian Çullhai u nis përpara disa ditësh drejt Greqisë bashkë me 3 shokë të tij, të cilët gjithashtu nuk kanë komunikuar me familjet e tyre. Familja Pelivani në Fier denoncoi një ditë më parë zhdukjen prej 10 ditësh të djalit të tyre 22-vjeçar. Eri Pelivani ishte nisur ilegalisht drejt Greqisë me shokun e tij, Kristian Çullhai, dhe dy djem nga Durrësi. Familja Pelivani u bën thirrje autoriteteve që ta ndihmojnë për gjetjen e djalit. “Na informuan se një nga shokët e tij, Kristian Çullhai, u mbyt. Eri ishte bashkë me Kristianin. Shteti të na ndihmojë të gjejmë djalin. Nuk kemi mundësi financiare për kërkimin e djalit. Që prej vitit 2003 është zhdukur edhe i ati i Erit”, – u shpreh nëna e 22-vjeçarit.
Policia greke
Policia greke ka bërë të ditur se në Igumenicë është gjetur vetëm një person i mbytur, për të cilin nuk ka dijeni nëse ishte i shoqëruar apo jo. “Roja bregdetare ka gjetur në Igumenicë trupin pa jetë të një personi, i identifikuar si Kristian Çullhai. Nuk kemi dijeni nëse ishte i shoqëruar”, – thuhet në deklaratën e policisë greke.





