Debate në Kuvend/ Skandal me votimin te Siguria, miratim ligjesh pa kuorum dhe rrjedhje votash

Florenc Drizari

komisioni-i-siguricse Votohet tri herë projektligji, Noka: Manipulim i votës në sy të opinionit publik

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi dje disa projektligje në fushën e sigurisë, të armëve dhe trajtimit të gradave, ndërkohë që nismat u ndërmorën mes debatesh për çështjet e votimit dhe mungesën e kuorumit. Projektligj “Për shërbimin për ankesat dhe çështjet e brendshme, në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, hapi debatet e para mes pozitës dhe opozitës, ndërsa kundër nenit 73 të këtij ligji që trajton uljen në gradë në mënyrë të vullnetshme, dolën edhe deputetë të Partisë Socialiste.

Fillimisht, deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu, tha se askush nuk mund ta ulë në gradë dikush dhe se historia e uljes në gradë në mënyrë vullnetare është një shpikje shqiptare. “Nëse do të ngelet kështu siç është (neni 73), është shkelje flagrante e të gjitha principeve të sistemit të gradave në botë. S’ka ulje në gradë. Ulje në gradë bëhet si masë disiplinore e përkohshme ose me vendim gjykate si dënim plotësues. Nuk ka ulje vullnetare grade. Këtë nuk e gjen askund”, – deklaroi Ndreu. Deputeti Taulant Balla tha se do të ishte më mirë që neni të rrinte siç kishte ardhur ekzekutivi, ndërkohë që përfaqësuesit e ministrisë së Brendshme thanë se grada është atribut i punës që bën dhe se neni 73 është një lloj artifice për të rregulluar personelin për shkak të mungesës së vendeve të disponueshme. “Është rënë dakord që në mënyrë vullnetare të heqë dorë nga grada për kapjen e një vendi pune më të ulët. është për zgjidhje praktike të çështjes së personelit”, – theksuan ekspertët. Me këtë qëndrim nuk u pajtuan edhe deputetët e opozitës.

“Neni 73 nuk është as më shumë e as më pak se vetëm një rudiment i së shkuarës që nuk janë kujtuar ta heqin. Neni 73 sanksionon përdhunimin e SHKB-së dhe është antidemokratik sepse përdoret si një formë presioni nga eprorët ndaj një vartësi për të liruar vendet e punës”, – deklaroi nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, ndërsa deputeti i LSI-së, Luan Rama, tha se neni 73 duhet të hiqet, me përjashtim të rastit kur me vendim gjykate të formës së prerë ulesh në gradë.

Ndërkaq, në nenin 73 thuhet se kur shkurtohet numri i funksioneve organike për gradë për shkak të ndryshimeve në strukturën organizative të Shërbimit, punonjësi i Shërbimit i nivelit të parë dhe të mesëm drejtues, që mban gradën që i përket funksionit organik që do të shkurtohet, mund të kërkojë, në mënyrë vullnetare, uljen një gradë më poshtë kur ka vende të lira.

 

VOTIMI NË KOMISION

Qëndrimet kundër nenit 73 në projektligj “Për shërbimin për ankesat dhe çështjet e brendshme, në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, shkaktuan konfuzion mes radhëve të socialisteve në votimin në tërësi të këtij ligji. Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho, u detyrua ta hidhte për votim 3 herë nenin 73 të këtij projektligji. Fillimisht u votua pro heqjes së këtij neni, ndërsa pas qëndrimit kundër që mbajti deputeti socialist Taulant Balla, votimi u përsërit edhe dy herë të tjera, deri sa numrat dolën të barabarta, nëntë me nëntë. Kjo bëri që 5 deputetët e opozitës të largoheshin nga salla e mbledhjeve të Komisionit të Sigurisë dhe pas tyre edhe deputeti socialist Pjerin Ndreu. Largimi nga mbledhja i deputetëve solli mungesë kuorumi për votimin në tërësi të projektligjit për shërbimin, çështjet e brendshme dhe ankesat. Nga 19 deputetë që ishin në mbledhje, pas largimit të 5 deputetëve të opozitës dhe një deputeti nga PS, mbledhja e Komisionit të Sigurisë zhvilloi punimet me 13 deputetë, duke mos plotësuar numrin e nevojshëm për votimin e projektligjeve si: Projektligji për “Përdorimin e armëve të zjarrit” dhe projektligji për shërbimin privat të sigurisë fizike.

 

 Debatet për votimin dhe largimi i deputetëve nga mbledhja

 Stërkaj: Bashkohem me vërejtjet e Pjerinit, Nokës dhe Ramës, por ky ligj bën fjalë për një personel të vogël. Propozon që ky nen të kalojë siç është dhe të rregullojmë sistemin e gradave më pas.

Braho: Është propozuar që neni 73 të hiqet. Kush është dakord? 18, u hoq.
Balla: Unë jam kundër heqjes.
Braho: Edhe një herë. Kush është dakord të hiqet? 10 pro. Kundra? 9.
Balla: Ore, sa jemi ne?
Noka: 10.
Balla: Po si 10?! Ne jemi 17 veta në sallë.
Çuko: Na dolët 20.
Braho: Edhe një herë atëherë. Kush është pro?
Noka: Jo, jo. Nuk bëhet kjo.
Braho: Po prit ore njëherë. Ka të drejtë të kërkojë rinumërim ai.
Noka: Është votim çfarë të drejtë ka ai.
Deputet: Zoti kryetar, me votim keni ra.
Braho: Edhe një herë. Kush është kundër nenit 73?
Noka: Si kundër?
Braho: Të hiqet pra. 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9. Kush është pro qëndrimit të nenit? 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9. Atëherë do të shkojë me dy variante.
Noka: Kjo që po ndodh këtu është e turpshme. Të fusësh komisionin 3 herë në votim për arsye se varianti që mbronte zoti Balla ra, ky është manipulim i votës dhe kjo kur ndodh në sy të kamerave në një komision, vaj medet se çfarë mund të presim nesër prej jush. (çohen nga Komisioni 5 deputetët e opozitës)
Braho: Nuk ka asgjë të turpshme, kjo është brenda transparencës. Votimi që i rregullt 9 me 9. Komisioni nuk merr vendim dhe këtë e vendos seanca.
Noka: Në sy të kamerave dhe në sy të opinionit publik i manipulove.
Braho: Pjerin, o Pjerin, po prit mor burrë. Votimi në parim dakord? Miratohet.

 

Neni 73/ Ulja në gradë dhe funksion

 1. Kur shkurtohet numri i funksioneve organike për gradë për shkak të ndryshimeve në strukturën organizative të Shërbimit, punonjësi i Shërbimit i nivelit të parë dhe të mesëm drejtues, që mban gradën që i përket funksionit organik që do të shkurtohet, mund të kërkojë, në mënyrë vullnetare, uljen një gradë më poshtë kur ka vende të lira.

2. Me krijimin e vendeve të lira për gradë, punonjësi i Shërbimit, që ka kërkuar uljen në gradë, rimerr brenda 2 vjetëve gradën e mëparshme, sipas të njëjtit kusht, të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, për të njëjtin funksion që ka pasur ose në një funksion të barasvlershëm me të.

3. Në rastet e riorganizimit strukturor të Shërbimit, për mungesë funksioni organik që nuk përputhet me gradën që mban punonjësi, me pëlqimin e punonjësit, atij i krijohet mundësia e kryerjes së shërbimit në një funksion më të ulët duke mbajtur gradën që ka, por jo më shumë se 1 vit. 29

4. Lejohet një mospërputhje gradë-funksion në Shërbim deri në masën 10 % të personelit të sistemit të gradave.

 

 

 

Share it :