Të gjithë e dinë se çdo individ reagon në mënyrë krejt të ndryshme ndaj të njëjtave ngjarje. Aq shumë e pati mbërthyer Xhenin frika nga provimi i radhës që afronte, sa nuk vuri gjumë në sy tërë natën e kaluar dhe tani po çapit drejt sallës së provimit, duke u dridhur nga tmerri. Shoqja e saj, Barbara, e cila po ashtu do të japë të njëjtin provim, as e ka prishur fare terezinë.
Është krejt e qartë se reagimi i një personi ndaj ngjarjeve nuk shpjegohet tërësisht me vetë ngjarjen, por i detyrohet diçka edhe vetë personit. Megjithatë, në vend që të ndalojnë e të shohin te bindjet e vetëdijshme të personit (p.sh. bindjet e Xhenit për provimin), terapistët shpesh përpiqen që këto ndjenja dhe veprime të personit t’i shpjegojnë me anë të gjendjes “së pavetëdijshme” të mendjes së tij.
Zigmund Frojdi e zhvilloi këtë mënyrë shpjegimi të sjelljeve njerëzore qysh në fillim të shekullit XX, një metodë kjo e trumbetuar nga shumë filma hollivudianë që nga viti 1930 e këtej. Frojdi besonte se ndjenjat dhe veprimet tona shkaktohen nga impulset “e pavetëdijshme” – gjëra që ekzistojnë në mendjen tonë – por rreth të cilave ne nuk jemi në dijeni. Mendjet tona janë plot e përplot me forca të errëta e të kamufluara, për ekzistencën e të cilave ne jemi zakonisht të pavetëdijshëm. Si kanë hyrë atje këto forca misterioze? Ato, gjoja e kanë zanafillën qysh nga përvojat dhe përjetimet e fëmijërisë sonë.
Frika e Xhenit ndaj provimit mund të shpjegohet me rastësitë që i kanë ndodhur në fëmijërinë e hershme. Frojdi besonte se mënyra për ta kuruar Xhenin do të ishte që të rrëmoje nëpër kujtimet e varrosura të këtyre rastësive, ta bëje Xhenin që t’i nxirrte ato e me këtë t’i tregonte asaj se si ia kishin shkaktuar ankthin e tanishëm për provimin. Ky rrëmim nëpër “mendjen e pavetëdijshme” të Xhenit mund të jetë një proces i gjatë dhe i kushtueshëm. Terapisti e nxit klientin që të rindërtojë disa nga rastësitë e fëmijërisë, por, duke pranuar njëkohësisht edhe teorinë e terapistit se si e qysh qenkëshin të lidhura ato rastësi me problemet e tanishme të tij.
Kjo metodë e zgjidhjes së problemeve njerëzore është bërë tepër e njohur dhe mjaft individë presin që terapisti të shfaqë interes ndaj hollësive të fëmijërisë së tyre. Por në fakt, nuk kemi as mbeturinat e ndonjë dëshmie të fortë e të qëndrueshme, e cila do të mund të na rrëfente se kujtimet e anktheve të fëmijërisë së hershme paskëshin ndopak lidhje me vështirësitë e vazhdueshme emocionale të personit. Edhe nëse arrijmë t’ia zbulojmë ato ankthe, nuk është se kjo gjë do ta ndihmonte tani personin. Madje, edhe në ato raste, kur problemet e tij aktuale kanë vërtet një lloj lidhje me përvojat e pakëndshme të së shkuarës, është pikërisht mënyra e tanishme e të menduarit të këtij personi rreth atyre përvojave, e cila ia shkakton dëmin dhe jo vetë përvoja.
Teoria se ndjenjat dhe sjelljet tona u komanduakan nga forca “të pavetëdijshme”, jo vetëm është e pathemeltë, por mund të jetë e dëmshme. Nëse njerëzit me probleme do ta besonin këtë teori, ato do të demoralizoheshin. Kjo teori u sugjeron njerëzve me probleme emocionale se ata nuk janë gjë tjetër veçse marioneta në duart e ca forcave të errëta, të cilat jo vetëm nuk mund t’i komandojnë, por madje as t’i njohin dot. Në vend që t’i inkurajojë klientët me idenë e ndjesisë se janë ata vetë përgjegjës të problemeve të tyre dhe se prandaj e kanë mundësinë që të bëjnë drejtpërsëdrejti diçka, kjo teori i ngulit individit në mendje sikur ai qenkësh krejt i pashpresë e madje i çmendur. Në fakt, kjo teori e shtyn individin që ta braktisë luftën për të qenë efikas dhe racional.
Një thirrje për ndihmë
Si mund të ndihmohet dikush që ka arritur në vetëplagosje? Hapi i parë konsiston në njohjen në kohë të simptomave, përpara se pasojat të bëhen dramatike. Vetëplagosja është sinjali i një bllokimi të procesit evolutiv, të një shqetësimi që adoleshentin nuk është në gjendje ta menaxhojë dhe as ta shprehë. Por duke sulmuar veten, lëshon alarmin. Duhet të mësosh të dëgjosh, për të bërë mundur që të ndërhysh në mënyrë të vrullshme. Zakonisht kush e plagos veten, tenton të plagoset gjithnjë e më shumë dhe të kalojë nga një mënyrë vetëplagosjeje tek tjetra (nga plagosjet tek shqetësimet ushqimore, tek përdorimi i substancave narkotike dhe alkoolit). Kurat janë të ndryshme nga rasti në rast. Vetëplagosja shpesh është një simptomë e një shqetësimi të personalitetit. Individualizohet patologjia nga e cila vuan ai që vetëplagoset, për të zgjedhur terapinë më të mirë, nga analiza e ilaçeve, por vetëm në rastet më të rënda. Sikurse S. që ende nuk ka mësuar të jetë e lumtur, por ka filluar të ecë me këmbët e saj, të ketë besim tek vetja, të mos ia delegojë të tjerëve ekuilibrin e saj emotiv. Dhe nuk pritet më.





