Korçë/ U arratisën nga burgu i Drenovës, kërkojnë gjykim të shkurtuar

Sonila Mesareja

 burgu i drenovesKërkesa pranohet nga Prokuroria, Gjykata do të shprehet seancën e radhës. Të arratisurit dje bashkëpunëtorët e tyre përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit

Të arratisurit nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës dhe bashkëpunëtorët e tyre kërkojnë të gjykohen me gjykim të shkurtuar nga Gjykata, duke përfituar në këtë mënyrë ulje të një të tretës së dënimit. I vetmi që kërkoi ndarjen e çështjes, mbrojtjen e vetes në gjykim apo një avokat dhe kalimin në burg të sigurisë së lartë dhe jo qëndrim në qelitë e paraburgimit, ka qenë i arratisuri Artur Gora. Kjo kërkesë e të pandehurve u pranua edhe nga Prokuroria, ndërsa Gjykata e gjendur përballë dy kërkesave, asaj të pjesës më të madhe të të arratisurve dhe bashkëpunëtorëve të tyre që kërkuan gjykim të shkurtuar dhe njërit prej tyre që kërkon veçim të çështjes, vendosi të shprehet në seancën e radhës. Për këtë arsye, seanca u shty, ndërsa në sallën e gjyqit mungonin të arratisurit Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri, të cilët përfaqësoheshin në gjykim nga avokatët e tyre.

 

Kërkesa

Fillimi i seancës së djeshme në Gjykatën e Korçës për të arratisurit e bujshëm nga burgu i sigurisë së lartë të Drenovës është shoqëruar me dy kërkesa. Pala mbrojtëse e pjesës më të madhe të të dënuarve kërkoi për klientët e tyre që të procedohet me gjykim të shkurtuar, pretendim ky që është pranuar edhe nga Prokuroria. Ndërkohë, i dënuari Artur Gora, në fjalën e tij tha se nuk ka nevojë për avokat dhe se do të mbrohet vetë. Ai kërkoi që çështja e tij të gjykohej më vete, ndërsa shtoi se kërkon që të transferohet në burgun e sigurisë së lartë dhe të vuajë dënimin dhe jo të qëndrojë ende në qelinë e paraburgimit. Lidhur me marrjen e një vendimi të tillë si dhe asaj të kërkesës nga pala mbrojtëse për gjykim të shkurtuar, gjykata mori vendimin që seanca gjyqësore të shtyhet dhe të shprehet seancën e radhës. Në seancën e djeshme munguan të dënuarit Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri, të cilët nuk kishin pranuar të vinin, ndërsa i pranishëm ishte vetëm Artur Gora. Ndërkohë, nga bashkëpunëtorët që ndihmuan nga jashtë burgut nuk ishin të gjithë. Në seancë ishin Olsian Maçi, Albi Mançini, Ervis Lami dhe Bledian Deda, ndërsa mungoi Alfred Qefalia, i cili sipas gjykatës është larguar për në Greqi.

 

Akuza

Të pandehurit akuzohen për disa akuza, që nga largimi prej burgut, mbajtja e armëve të zjarrit, bashkëpunimi për largim nga burgu etj. Ngjarja për të cilën akuzohen të arratisurit dhe bashkëpunëtorët e tyre ka ndodhur në nëntor të vitit të kaluar, kur shtatë të dënuarit me burgim të rëndë, të ndihmuar edhe nga katër bashkëpunëtorë nga jashtë, por duke shfrytëzuar edhe neglizhencën, pse jo duke pasur edhe ndonjë bashkëpunim nga brenda prej gardianëve, arritën të arratiseshin nga burgu i sigurisë së lartë të Drenovës. Katër prej tyre u arrestuan nga policia pa mbushur 24 orë, ndërkohë që tre u arrestuan nga policia greke. Menjëherë u identifikuan edhe bashkëpunëtorët e tyre nga jashtë burgut, të cilët u vunë në pranga menjëherë. Të njëjtin fat patën edhe gardianët, 24 prej tyre, pjesa më e madhe e të cilëve tashmë janë dënuar nga Gjykata e Korçës, me burg apo me dënim alternativ.

 

 Durrës/ I komunikohet masa në spital, “Arrest me burg” biznesmenit Enver Shaba

 Gjykata e Durrësit ka caktuar dje masën “Arrest me burg” për biznesmenin Enver Shaba. Ndaj të akuzuarit Shaba rëndon akuza për ndërtime të paligjshme. Nga burime pranë Gjykatës së Durrësit mësohet se seanca e djeshme është zhvilluar në ambientet e spitalit të Durrësit, ku është i shtruar Enver Shaba. Sipas informacioneve, 46-vjeçari është shtruar në spital, në repartin e kardiologjisë, për shkak të problemeve me shëndetin. Policia e ka arrestuar Shabën 19 ditë pas shembjes së objektit 8-katësh, si pronari i pallatit në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Masa e arrestit me burg për Shabën erdhi pas hetimeve të kryera ku u konstatua se objekti ishte ndërtuar nga shtetësi Enver Shaba (Shala) dhe për këtë shkak është proceduar me datë 13.5.2014 për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”. Ndërkohë nën akuzë është vënë edhe shtetasi Fiqiri Dema me detyrë, kryeinspektor i INUV me akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për prishjen e këtij objekti. Objekti 8-katësh në pronësi të 46-vjeçarit Enver Shaba u shemb me shpërthim të telekomanduar në datën 29 maj nga INUK dhe forcat e policisë.

 

Hetimi/ Ngrihet akuzë e re për “Pastrim parash” për gjyqtarin Pojanaku

 Një tjetër akuzë e re rëndon tashmë mbi gjyqtarin Dhimitër Pojanaku. Burime nga akuza bëjnë me dije se tashmë gjyqtari do të hetohet edhe për “pastrim parash”. Pak muaj më parë, Pojanaku u arrestuar, pasi u kap në flagrancë duke marrë ryshfet, por që më pas u lirua nga Gjykata e Apelit. Aktualisht, Dhimitër Pojanaku po hetohet në gjendje të lirë. Gjyqtari Dhimitër Pojanaku u arrestua në kushtet e flagrancës muaj më parë teksa ishte duke marrë një sasi lekësh nga një qytetare për mbylljen e një çështjeje. Shtetasja me iniciale B.R. ka denoncuar gjyqtarin në Prokurorinë e Korçës. Ajo ka deklaruar se Pojanaku i kishte kërkuar para, për të mbyllur një çështje që ishte hapur me një padi civile. Mësohet se gjyqtari 58-vjeçar i kishte kërkuar gruas 500 mijë lekë të vjetra në këmbim të mbylljes së çështjes. Sipas të njëjtave burime, mësohet se Pojanaku i kishte caktuar gruas datën 13 prill për dhënien e parave. Në pamundësi për të dhënë të gjitha paratë njëherësh, gruaja i ka dhënë atij vetëm gjysmën e parave të kërkuara në 13 prill, duke i premtuar se brenda pak ditësh do siguronte edhe shumën tjetër. Gjyqtari dhe qytetarja janë takuar në një prej lokaleve të Pogradecit. Por ndërsa gruaja i ka dhënë paratë Pojanakut, atij i janë vënë prangat. Por vet gjyqtari Pojanaku i ka mohuar akuzat.

Share it :