Është Brazili favoriti absolut për të triumfuar në Botëror, të paktën kështu mendojnë ata që në lojë vënë paratë. Për kompanitë kryesore të basteve në botë, do të jetë kombëtarja braziliane ajo që do të triumfojë në datën 13 korrik në stadiumin mitik “Maracana”. Pjesa më e madhe e kompanive të basteve e kuotojnë me keofiçentin 3 suksesin final të 5-herë kampionëve të botës. Pra nëse vendos bast 1 euro për fitoren e Brazilit te kompani të tilla “Paddy Power”, “William Hill”, “Bet365”, “Betfair” etj. fiton 3 euro, diçka më shumë e koutojnë suksesin e “Seleçaos” kompani të tilla si “Winner” e “Sky Bet”. Menjëherë pas vendit organizator qëndron Argjentina. Bookmakers-at e ndryshëm shohin te përfaqësuesja bardhekaltër kandidaten e dytë serioze për të triumfuar në Botëror. Ashtu si me Brazilin, edhe me “La Selecion” kompanitë e basteve ndjekin të njëjtën linjë, pasi ofrojnë kuota pothuajse të njëjta për suksesin e tretë të Argjentinës në një Botëror. Nëse vendos bast për fitoren e Lionel Mesit me shokë, fiton 4-fishin e shumës fillestare. Menjëherë pas Argjentinës qëndrojnë kampionët në fuqi të Spanjës dhe 3-herë kampionët e botës, Gjermania. Suksesi i “La Rojas” për bookmakers-at e “Betfair”, “Bet365”, “William Hill” e “Paddy Power” kuotohet me koefiçentin 6,5, ndërsa afërisht njësoj paguhet edhe triumfi i “Die Manschaft”. Skuadra e 5-të favorite për të fituar Kupën e Botës është Belgjika, ndërsa pas “djajve të kuq” qëndrojnë në radhë përfaqësuese që kanë arritur ta fitojnë të paktën njëherë Botërorin si Franca, Italia, Uruguai e Anglia me Portugalinë në mes të tyre. Renditjen e pretendenteve e mbyllin kombëtare të tilla si Algjeria, Australia, Irani, Kosta Rika e Hondurasi, pasi fitorja e ndonjërës prej këtyre skuadrave e shumëzon me koefiçentin 1000 bastin e vënë. Sa i përket çiftit finalist, kompanitë kryesore të basteve japin si më të sigurt një finale ndërmjet fqinjëve amerikano-jugorë me Brazilin e Argjentinën që do të vihen përballë në “Maracana”. Brazili është favoriti kryesor i këtij kompeticioni, për shkak të forcës së skuadrës dhe faktit që luan në shtëpi. Argjentina gjithashtu i bashkohet, prej ekipeve të Amerikës së Jugut, duke i bashkëngjitur edhe favorizimin prej kushteve klimaterike. Nga Evropa, listën e kryeson Spanja, e shoqëruar nga Gjermania, Italia apo edhe Holanda.
Dueli për lojtarin më të mirë
Nejmar dhe Lionel Mesi parashikohet të kenë një duel të fortë, jo vetëm për të qenë yjet e këtij kompeticioni, por edhe për “Këpucën e Artë”. Kjo, për faktin se janë lojtarët që kanë më tepër liri, përkatësisht te Brazili e Argjentina, ekzekutojnë goditjet e dënimit dhe penalltitë. Ndërmarrin aksione individuale dhe loja e skuadrës bazohet tek ata. Një tjetër element që ua shton mundësinë është edhe grupi i lehtë, çka, në raste goleadash, pritet të jenë edhe emrat që do shënojnë më tepër.





