Gëzim Saliu
Rikthimi në pushtet/ Basha: Statusi, meritë e PD-së, testi i qeverisë është hapja e negociatave me BE-në
Kreu i PD-së: Qeveria ka dyfishuar zullumet. Opozitarizmi ynë, arsye më shumë për statusin
Partia Demokratike e Shqipërisë do të nisë një bashkëpunim të ri me kristiandemokratët gjermanë të drejtuar nga Kancelarja Merkel, ku në qendër të projektit do të jetë ekspertiza për programin elektoral të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, organizimi i fushatës e deri tek përgatitja dhe trajnimi i drejtuesve të rinj. Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kreu i PD-së bëri të ditur dje detaje të këtij bashkëpunimi, ku nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së kristiandemokratëve gjermanë në ringritjen dhe rikthimin si fitimtarë të forcës kryesore opozitare me zgjedhje të lira e të ndershme. “Ne jemi duke i dhënë formë bashkërisht një projekti trevjeçar bashkëpunimi dhe asistence të gjithanshme nga ana e miqve gjermanë për zhvillimin me sukses të projektit tonë për përgatitjen dhe trajnimin e vazhdueshëm të drejtuesve të rinj dhe jo vetëm të rinj të partisë nga niveli i seksionit e deri në nivelin e strukturave qendrore, për identifikimin dhe bazën më të mirë të personaliteteve nga shoqëria civile dhe bota universitare-akademike dhe intelektuale që dëshirojnë t’i bashkëngjiten përpjekjes sonë opozitare sot dhe alternativës sonë fituese nesër, për ekspertizën e alternativës dhe programin tonë elektoral, për organizimin e fushatës sonë elektorale e tjerë”, – tha Basha. Më tej, duke folur për vizitën e tij në Gjermani, kryedemokrati tha se kristiandemokratët gjermanë, si një shtyllë e Partisë Popullore Evropiane, kanë qenë ndër vite afër Partisë Demokratike si në pushtet ashtu edhe në opozitë. “Nga kjo vizitë unë vij me njohjen me nota shumë pozitive prej tyre të kontributeve që ka dhënë qeveria e PD-së për demokracinë në vend, të zhvillimit prej saj vitin e kaluar të zgjedhjeve më të mira në historinë e demokracisë shqiptare, të kalimit demokratik dhe civil të pushtetit në duart e ish opozitës fituese të atyre zgjedhjeve, të projektit tonë të nisjes së re, ringritjes dhe rikthimit parti e shumicës përmes një opozitarizmi të fortë të mbështetur në fakte dhe argumente, nëpërmjet ribashkimit, hapjes, përtëritjes dhe reformimit të Partisë Demokratike nëpërmjet alternativës sonë të re së re për Shqipërinë”, – theksoi lideri i opozitës.
Statusi
Ndërkohë, në fjalën e tij para deputetëve demokratë, Basha deklaroi se testi i qeverisë lidhur me procesin e integrimit evropian të vendit nuk është marrja e statusit kandidat, por hapja e negociatave për anëtarësim me BE-në. Sipas kryeopozitarit, qeveria nuk ka shënuar asnjë arritje në këta muaj dhe se gjeti gjithçka gati me përmbushjen e kritereve nga ekzekutivi i kaluar i kryesuar nga demokratët. “Kemi bindjen se axhenda e brendshme demokratike është vendimtare për hapjen e negociatave. Apelojmë për përshpejtim në këtë drejtim. Qeverisë së majtë nuk i mbeti vetëm ta merrte statusin, tani është detyrë e dyshes Rama-Meta të përmbushë kriteret për hapjen e negociatave, ky është testi i saj”, – u shpreh Basha, duke theksuar se me opozitarizmin e këtyre muajve, PD-së i ka dhënë një provë vendimtare pse Shqipëria e meriton statusin kandidat. Ndërkaq, Basha pohoi se kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Tahiri do hynë në histori vetëm se i kanë hapur rrugë gjobave dhe krimit në policinë e shtetit. “Rama e Tahiri e kanë prenotuar bindshëm një vend në histori, të gjobave dhe krimit në polici. Me Ramën në krye, krimi i ka shpallur luftë shtetit, vlerave, demokracisë e zgjedhjeve”, – deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Zgjedhjet në Kosovë/ Kreu i PD-së: Progres i ri, me standarde evropiane, përgëzoj Thaçin dhe partitë e tjera
Në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, kreu i PD-së, Lulzim Basha, përshëndeti zhvillimin me sukses të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, duke vlerësuar arritjen e standardeve evropiane. “Me kënaqësi të veçantë kemi konstatuar nga ajo që kanë thënë vëzhguesit ndërkombëtarë, mediat, institucionet zgjedhore në Kosovë, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, vetë përfaqësuesit e subjekteve politike në këtë garë se këto zgjedhje shënuan një progres të ri në rrafshin e standardeve në përgjithësi dhe të gjithëpërfshirjes së pakicave në veçanti. Këto zgjedhje janë një hap tjetër i madh dhe një tregues tjetër shumë domethënës i pjekurisë dhe përparimit të Republikës së Kosovës në rrugën e demokracisë dhe integrimit euroatlantik të vendit, në rrugën e forcimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të shtetit dhe institucioneve të Kosovës”, – theksoi Basha. Më tej, në emër të PD-së, Basha përgëzoi PDK-në dhe Kryeministrin Thaçi për vendin e parë si edhe të gjitha partitë e tjera politike në Kosovë. “Për Partinë Demokratike, Kosova në rrugë të mbarë ka qenë dhe mbetet interes vendimtar i kombit tonë dhe rajonit tonë në rrugën e integrimit evropian dhe euroatlantik”, – pohoi ai.
Komision për emërimet në administratë/ PD drejt Kushtetueses, Paloka: S’ka asnjë negociatë me mazhorancën
Edhe pse votimi i komisionit hetimor për emërimet në administratë u shty me arsyetimin e gjetjes së një kompromisi të mundshëm mes mazhorancës dhe opozitës, deri më tani nuk është zhvilluar asnjë seancë negocimi mes palëve. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, deklaroi dje se tha se qëllimi i shtyrjes së votimit nuk ishte konsensusi, por tentativa për ta penguar ngritjen e komisionit hetimor. “Nuk ka pasur asnjë negociatë. Besoj që edhe shtyrja e votimit pavarësisht nga ajo që tha kreu i parlamentit nuk ka pasur qëllim arritjen e marrëveshjes, po idenë që opozita e mazhoranca po bëjnë përpjekjen të merren vesh në kuadër të statusit. Kërkesa është absurde, ato thonë do bëjmë komision hetimor, por do hetojmë atë që duam ne”, – theksoi Paloka për “Ora News”. Ndërkaq, PD bën të ditur se nuk do të negociojë për ndryshim të objektit të hetimit, duke theksuar se kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor për emërimet në administratë është e drejtë legjitime e opozitës. “I kemi bërë të qartë qëndrimin tonë, është e drejtë kushtetuese dhe së fundi është e drejtë e opozitës që e ka theksuar edhe Gjykata Kushtetuese me vendim”, – nënvizoi ai. Në rast në seancën e së enjtes në Kuvend, mazhoranca do të rrëzojë kërkesën e opozitës për komision hetimor, të djathtët do ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të marrë zgjidhjen e duhur lidhur me këtë çështje.
Me dyer të mbyllura/ Statusi, Basha-deputetëve: Deri në fund të qershorit s’ka protesta, beteja në Kuvend
Partia Demokratike dhe opozita nuk do të zhvillojnë protesta popullore kundër qeverisë deri në fund të qershorit kur pritet të merret vendimi i Bashkimit Evropian për statusin kandidat ndaj Shqipërisë. Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, në pjesën pa media, mësohet nga burime pranë selisë blu se Basha ka bërë të ditur para deputetëve, pushimin e aksionit protestues për shkak të axhendës së integrimit, duke u kërkuar ligjvënësve demokratë që të përqëndrohen tek zgjedhjet në pritje të mbledhjes së Këshillit Europian në fund të këtij muaji. Ndërkaq mësohet se kryedemokrati dhe deputetët e djathtë kanë rënë dakord në mbledhje që debati me mazhorancën të përqëndrohet në Parlament, kryesisht në çështje të kanë të bëjën me zhvillimet e fundit politike në vend, shkeljet e qeverisë si edhe situatën ekonomike. “Beteja jonë me mazhorancën do të vazhdojë të jetë e fortë dhe ballore, duke vënë në dukje të gjitha sjelljet dhe vendimet antikushtetuese të saj”, mësohet të jetë shprehur Basha. Po ashtu një tjetë vendim i grupit ishte edhe ai i të qënit aktiv në të gjitha komisionet parlamentare, duke ndërprerë marrëdhëniet e kushtëzuara.





