Masa e arrestit / Shitja e armëve killerit, mohon Mexhaj: Nuk e njoh Julian Sinanaj

Sonila Mesareja Dëshmia në gjykatë: Nuk e njoh Ndriçim Gjokonën, nuk i kam shitur armë atij apo Sinanaj

 

urlAlbin Mexhaj, i akuzuar se i ka shitur armë killerit Julian Sinanaj, armë me të cilat do vriste biznesmenin Piro Bare dhe të tjerë, nuk ka pranuar asnjë nga akuzat. Ai ka reaguar në sallën e gjyqit duke deklaruar se “nuk e njoh Julian Sinanaj, nuk i kam shitur armë atij. Nuk e njoh as Ndriçim Gjokonën”. Por, pavarësisht deklarimeve të tij, gjyqtarja Ilirjana Olldashi ka lënë në fuqi masën e arrestit marrë në mungesë, duke e lënë në burg për dy akuzat, “trafiku i armëve” dhe “furnizimin me armë” të serial killerit Sinanaj, ndërkohë që kanë qenë vetë Sinanaj e Gjokona që kanë identifikuar shitësin e dy pistoletave. Në përfundim të masës së arrestit, ka reaguar avokati i tij i cili u shpreh për gazetarët se “akuzat ndaj klientit tim nuk qëndrojnë, janë absurde. Do të kërkoj ndryshimin e masës”. I pyetur mbi ndonjë njohje të mundshme të Mexhaj me Julian Sinanaj apo dhe Ndriçim Gjokonën, avokati u shpreh se “klienti im deklaroi se nuk njeh as Sinanaj dhe as Gjokonën”. Ndërkohë që dy ditë më parë, Albin Mexhajt iu komunikua akuza në burgun 302 në Tiranë, ku ai ndodhej prej muajit shkurt për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”. Akuza Prokurori ka kërkuar nga gjykata mosndryshimin te masës së sigurisë për të akuzuarin, duke saktësuar për togat e zeza se Mexhaj i ka shitur dy pistoleta dhe një antiplumb Julian Sinanajt. “Në mes te armëve të sekuestruara në banesën e Sinanajt, janë gjetur edhe dy pistoleta dhe antiplumbi” ka deklaruar përfaqësuesi i akuzës në seancë. Këto armë, sipas dëshmisë së Gjokonës dhe Sinanajt, i janë blerë të dyshuarit Albin Mexhaj në Vorë, të cilin e kanë identifikuar, pasi prokurorët, i kanë vënë në dispozicion foton e tij. Më tej gjatë leximit të akuzës, prokurori dha edhe detaje rreth çimit me të cilin ishin blerë dy pistoletat. Sipas tij, për një pistolete, Sinanaj ka paguar 350 euro, ndërsa për tjetrën 450 euro. Sipas prokurorit, njërën prej këtyre armëve, Sinanaj e kishte me vete ditën që do të vriste biznesmenin e gazit Pirro Bare. Pas leximit të kronologjisë së ngjarjes, Gjykata vendosi të lërë në qeli Mexhajn, duke e akuzuar për “trafik të armëve dhe municioneve luftarake“ në bashkëpunim. Hetimi Gjatë hetimeve disa mujore, nisur edhe nga dëshmitë e Gjokonës dhe Sinanaj, mësohet se 29-vjeçari dyshohet se i ka shitur Sinanajt dy pistoleta dhe një jelek antiplumb me ndërmjetësimin e të penduarit Ndriçim Gjokona. Mësohet se Albin Mexhaj është arrestuar në shkurt të këtij viti për “armëmbajtje pa leje”, pasi në momentin e arrestimit i janë gjetur 3 pistoleta. Nga hetimet e deritanishme të grupit hetimor rezulton e faktuar se 29-vjecari nga fshati Gërdec dhe me origjinë nga Puka, i ka shitur Julian Sinanjt 2 pistoleta dhe një jelek antiplumb, të cilat janë gjetur në shtëpinë e këtij të fundit, pas arrestimit të tij. Edhe në shitjen e armëve nga Mexhaj te Sinanaj, ndërmjetës mes tyre është Ndriçim Gjokona, i penduari i drejtësisë në këtë histori.

Zbardhet krimi i një dite me parë Prokuroria: Vrasja për gjakmarrje, në shënjestër Nezir Shega Viktima Enver Barbullushi u vra gabimisht, dëshmitarët: Djali i viktimës u tha që mos i qëllonin Sonila Mesareja Një ditë pas ngjarjes së ndodhur në një karburant në Shkodër, ku mbeti i vrarë Enver Barbullushi dhe të plagosur djali dhe kushëriri i tij, zbardhet motivi dhe shënjestra e këtij krimi. Sipas burimeve zyrtare të akuzës së këtij qyteti, babë e bir, Enver e Samet Barbullushi ishin gabimisht në vendin e ngjarjes, pasi shënjestra ishte Nezir Shega, kushëriri i tyre. Prokuroria e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen e të premtes mbrëma ku mbeti i vdekur një person dhe dy tjerë u plagosën. Sipas burimeve nga organi i akuzës së Shkodrës bëhet fjalë për një atentat ndaj 46-vjeçarit Nezir Shega. Dinamika e krimit Prokuroria e Shkodrës ka dhënë disa detaje nga dinamika e krimit. Kanë qenë kamerat e sigurisë së karburanit ku ndodhi ngjarja që hodhën dritë mbi ngjarjen dhe detajet e veprimeve të kryera nga dy autorët e krimit. Pas kqyrjes së kamerave të sigurisë në pikën e karburantit, mësohet se dy persona të maskuar me një automjet tip golf kanë kryer ekzekutimin e 52-vjeçarit Enver Barbullushi dhe plagosur dy të tjerët. Fillimisht, nga automjeti ka dalë pasagjeri i maskuar dhe me armë tip automatike duke qëlluar në drejtim të 46-vjeçarit Shega. Viktima Enver Barbullushi, i ndodhur në afërsi të tij, ka tentuar t’i marrë armën e zjarrit, duke u përleshur me atentatorin dhe në këtë moment, shoferi edhe ky me maskë, del nga makina me pistoletë dhe ekzekuton 52-vjeçarin Barbullushi. Më pas qëllon edhe dy herë ndaj Nezir Shegës dhe Samet Barbullushit dhe largohen nga vendi i krimit. Rreth 1 orë më vonë, në fshatin Mali Hebe të Berdicës u gjet i djegur automjeti tip Golf i cili ishte me targa të huaja, ndërsa mësohet se i është fshirë edhe numri i shasisë. I njëjti automjet kishte rreth 1 javë që është futur në Shqipëri nga Italia. Sipas Prokurorisë dhe hetimeve të grupit hetimor, rezulton se Enver Barbullushi është viktimë e rastësishme e një atentati të planifikuar mirë, pasi dyshohet se atentatorët janë profesionistë. Ngjarja Një person humbi jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur gjatë një shkëmbim zjarri në Shkodër. Ngjarja ndodhi rreth orës 20: 30 të së premtes tek tregu i makinave në lagjen “Bahçallëk” në Shkodër. Viktima Enver Barbullushi ndërroi jetë në spital ndërsa i biri, Samet Barbullushi dhe kushëriri i tij Nezir Shega, aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet e para, policia bëri me dije se tre personat ndodheshin në një lokal kur edhe janë qëlluar nga disa persona të tjerë ende të paidentifikuar që po udhëtonin më një makinë. Automjeti i krimit u gjet një orë më pas i braktisur dhe djegur në Velipojë.   Dëshmitarët Enveri ndërhyri për të mbrojtur të birin, kujtoi se po qëllonin atë Pas ngjarjes, policia ka marrë në pyetje disa klientë të lokalit ku ishin ulur tre personat e përfshirë në ngjarje, dëshmitarë të skenës së krimit. Ta kanë rrëfyer për grupin hetimor se në momentin e ngjarjes kur po qëllohej me breshëri automatike, djali iu lut autorëve: “Aman mos na qëlloni”. Sipas dëshmitarëve, kanë qenë katër persona, të cilët me një automjet tip Volsvagen me targa Italiane janë futur brenda pikës së karburantit, ndërsa njëri prej tyre ka qëlluar me kallash në drejtim të 46-vjeçarit Nezir Shega, i cili ishte ulur në lokal në një tavolinë me kushëririn e tij, Samet Barbullushi, 25 vjeç, njëherësh djali i viktimës. Shega fatmirësisht ka mundur t’i shpëtojë vetëm me plagosje plumbave duke u shtrirë në lokal, ndërsa autori i krimit nuk është ndalur me kaq, por ka tentuar të hyjë brenda lokalit për ta qëlluar përsëri. Dëshmitarët kanë shpjeguar se kjo skenë është parë nga Enver Barbullushi, i cili mendoi se autori do të qëllonte djalin e tij. 52-vjeçari, i cili në atë moment ndodhej pranë pikës së karburantit është ngjitur në lokal dhe është përleshur me autorin, në tentativë për ta ndaluar të qëllojë në drejtim të të afërmve të tij. Në këtë moment nga automjeti Volsvagen ka zbritur një tjetër person dhe ka qëlluar me pistoletë në kokë 52-vjeçarin Barbullushi, ndërsa në këtë situatë ka ndërhyrë edhe djali i tij 25- vjeçar, i cili është qëlluar nga personi i dytë disa herë, duke mbetur i plagosur. Pas krimit, braktiset e digjet makina e autorëve Vetëm pak minuta pas kryerjes së krimit, mësohet se autorët kanë djegur automjetin me të cilin kanë kryer krimin. Makina u gjet pranë fshatit Mali i Hebajve në komunën e Berdicës, vetëm 3 km nga vendi i krimit. Edhe pse grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje, gjetja e provave ka qenë e pamundur pasi zjarri ka shkrumbuar gjithçka, ndërsa autorët kishin prerë edhe numrat e shasisë së automjetit. Nga hetimet e para bëhet e ditur se automjeti i përdorur nga 4 autorët e krimit ishte blerë përpara një jave në Thumanë. Nga ana e policisë janë identifikuar autorët e ngjarjes por për efekt të hetimeve nuk jepet identitetet e tyre.

Share it :