ISSH /Përfitimet nga shteti dhe pensionet, ja çfarë duhet të dinë individët

Instituti i Sigurimeve Shoqërore, nëpërmjet një fjalori të veçantë, ka shpjeguar të gjitha përfitimet që kanë individët nga pensionet, lindjet apo kompensime të tjera

 

 

1276502713-ekonomiNjë dëmtim aksidental në punë apo një aksident me pasoja të rënda çdo gjë dëmshpërblehet, herë si pension dhe herë si dëmshpërblim. Instituti i Sigurimeve Shoqërore, nëpërmjet një fjalori të veçantë, ka shpjeguar të gjitha përfitimet që kanë individët nga pensionet, lindjet apo kompensime të tjera.

 

BASHKIMI i PERIUDHAVE TË SIGURIMIT

Me bashkim të periudhave të sigurimit kuptohet bashkimi i periudhave për të lindur e drejta për përfitim sipas legjislacionit të sigurimeve shoqërore në një nga shtetet ku personi ka punuar dhe kontribuar, për aq sa këto periudha nuk mbivendosen, dhe në zbatim të një marrëveshjeje dypalëshe ose shumëpalëshe në fushën e Mbrojtjes Sociale midis shteteve.

AKSIDENTI NË PUNË

Aksident në punë ose për shkak të punës është dëmtimi i menjëhershëm trupor, i ndodhur gjatë kryerjes së punës ose gjatë një procesi, që ka lidhje me punën, si dhe çdo dëmtim tjetër i shëndetit, që nuk rrjedh nga sëmundje e përgjithshme, por që sjell paaftësi, të përkohshme ose të përhershme, në punë ose vdekje. Aksidenti ne pune ose për shkak të punës përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

BARRËLINDJA

Përfituese e lejes së barrëlindjes është gruaja e siguruar për 12 muaj periudhë sigurimi, për çdo rast përfitimi. Të ardhurat për barrëlindje përfshijnë të ardhurat për barrëlindje, të ardhurat për kompensim kur ndryshohet vendi i punës dhe shpërblimi për lindje fëmije. Periudha e përfitimit të lejes së lindjes është 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 42 ditësh pas lindjes së fëmijës.

BAZË E VLERËSUESHME PËR LLOGARITJEN E PENSIONEVE

Baza e vlerësueshme për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën, që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave për të cilat janë paguar kontributet deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me VKM. Baza e vlerësuar vjetore për kalkulimin e pagesave për sëmundje e barrëlindje dhe për të ardhura të tjera afatshkurtra është totali i pagës vjetore, në bazë të të cilave janë paguar kontributet. Baza e vlerësuar, vjetore, individuale indeksohet me koeficientin që llogaritet si raport i kontributit mesatar për çdo person të siguruar, të mbledhur në vitin e fundit kalendarik, kundrejt të njëjtit tregues të vitit pararendës. Ky koeficient caktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave.

EKSPORTIMI I PËRFITIMEVE

Eksportimi i përfitimeve ndodh kur përfitimet, që i paguhen një personi sipas legjislacionit në fuqi të një vendi të caktuar, jepen gjithashtu për këtë person, edhe kur ai/ajo banon në një vend tjetër.

KOMPENSIME TË ARDHURASH

Kur standardi minimal i jetesës nuk arrihet nga pensioni bazë, Këshilli i Ministrave ka të drejtë të vendosë një shtesë të ardhurash në formë kompensimi. (parashikuar nga ligji nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, në paragrafin e fundit të nenit 2, shtuar me ligjin nr. 9708, datë 5.4.2007).

KONTRIBUTE TË DETYRUESHME TË SIGURIMEVE SHOQËRORE

Personat e punësuar janë të detyruar të paguajnë kontribut të sigurimeve shoqërore për sëmundje, barrëlindje, dhe pensione në një shumë që varet nga paga e tyre totale (bruto). Personat e punësuar janë të siguruar edhe për aksident në punë/sëmundje profesionale e papunësi, por kontributet për këto dy degë sigurimi paguhen nga punëdhënësi për të punësuarit e tyre. Kontributi i sigurimeve shoqërore nuk mund të caktohet nën një pagë minimale dhe mbi një pagë maksimale mujore. Personat ekonomikisht aktiv janë të detyruar të paguajnë kontribut mujor për barrëlindje dhe për pensione në masën e nivelit bazë. Personat e vetëpunësuar ne bujqësi janë të detyruar të paguajnë kontribut për barrëlindje dhe për pensione. Masat dhe kriteret caktohen nga Këshilli i Ministrave. Shteti paguan kontribute në varësi të veprimtarisë ekonomike të zhvilluar më parë për kohën që shtetasi kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak, si dhe për të gjithë kategoritë e personave të përcaktuar me ligje dhe me vendime të Këshillit të Ministrave.

LEX LOCI LABORIS (LIGJI I VENDIT TË PUNËS)

Në një kontekst ndërkombëtar pjesa më e madhe e ligjeve të sigurimeve shoqërore, – si një degë e ligjeve publike, – e përcaktojnë fushën e tyre të aplikimit në lidhje me vendin ku një individ i punësuar kryen punën e tij ose të saj. Një person është subjekt i ligjeve të sigurimeve shoqërore të atij vendi ku ai ose ajo kryen punën e tij/saj.

PAAFTËSI E PËRKOHSHME

Me paaftësi të përkohshme kuptohet gjendja kur një individ është i paaftë për të kryer punën e tij/të saj, të rregullt për shkak të një anomalie anatomike ose funksionale dhe kur pritet që shërimi i tij të ketë një periudhë normale. Periudha e përfitimit për paaftësi të përkohshme fillon në ditën e 15 të raportit mjekësor dhe do të zgjasë jo më shumë se 6 muaj nga data e fillimit të pagesës. Periudha e përfitimit mund të zgjatet përjashtimisht deri në 3 muaj të tjerë, në rast se komisioni i mjekëve ekspertë (KMCAP) provon që personi i siguruar do të shërohet në këtë periudhe dhe nuk do të deklarohet invalid. Periudha e përfitimit të paaftësisë së përkohshme nga sëmundja, për ata që marrin pension invaliditeti të pjesshëm, është deri në 3 muaj nga data e fillimit të pagesës. Periudha e përfitimit për punonjësit sezonale dhe të përkohshëm, të cilët kanë qenë të punësuar të paktën 3 muaj ne 12 muajt e fundit, është deri në 75 ditë.

PAGË REFERUESE PËR EFEKT TË LLOGARITJES SË PENSIONIT

Kuptohet paga që do të përdoret për llogaritjen e pensionit, për periudhën e sigurimit para datës 1.1.1994, pasi për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

PENSION SHTETËROR I POSAÇËM

Miratohet nga Këshilli i Ministrave për persona të cilët kanë merita të veçanta në fusha të ndryshme të jetës së vendit. Kanë të drejtë për pensione të posaçme personat që kanë marrë pjesë në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, në lëvizjet popullore, në luftën kundër pushtuesve nazifashistë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në mbrojtjen e kufirit dhe ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, në lëvizjen demokratike dhe kanë vuajtur nga persekutimi politik në regjimin komunist dhe që kanë merita të veçanta në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës. Shpenzimet e kësaj skeme mbulohen nga buxheti i shtetit.

PENSION SUPLEMENTAR

Kuptohet pensioni shtesë që jepet mbi pensionin e pleqërisë. Ky pension jepet në bazë të kritereve të caktuara me ligje të veçanta.

PENSION PLEQËRIE I PLOTË

Është përfitimi që do të marrin në formë kësti mujor personat e siguruar në moshën 65 vjeç burrat dhe 60 vjeç gratë, pasi të kenë plotësuar 35 vjet sigurim. Nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 50 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim. Masa mujore e pensionit të plotë të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit që u jepet gjithë personave të siguruar, duhet të sigurojë të paktën një standard minimal jetese, i indeksuar çdo vit në lidhje me indeksin e çmimeve të disa mallrave të zgjedhura, të përcaktuara në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Shtesa që u jepet personave të punësuar, do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve.

PENSION PLEQËRIE i REDUKTUAR

Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar kur kanë plotësuar jo më pak se 35 vjet sigurim, kanë mbushur moshën 62 vjeç për burrat e 57 vjeç për gratë dhe nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës të përfitimit.

PENSIONI I PJESSHËM I PLEQËRISË

Personi i siguruar për një kohë më pak se 35 vjet dhe më shumë se 15 vjet sigurimi, ka të drejtë të përfitojë pension të pjesshëm, kur të arrij burri moshën 65 vjeç dhe gruaja moshën 60 vjeç. Pensioni i pjesshëm caktohet si pjesë e pensionit të plotë dhe llogaritet duke shumëzuar pensionin e plotë me vitet e sigurimit, pjesëtuar me 35.

PENSIONI FAMILJAR

Është pensioni që përfitohet nga anëtarët e mbetur të një familje të personit të vdekur (bashkëshorti, bashkëshortja, fëmijët). Pension familjar përfitojnë personi i ve/ e ve, kur janë mbajtës të një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç; të paaftë për punë ose kanë mbushur moshën 50 vjeç gratë dhe 60 vjeç burrat, Jetimi kur provohet që ai ishte në ngarkim të atij që vdiq dhe ka një6 moshë nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë, para se të arrijë moshat e mësipërme; Prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë, prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t`i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, ose janë të paaftë për punë; Nipërit e mbesat, kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të.

SËMUNDJET PROFESIONALE

Përfshihen të gjitha ato sëmundje që lidhen me profesionin që ushtron i siguruari dhe që shfaqen pas një periudhe të caktuar kohe në atë profesion. Sëmundjet profesionale përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë. Personat e siguruar që vuajnë nga aksidenti në punë, sëmundje profesionale, përfitojnë të drejtën e së ardhurës, pavarësisht nga vjetërsia në punë për kujdes mjekësor shtesë dhe riaftësim. Një person i siguruar që vuan nga një aksident në punë ose sëmundje profesionale, do të marrë kompensim shtesë ose ndonjë kualifikim-rikualifikim të nevojshëm për të rikthyer aftësinë e humbur dhe të ardhura për paaftësi të përkohshme; për invaliditet të përhershëm; për invaliditet të pjesshëm të përhershëm, për paaftësi të përhershme në masë të vogël.

SIGURIM SHOQËROR i DETYRUESHËM

Është sigurimi sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar. Sigurimet Shoqërore mbrojnë në mënyrë të detyrueshme gjithë shtetasit ekonomikisht aktive në Shqipëri, në rastin e pakësimit të të ardhurave si pasojë e barrëlindjes, pleqërisë, invaliditetit dhe humbjes se mbajtësit të familjes. Sigurimet Shoqërore, gjithashtu i japin mbrojtje të detyrueshme të gjithë personave të punësuar në rastin e pakësimit të të ardhurave si pasoje e paaftësisë së përkohshme të shkaktuar nga sëmundja, aksidenti në punë, sëmundja profesionale dhe papunësia.

SHTESË TË ARDHURASH NË FORMË KOMPENSIMI

Kur standardi minimal i jetesës nuk arrihet nga pensioni bazë, Këshilli i Ministrave ka të drejtë të vendosë një shtesë të ardhurash në formë kompensimi.

TË VETËPUNËSUARIT NË BUJQËSI

Persona të vetëpunësuar në bujqësi konsiderohen personat e aftë për punë, që7 kanë mbushur moshën 16 vjeç deri në moshën për pension, kur nuk janë të siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë, banojnë në të njëjtin nënqark, ku kanë tokën, në pronësi ose në përdorim, ose banojnë në nënqarkun fqinj dhe zhvillojnë veprimtari bujqësore e blegtorale.

VITE SHËRBIMI

Vitet e punës të kryera në një nga funksionet që burojnë nga Kushtetuta ose një nga detyrat në administratën publike, sipas listës së miratuar nga Këshilli i Ministrave.

TETRAPLEGJIK

Do të kuptohet çdo person, që vuan nga paraliza e katër anësive, si pasojë e dëmtimit te palcës kurrizore nga shkaqe të ndryshme dhe i klasifikuar si i tillë me vendim të Komisioneve Mjekësore të Caktimit të Aftësisë për Punë.

 

 

Sistemi shëndetësor, Abazaj: Edukim i vazhdueshëm për mjekët

 

Vendosja e gjobave apo pezullimi për një kohë të caktuar nga profesioni nuk është rruga e duhur për të ndëshkuar mjekët, e për të përmirësuar sistemin shëndetsor. Kjo deklaratë vjen nga presidenti i Urdhërit të Mjekëve Din Abazaj i cili thotë se në reformin e sistemin shëndetsor dhe ofrimin e një shërbimi më të mirë ndaj pacientëve nevojitet një menaxhim më i mirë i mjekëve specialistë por edhe një vëmendje më e madhe nga strukutrat drejtuese për edukimin në vazhdim të mjekëve. Këto deklarata ai  i bëri gjatë një takimi me homologët e tij nga vendet e rajonit. ”Nuk rregullohet sistemi dhe nuk përmisohet sistemi me masa ndërshkuese, me gjoba. Ne do të konsistojmë në punën tonë, jo te gjobat, jo te ndërshkimet por te edukimi i tyre. Krijimi i mundësive që të kemi më pak ankesa nga publiku”- tha Din Abazaj, president i Urdhërit të Mjekut.  Drejtuesi i Urdhërit të Mjekut ka reaguar sërisht për ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë, ku disa mjekë të një spitali privat në Tiranë u arrestuan pas denoncimeve të familjarëve për dy vdekje të ndodhura në këtë spital. Sipas Abazaj gabimet mjekësore  ndodhin në të gjithë botën. Ai ju ka bërë thirrje organeve të drejtësisë të marrin masat e duhura por jo të trajtojnë mjekët si kriminelë, pasi jo të gjitha vdekjet në sallën e operacionit ndodhin për faj të mjekëve.

 

Share it :