Përleshjet me policinë/ Ish-të përndjekurit në grevë urie pa afat, 5 kërkesat për qeverinë

Gëzim Saliu

ish te perndjekurit e pd protesta greva e urise  (15) “Dëmshpërblim brenda dy vjetësh për ata që janë gjallë, dënim i figurës së Hoxhës”

Pas grevës së të larguarve nga administrata, një grup ish-të përndjekurish politikë kanë nisur zyrtarisht dje grevën e dytë të urisë, përmes së cilës kërkojnë dëmshpërblimin në total të pagesave brenda dy viteve të para të qeverisjes dhe përfitimin e një statusi special për të gjithë anëtarët e kësaj shtrese, që janë gjallë. Po ashtu ata kërkojnë të rihapen dosjet menjëherë që kanë ngelur pezull në Ministrinë e Drejtësisë si pasojë sipas tyre e burokracisë dhe urrejtjes klasore si edhe dënimin e figurës së Enver Hoxhës dha nxjerrjen jashtë ligjit të Partisë Komuniste. Por deri në montimin e tendës së grevës, ku u përfshinë 12-ish të përndjekur, ka pasur përleshje të forta fizike mes tyre dhe forcave të policisë, si edhe deputetëve demokratë që u gjenden në ambientet e protestës në mbështetje të kërkesave të këtyre qytetarëve.

 

Përplasjet

Gjithçka ndodhi kur në orën 13: 20 minuta një mjet tip golf erdhi për të sjellë pjesët e çmontuara të çadrës të cilat do të vendoseshin përballë Parlamentit dhe në krah të godinës së ish-të përndjekurve politikë. Por në këto moment policia nuk ka lejuar që pajisjet të nxirren nga makina pasi sipas tyre leja e tubimit ishte për protestë dhe jo për grevë urie. Në këtë moment ndërhynë deputetët e PD-së, të cilët në mbështetje të ish-të përndjekurve kërkuan që policia mos kundërshtonte një të drejtë legjitime për mbajtjen e grevës. Në kushtet e qëndrimeve të kundërta, ish-të përndjekurit kanë nisur të nxjerrin pjesët e çadrës nga makina, por janë ndaluar me forcë nga policia. Kjo ka shkaktuar reagimin e fortë të deputetëve demokratë Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gerti Bogdani, Edi Paloka dhe Gent Strazimiri të cilët janë vendosur në mes të përplasjeve fizike mes ish-të përndjekurve dhe policëve. Sipas ligjvënësve demokrate, policia ushtroi dhunë mbi protestuesit, ndërkohë që ish-të përndjekurit deklaruan se i ishin grisur çadrat. “Ne jemi këtu të mbështesim këtë grevë urie të ish të përndjekurve politikë. Nuk është grevë politike, ne vetëm sa i mbështesim ish të përndjekurit politikë”, – tha deputeti Bumçi. Nga ana tjetër në përleshje e sipër me policinë, një prej ish të përndjekurve, Fatmir Hoxha deklaroi: “Turp të kenë. Nuk na lenë të gremë çadra, do rrimë këtu. Ata janë të paaftë. Leje kemi, ja ku e keni. Këtë pushtet e kemi marrë me gjak nga të parët tanë dhe me gjak do ta mbrojmë këtë pushtet dhe këtë vend. I bëjmë thirrje kryeministrit Rama të heqë dorë nga këto krime që do të bëjë në Shqipëri. Të mos lejosh në demokraci të protestosh për të drejtat dhe liritë, vetëm në Shqipëri ndodh”. Pas ndërhyrjes edhe të deputetëve demokratë, forcat e policë janë detyruar të tërhiqen nga qëndrimi i parë dhe përmes një urdhri të dytë ata janë larguar nga zona ku do të ngrihej më pas çadra e grevistëve. Për të përshëndetur nismën e tyre, ishte i pranishëm dje edhe kreu i PD-së Lulzim Basha, i cili i vizitoi nga afër grupin e ish-të përndjekurve, ku shprehu mbështetjen e opozitës për kërkesat legjitime të grevistëve.

 

5 kërkesat e ish-të përndjekurve

 1.Dëmshpërblim total për të gjithë ata që kanë status politik dhe u takon shpërblimi brenda dy viteve dhe që janë gjallë

2.Rikthimi në administratën shtetërore të gjithë ata fëmijë të ish-të burgosurve politikë që janë pushuar padrejtësisht, rikthimin e menjëhershëm

3.Shtimin e dëmshpërblimit për ata që kanë bërë vitet e internimit, të njihen

4.Të rihapen dosjet menjëherë që kanë ngelur pezull në Ministrinë e Drejtësisë si pasojë e burokracisë dhe urrejtjes klasore që ka sot politika shqiptare

5.Të dënohet figura e kriminelit Enver Hoxha dhe të dalë jashtë ligjit Partia Komuniste, e cila është rreziku më i madh për Shqipërinë

 

Emrat e 12 ish-të përndjekurve politikë të futur në grevë urie

Fatmir Hoxha

Ulison Dida

Shaban Hoxha

Feriz Mulgeci

Sadik Jahja

Shahin Murishti

Bedrie Bozhaxhiu

Xhane Dusha

Syrja Ferro

Fiqiri Xhellari

Mithat Tafani

Fadil Dema

Lulzim Emini

Bedri Dini

 

 

Dorëzohet në Kuvend/ Kërkesa e re, PD: Komision hetimor për emërimet kriminale në administratë

Partia Demokratike dorëzoi dje në Kuvend kërkesën për një hetim parlamentar lidhur me emërimet në postet kyçe të administratës shtetërore të individëve me të kaluar të dyshimtë. Në këtë hetim demokratët kërkojnë verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve, prej datës 15 shtator 2013 e deri në datën e sotme, për zyrtarët në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore, duke përfshirë emërimin e personave që kanë realizuar apo dyshohen se kanë kryer veprime kriminale apo trafikim të lëndëve narkotike. Qëllimi i Komisionit Hetimor që kërkohet të krijohet mbi bazën e kësaj kërkese, synon që të mbledh informacione të hollësishme mbi këtë çështje, duke evidentuar problematikat përkatëse dhe për të gjetur zgjidhjet për të ardhmen. Objekti dhe qëllimi i ngritjes së këtij Komisioni Hetimor është në përputhje me Kushtetutën dhe parimet themelore kushtetuese, për shkak se nuk sjell konfondime dhe transferime kompetencash të parashikuara nga Kushtetuta për organe të tjera, por synon njohjen dhe verifikimin në thellësi të ligjshmërisë së emërimeve të reja të kryera gjatë periudhës 15 shtator 2013 – deri aktualisht, me qëllimin që në përputhje me realitetin, të nxirren përfundime mbi nevojën e miratimit, plotësimit, apo korrigjimit të ligjeve të veçanta”, – thuhej në kërkesën e PD-së. Lidhur me këtë kërkesë, nënkryetari i grupit parlamentar demokrat Eduart Halimi tha se PD ka denoncuar gjatë këtyre muajve rastet flagrante të emërimit në administratë, në poste të larta madje, të njerëzve të cilët dyshohen si të përfshirë në veprimtari kriminale apo kanë edhe rekorde vendimesh gjykatash që janë dënuar. “Tonelatat që kapen me drogë anembanë tek fqinjët tanë sigurisht që tregon se dikush shkel syrin në doganë, dikush shkel syrin në porte dhe aeroporte në mënyrë që ajo drogë që kapet me tonelata dhe ajo që nuk kapet me tonelata, kalon nëpërmjet këtyre njerëzve. Ndaj ky hetim është shumë i nevojshëm dhe i domosdoshëm qoftë për hetimin e të gjithë emërimeve, qoftë edhe për lidhjet e njerëzve që janë emëruar në poste të larta dhe kanë rekorde kriminale”, – theksoi Halimi.

 

Rrëfimet e ish-të përndjekurve: Duam të drejtën tonë që na takon me ligj

Dy ish-të përndjekur të përfshirë në grevën e urisë rrëfejnë për gazetën kërkesat e tyre ndaj qeverisë, duke nënvizuar nga ana tjetër gjendjen e tyre mjaft të vështirë financiare. Ata bëjnë të ditur se nuk kanë marrë asnjë këst dëmshpërblimi, edhe pse me dokumente e me ligj i takonte ta merrnin prej kohësh.

 

Flet Lulzim Emini

Si quheni?

Jam Lulzim Emini. Babai më ka vdekur në internim. Nënën e kam 86 vjeçe, duke vdekur.

 

Keni marrë ndonjë këst dëmshpërblimi?

Asnjë lloj dëmshpërblimi. Vetë jam skicofren. Ka bërë 40 vjet internim.

 

Pse e ka bërë?

Për politikë. Kemi pas internim politik që në 68, unë kam qenë foshnje në atë kohë, 6 muaj. Xhajallarët i kanë çuar në internim edhe baba vdiq në internim.

 

Çfarë kërkoni?

Kërkojmë drejtësi, duam të marrim paratë që na takojnë sipas ligjit.

 

Flet Sadik Jahja

Çfarë kërkoni me grevën e sotme?

Unë kam kërkuar drejtësi dhe strehim jam me gur në shpinë. Kam fëmijët pa bukë. Shtëpinë e kam akoma me plasmas, jam i helmum nga të gjitha drejtimet.

 

Sa fëmijë keni?

Unë kam 6 fëmijë. Deri tani kam kërkuar thjeshtë drejtësi dhe dëmshpërblim. Deri tani nuk mu ka zgjidhur e drejta. Kam kërkuar me ngulm, po nuk m’u ka zgjidh. Të gjitha i kam, fletushkat që tregojnë se duhet të marrë dëmshpërblimin. Madje zoti Erjon ka qenë ke gurët e mia.

 

Në shtëpinë tënde?

Ke kasollja ime, jo ke shtëpia. Pavarësisht se quhet shtëpi, ajo quhet kasolle. Atje është me merimanga, me minj, aty janë duke jetuar fëmijët e mi. Nga mosha e lindjes e deri tani nuk kanë bërë as çerdhe as kopsht. Unë jam qytetar i rrethit Kurbin, i qyteti Laç dhe jo i fshatit Shullaz. Dua të shkoj në qytet ku kam lindur dhe jo në fshat e me gurë në shpinë.

 

Keni marrë deri më tani ndonjë këst dëmshpërblimi?

Jo unë s’kam marrë asnjë këst. Unë jam ende pa marrë asnjë këst, edhe dje isha ke Ministria e Drejtësisë dhe filluan sërish të bënin dallavere.

 

Fatmir Hoxha- “U masakrua babai dhe u burgos në 44. Deri tek motra e burrat e motrës pushoheshin nga puna se ishim me biografi të keqe. Edhe sot jemi të pa falur, ja ku thuhet në gazetën zyrtare. Ky vendim nuk është dekretuar. Që nga Ahmet Zogu këtu janë të gjithë krerët”.

 

Itinerari i protestës deri tek ngritja e çadrës

10: 30- Ish- të përndjekurit nisin protestën e paralajmëruar, duke pohuar se do të hyjnë në grevë urie

10:50- Policia nuk lejon të ngirhn çadrat në pedonalen para Parlamentit

10:50-12:30- Ish të përndjekurit përfshihen në debate dhe konfrontime me policinë

12:30-Një grup deputetësh të PD-së i bashkohen protestestës së ish-të përndjekurve në mbështetje të tyre

13:20-Mbërrin makina me paisjet e çmontuara të çadrës

13:20-13:45- përplasje të forta mes ish- të përndejkurve, policisë dhe deputetëve demokratë

13:55- Forcat e policisë tërhiqen dhe nis montimi i çadrës

17:45- Montohet çadra e grevistëve, futen 12 ish-të përndjekur

19:00-Greva e ish-të përndjekurve shtohet edhe me dy anëtarë të tjerë, Lulzim Eminin dhe Bedri Dinin, duke e çuar në 14 numrin total të grevistëve

21: 50- Kreu i PD-së Lulzim Basha viziton grevistët në çadrat para Parlamentit

 

Basha tek grevistët

“Je 3 herë në hak me ish-të përndjekurit, u godit memoriali i ushtarëve të SHBA në Korçë”

Në orët e mbrëmjes ish-të përndjekurit janë vizituar nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke shprehur mbështetjen e partisë që drejton dhe opozitës ndaj ish-të përndjekurve grevistë. Ai i bëri thirrje kryeministrit Rama të lërë cinizmat për grevat që po zhvillohen dhe të kontaktojë me grevistët, në të kundërt sipas tij do të përballet me pasojat. “Partia Demokratike do të gjendet në krah edhe të ish-të përndjekurve grevën që ata kanë nisur, politikisht dhe moralisht. Kryeministri është tri herë në hak me ish-të përndjekurit; së pari, sepse u ka premtuar dëmshpërblimin që gjatë fushatës elektorale dhe deri më sot gënjen e s’ua jep, sepse s’ka marrë masë;së dyti, është në hak se jo vetëm s’ka përmirësuar gjendjen e tyre, në dy breza, por ka larguar nga puna edhe brezin e tretë, ata vetë dhe familjarët e tyre;së treti, është në hak edhe sepse përmes frymës së rehabilitimit të diktatorit – që shkaktoi sot incidentin më të rëndë diplomatik me SHBA-në, goditjen e Memorialit në Korçë – po tregon vijimësinë e mendësisë enveriste tek Rama dhe shumica parlamentare. Rama është në hak tri herë me popullin opozitar, sepse ish-të përndjekurit do të mbeten pjesë e patjetërsueshme e identitetit tonë. I bëj thirrje Kryeministrit të kontaktojë me të larguar nga administrata, që ndodhen në ditën e tyre të tetë të urisë tek Piramida”, – tha Basha.

 

Berisha: Rama urdhëroi falangat e krimit të dhunojnë brutalisht të përndjekurit

Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha reagoi dje ndaj grevës së ish-të përndjekurve duke kritikuar ashpër konfliktin mes tyre dhe policisë, i krijuar sipas tij me urdhër nga Kryeministri Rama. “Edvin Kristaq Rama, njeriu që një vit më parë organizoi djegien për së gjalli të tre ish-të burgosurve me kartela shumëvjeçare psikiatrike, ka caktuar në buxhetin e këtij viti vetëm për dëmshpërblimin e të përndjekurve politik 1.8 miliardë lekë nga 3 miliardë që u dhanë një vit më parë. Sot Edvin Kristaq Rama, nipi i famëkeqit Spiro Koleka dhe i biri i njeriut që firmosi varjen e disidentit dhe poetit Havzi Nela në vitin 1989, urdhëroi falangat e krimit me uniform të dhunojnë brutalisht të përndjekurit që nisën sot betejën e vetëflijimit kundër mashtrimit të Edvin Kristaq Ramës për dëmshpërblimin e tyre, kundër rehabilitimit të xhelatit të tyre Enver Hoxha, Hitlerit të Pasluftës së Dytë Botërore, atit shpirtëror të Edi Rames, rikthimit në punë të fëmijëve të përndjekurve politik nga neo-bllokmenët. Qytetarë, mbështetje totale këtyre burrave dhe grave që u martirizuan në kalvarin hoxhist dhe qe sot po martirizohen në kalvarin e ri të neo-bllokmenëve”, – shkruante Berisha në rrjetin social.

 

Ligji i ri për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka gati draftin për ndryshimin e ligjit “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i cili pritet t’u japë prioritet disa kategorive të caktuara. Drafti parashikon një hierarki në dhënien e dëmshpërblimit sipas disa kategorive. Të parat që do të trajtohen nga ligji janë ish-të dënuarat politike femra, ndërsa pas tyre të përndjekurit, të cilët janë ende gjallë në moshë mbi 75 vjeç. Pas tyre do të trajtohen me prioritet ish-të dënuarit politikë, të cilët vuajnë sëmundje të rënda sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm, ish-të dënuarit politikë, të cilët pavarësisht moshës, kanë pasardhës në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, si dhe trashëgimtarët e radhës së parë të ish-të dënuarve politikë, të cilët janë në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Sipas draftit të MMSR, “të fundit” në listën e prioriteteve janë ish-të dënuarit politikë të mbetur gjallë më moshë nën 75 vjeç. Por pavarësisht këtyre 6 kategorive, bëhet me dije se çdo fond i miratuar për kategorinë e të përndjekurve politikë do të ndahet në 2 nënkategori, duke mos lenë jashtë procesit trashëgimtarët. Në nënkategorinë e parë bëjnë pjesë grupet e mësipërme prioritare, për të cilët është vendosur se do të shkojë 70 për qind e fondit total të miratuar dhe në nënkategorinë e dytë, ku bëjnë pjesë trashëgimtarët, do të përdoret 30 për qind e fondit të akorduar.

 

 

Share it :