Vrasja e Flamur Pislit, protestë në rrugën Tiranë-Elbasan: Të zbardhet e vërteta!

plisiNjë protestë po zhvillohet në aksin nacional Tiranë-Elbasan me rastin e 15-vjetorit së vrasjes së emigrantit Flamur Pisli, shqiptari pengmarrës i një autobusi grek.

Protesta organizohet nga Shoqata e Emigrantëve me rastin e 15 vjetorit të vrasjes së Flamur Pislit gjatë një aksioni policor për lirimin e pengjeve në autobusin e rrëmbyer nga Athina. Pisli u vra nga policia shqiptare.

Kreu i Shoqatës së Emograntëve, Vladimir Kosturi kërkoi që një sheshi në qendër të Elbasanit t’i vihet emri i Flamur Pislit.

“Ai është heroi i emigrantëve. Vërtetësi dhe drejtësi për Flamur Pislin, Ja këtë kërkojmë sot. Ai nuk ishte kriminel, të tillë e bënë grekët”, tha Kosturi.

Më tej kryetari i Shoqatës së Emigrantëve shtoi se institucioneve përkatëse u lihet 30 ditë afat për të mbajtur një qëndrim ndaj Pislit, ndërsa kërcënoi se në 28 Qershor do të përshkallëzohen protestat.

Lidhur me Pislin, opozita akuzoi kreun aktual të Policisë së Shtetit, Artan Didin për vrasjen e një pengu grek në autobusin e marrë peng nga Pisli.

Ndërkohë babai i Flamur Pislit pak ditë më parë i bëri thirrje kreut të Policisë së Shtetit se i ka borxh gjakun e të birit.

E ndërsa në Shqipëri protestohet, televizioni grek, Star, transmetoi një emision, kushtuar kësaj ngjarje. Familjarët e Jorgo Kuluris, 17- vjeçarit grek të vrarë gjatë pengmarrjes, kanë shpërthyer në akuza ndaj vrasësit të birit të tyre.

 

 

Share it :