Ish të përndjekurit politikë dhe deputetët e PD konfrontohen me Policinë e Shtetit

perplasjaIsh të përndjekurit politik që paralajmëruan vendosjen e çadrave për nisjen e një greve urie tek pedonalja, në krah të Parlamentit, konfrontohen fizikisht me Policinë e Shtetit.

Shkak është bërë ndërhyrja e policisë për të mos lejuar vendosjen e cadrave ku do të vendosen 10 ish të përndjekur politikë për nisjen e grevës së urisë. Ish të përndjekurit pretendojnë se kanë marrë leje nga Bashkia e Tiranës, por jo nga Policia e Shtetit.

Në përplasjen mes palëve ishin të pranishëm edhe deputetë të Partisë Demokratike, të cilët kanë shprehur mbeshtetjen për nisjen e grevës së urisë nga ish- të përndjekurit, por kanë shtuar se nuk do të përkrahin akte ekstreme si ato të vetëdjegies të shfaqura kohë më parë.

Nga deputetet e PD-së ishin të pranishëm Flamur Noka, Aldo Bumci, Edi Paloka, të cilët ishin pozicionuar mes forcave të rendit dhe grupimit të ish të dënuarve politikë.

Kryetari i Partisë së të Drejtave të Mohuara, Fatmir Hoxha, duke folur për mediat, i bëri thirrje trupit diplomatik të shikojë me kujdes situatën që po kalon Shqipëria. Hoxha akuzoi Kryeministrin Edi Rama për shkeljen e të drejtës së protestave, duke shtuar se me veprimet që Qeveria po bën tregon se në pushtet janë bijtë e Bllokut.

“Në Shqipëri po vendoset diktatura, ne nuk do e lejojmë një gjë të tillë. Procedurat ligjore i kemi bërë dhe kemi marrë lejet e nevojshme”, tha Hoxha.

 

 

 

 

Share it :