Basha viziton grevistët: Rama, mos luaj me zjarrin! Berisha: Do përballet me qëndresa të fuqishme
Nertila Qafzezi: Po përballemi me një dhunë policore që zbaton urdhrat e Tahirit
Mes përplasjeve me policinë, 10 përfaqësues të larguar nga administrata, 4 gra dhe 6 burra, nisën dje grevën e urisë në çadrën e ngritur në krahun e majtë të Kryeministrisë, përpara Piramidës. Të larguarit nga administrata ishin para Piramidës që në mesditë, në përpjekje për të ngritur çadra, në mënyrë që ata të futeshin në grevë urie, por ata nuk janë lejuar nga forcat e policisë, sepse, sipas kësaj të fundit, nuk kishin dokumentacionin për të zhvilluar grevë. Më herët, grevës së të larguarve nga administrata i ishin bashkuar edhe deputetë të Partisë Demokratike, mes të cilëve kreu i kësaj force, Lulzim Basha, si edhe ish-kryeministri Sali Berisha, të cilët kanë kërkuar që policia të lejojë të zhvillohet greva, sepse ajo është e ligjshme dhe demokratike. Nuk kanë munguar debatet dhe përplasjet mes grevistëve e deputetëve të PD-së me forcat e policisë, ku disa ligjvënës demokratë u shoqëruan edhe në rajon për mosbindje.
Debati
Janë larguar nga puna padrejtësisht dhe Gjykata ka vendosur rikthimin e tyre në vendet e punës, por vazhdojnë të enden sa në njërin institucion sa në protesta dhe askush nuk merr përgjegjësinë t’i rikthejë te vendi i tyre i punës. Bëhet fjalë për rreth 10 të larguar nga puna, që ditën e djeshme vendosën të hynin në grevë urie, si të vetmen mundësi që zëri i tyre të dëgjohet nga shteti. Rreth orës 16:00, të larguarit nga puna hynë në grevë urie, duke u “strehuar”, në krah të ndërtesës së Kryeministrisë. Polica nga ana e saj ka bërë të pamundurën që greva e të larguarve nga puna të mos zhvillohej. Fillimisht policia u tha se kërkesa për grevë nuk ishte e plotë dhe më pas u ka kërkuar që të merret leja nga Bashkia, pasi zona është hapësirë publike. Pas kanë siguruar lejen nga Bashkia e Tiranës, të larguarit nga puna kanë filluar ngritjen e çadrave, por vetëm 5 minuta më vonë, policia u kërkoi grevistëve që të largoheshin nga greva ose do t’i hiqte me forcë. Masat e policisë kanë shkuar deri aty, sa i janë marrë dokumentet dhe shoferit të furgonit që solli çadrat. Që në momentet e para, kur të larguarit nga puna janë shprehur se do të hynin në grevë urie, polica ka ushtruar presion, në disa raste edhe duke i kërcënuar se do t’i shoqëronte në polici.
Ngritja e çadrave
Pavarësisht se policia u hoqi çadrat, kryetarja e Shoqatës për Mbrojtjen e të Shkarkuarve nga Puna, Nertila Qafzezi, u shpreh se greva do të vazhdonte pa çadra. “Po përballemi me një dhunë policore që zbaton urdhrat e Tahirit. Nuk është policia në detyrë, madje dhe punonjësi i furgonit ka ardhur i punësuar nga ne, ndërsa policia i merr dokumentet dhe e largon furgonin. Ne grevën do ta vazhdojmë. Ne morëm leje nga Bashkia, ndërsa tashmë policia nuk na e lejon një gjë të tillë”, – tha Qafzezi. Sipas Nertila Qafzezit, greva erdhi si pasojë e moszgjidhjes së kërkesave të tyre nga ana e qeverisë. Të shkarkuarit nga puna kërkojnë të rikthehen në detyrë, me pretendimin se janë larguar padrejtësisht. Greva ka vazhduar më pas në qiell të hapur me batanije që ishin siguruar nga vetë grevistët. “Kam ardhur këtu t’i them me fakte, janë larguar 40 vetë nga puna me të njëjtën shkresë dhe të njëjtin motiv, nga drejtori Pjerin Xhevani. I bëj thirrje Kryeministrit se nëse më fakton se unë gënjej, jam i pari të flijohem përpara popullit shqiptar për shpifje, në të kundërt të na lejojë zhvillimin e këtij tubimi”, – tha një tjetër grevist. Grevistët kanë kërkuar rikthimin në punë dhe të rreth 6000 të larguarve të tjerë që janë shkarkuar në mënyrë antiligjore. Në orët e darkës, policia ka ndryshuar mendje, duke lejuar vendosjen e çadrave në mënyrë që grevistët të strehoheshin.
Përplasje e deputetëve të PD-së me policinë
Deputetët e Partisë Demokratike janë përplasur gjatë orëve të vona me forcat e policisë. Shkak ka qenë futja nga ana e deputetëve të PD-s objekte për grevën, ndërkohë që policia i ka kundërshtuar. Policia ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e Forumit Rinor të PD-së në njësinë 6 për mosbindje të urdhrit të policisë. Pas këtij shoqërimi në komisariatin nr. 1 kanë shkuar deputetët Helidon Bushati dhe Mesila Doda.
Basha dhe Berisha vizitojnë grevistët
Rreth orës 22:50 të mbrëmjes së djeshme, grevistët janë vizituar edhe nga kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili u shpreh se mbështet grevën e të larguarve nga administrata dhe i kërkoi Kryeministrit Rama që të mos pengojë grevistët. “Të nxitur nga urrejtja, ne si opozitë do t’i mbështetim me të gjitha format tona këta punonjës. Kanë shkuar në gjykata dhe kanë fituar, por janë përballur me shurdhërinë e institucioneve. Rama vazhdon avazin e shkeljes së ligjit, këta janë familjarë dhe s’kanë as bukën e gojës. Kjo është një kauzë humane, por për opozitën është edhe kauzë politike. I përshëndes këta persona për qëndresën dhe qytetarinë, për shpirtin e qëndresës me të cilën i janë bashkëngjitur kësaj të drejte esenciale. Duhet t’i garantoj se PD dhe opozita do jetë mbështetje e kësaj të drejte themelore dhe kushtetuese, në këtë kauzë që janë vendosur. Është e dhimbshme të shikosh që këta njerëz shtyhen drejt këtij akti, dëshpërimi, një akt sublim dhe vetëflijimi, sepse Kryeministri dhe kupola e tij refuzojnë ligjin dhe zbatimin e vendimeve të gjykatave. Pasi kanë bërë këtë gjë, ndaj mijëra qytetarëve, me pamëshirshmërinë që i karakterizon vendosën të shkelnin demonstrimin e grevës. Sjellja e sotme e personave që vepruan këtu kundër ligjit, që ndritën dorën kundër ligjit, kundër këqyre personave që është e patolerueshme. Përshëndes pjesëmarrjen e deputetëve të opozitës, u them efektivëve të policisë që të mos shkelin ligjin, respektoni ligjin. Ndërsa Edi Ramës i them se boll ke luajtur me këta njerëz dhe mos të shkoj mendja të ngresh dorën ndaj këtyre njerëzve në këto tenda. Mos guxo të luash me fatet e njerëzve, mos guxo të luash me zjarrin se do digjesh!” Po ashtu edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka vizituar gjatë mbrëmjes grevistët. Berisha u shpreh se metodat e kësaj qeverie janë metoda të Janukoviçit dhe se vetë Rama paraqet Janukoviçin e Ballkanit. “Ata erdhën me një vendim sublim dhe u dërgoi të gjitha bandat me uniformë. Ai paraqet Janukoviçin e Ballkanit. Demokratët do dinë t’i përgjigjen Janukoviçit siç e meriton”, – u shpreh Berisha. “Në rast se Rama mendon se me falanga krimi do të mund të rrëmbejë çadra dhe batanije, i bindur se do përballet me qëndresën me të fuqishme që Shqipëria ka njohur ndonjëherë”. Ndërkohë, autoriteti shëndetësor ka vënë në dispozicion të grevës një ekip mjekësor.
Deputetët vizitojnë grevistët
Menjëherë pas heqjes së çadrave me forcë nga policia, grevistët janë vizituar nga deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu. Deputetja Bregu u shpreh se ndalimi i grevës është një veprim antidemokratik. “Ne nuk kemi dyshim për këtë dhe akuzat e ngritura nga ne kanë vërtetësi nga faktet tuaja. Ajo që më irriton është fakti se një qeveri kaq e re në pushtet, kur ka ndenjur në çadra më shumë se dy javë, ka frikë nga kjo grevë. Kjo nuk mund të trajtohet me gënjeshtër, pasi në momentin kur është bërë kërkesa, protesta, në çdo vend demokratik duhej lejuar, ndaj këtë dhunim të qytetarëve, jo vetëm e demaskojmë me forcë, por kërkojmë reagim të strukturave të shtetit. Nëse sot që në 12 janë bërë gati të protestojnë qytetarë të këtij vendi për largimin e tyre të padrejtë nga puna janë përballur me arrogancë dhe shpërfillje. Një qeveri nuk mund të mbrojë të drejtat e një pjese të qytetarëve dhe një pjese jo. Kjo është alfa e demokracisë. Për mua është e patolerueshme”, – tha Bregu. Më pas grevistët janë vizituar dhe nga deputetët Flamur Noka dhe Gent Strazimiri.
Pjesëmarrësit në grevë
1-Petrit Fejzullai, 50 vjeç, ka punuar në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore në Drejtorinë Rajonale të Tiranës prej 13 vitesh. Në datë 7 maj ka nisur procesin gjyqësor. Është diplomuar për financë.
2-Gladiola Bardhosi, 30 vjeçe, ka punuar si punonjëse sociale. Ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me Zyrën e Shërbimit të Punësimit. Është paguar vetëm 2 muaj, sepse më datë 7 nëntor 2013 është larguar nga puna.
3-Nertila Qafzezi, 28 vjeçe, ka punuar specialiste e Zyrës së Punësimit prej katër vitesh. Është larguar nga puna më 10 janar 2014.
4- Vera Picaku, 40 vjeçe, ka punuar në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Prej 8 vjetësh ka ushtruar profesionin. Më 20 nëntor 2013 ka marrë urdhrin e largimit nga puna.
5-Artan Murizi, rreth 45 vjeç. Ka punuar inspektor në Drejtorinë e Inspektimit në Ministrinë e Drejtësisë prej 4 vitesh. Është larguar nga puna në dhjetor 2013.
6- Olgerta Shkurti, 35 vjeçe. Ka punuar në Drejtorinë Rajonale të Punësimit në Tiranë prej 5 vitesh. Është larguar nga puna në 10 janar 2014.
7-Agron Dervishi ka punuar inspektor në Sigurimet Shoqërore në Gjirokastër prej 7 vitesh. Është larguar nga puna 15 mars 2014.
8-Preng Uka, ka punuar punëtor gjelbërimi në ndërmarrjen numër 2 të Trajtimit të Studentëve në Qytetin Studenti. Ka filluar punë në 2007. Është larguar nga puna në nëntor të 2013-ës.
9-Astrit Likaj, ka punuar në sektorin e Financës në Zyrën e Punësimit në Tiranë prej 5 vitesh. Është larguar nga puna në nëntor 2013.
Kronologjia e grevës
Ora 16:00 – Forcat blu çmontojnë skeletin prej hekuri ku do të ngrihej çadra e cila ishte parashikuar të vendosej para Piramidës, ndërsa përfaqësia e Shoqatës së të Larguarve deklarojnë se nuk do të heqin dorë.
Ora 17:00 – Deputetë të PD-së, Majlinda Bregu, Albana Vokshi, Mesila Doda, Flamur Noka, janë pranë të larguarve nga puna të cilët bëjnë të ditur se janë në grevë urie.
Ora 18:40 – Deputetët e Partisë Demokratike, Flamur Noka, Gent Srazimiri dhe Edi Paloka, shkojnë në Drejtorisë e Policisë së Tiranës. Deputetët kërkuan nga policia shpjegim pse nuk lejohet ngritja e çadrave nga ana e të larguarve nga puna.
Ora 20:00 – Të larguarit nga administrata përpallen me policinë, sepse kjo e fundit nuk ka lejuar që përfaqësuesit e të larguarve nga administrata të vendosin tualetet dhe objekte të tjera për t’i ardhur në ndihmë misionit për të qëndruar në grevë. Të pranishëm kanë qenë edhe deputetë të Partisë Demokratike të cilët janë revoltuar me policinë.
Ora 21:00 – Pas shumë tentativave policia lejon që të larguarit nga administrata të ngrenë çadra për grevën e urisë. 10 persona futen në çadër për të filluar grevën. Ndërkohë që policia ka shoqëruar në komisariatin nr. 1 një nga pjesëtarët e Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Ora 21:30 – 10 grevistët vizitohen nga deputeti demokrat, Sali Berisha, i cili akuzoi Kryeministrin Rama se me banditë me uniforma rrëmbeu çadrat e grevistëve.
Ora 21:40 – Grevistët vizitohen nga një personel mjekësor, ku autoriteti shëndetësor vendosi një ekip të gatshëm pranë grevistëve.
Ora 22: 45 – Kreu i PD-së, Lulzim Basha, viziton grevistët, duke i bërë thirrje Kryeministrit që të zbatojë ligjin për nëpunësit.





