Gëzim Saliu
Dy ekrane që do të mundësojnë lidhjen live me Kuvendin për ta kthyer protestën në interaktive
Qytetarët do të organizohen në formë rrethi para Parlamentit me kërkesën për largimin e Kryeministrit
Opozita ka thirrur sot në orën 10:00 të paradites protestën popullore kundër trafikut të drogës me kërkesën kryesore për largimin e Kryeministrit Rama. Duke e konsideruar këtë të fundit si përgjegjësin kryesor për situatën aktuale që po kalon vendi me problematikën e drogës, PD dhe opozita theksojnë domosdoshmërinë e ndryshimit. Nisur nga fakti se sot zhvillohet po ashtu edhe seanca parlamentare, ku opozita ka kërkuar shtyrjen e çdo projektligji të përfshirë në axhendë dhe diskutimin në të vetëm të çështjes së trafikut të drogës dhe rastit të Divjakës, demokratët kanë menduar që në protestë të përfshijnë edhe debatin politik në Kuvend. Përmes dy ekraneve që do të vendosen pranë podiumit kryesor, i cili do ngrihet para godinës së Parlamentit, do të krijohet mundësia që protestuesit të ndjekin live punimet e seancës dhe debatin për trafikun e drogës. Kjo është cilësuar si një formë për të krijuar interaktivitet mes protestuesve dhe deputetëve në sallën e Kuvendit, ku temë e përbashkët është pikërisht trafiku i drogës dhe rasti i avionit në Divjakë.
Organizimi
Qytetarët që do t’i bashkohen protestës së thirrur nga opozita pritet të mblidhen rreth orës 09:45 para godinës së PD-së për t’iu drejtuar më pas sheshit përballë Parlamentit. Mënyra e vendosjes së tyre do të jetë specifike në këtë protestë, pasi organizatorët kanë menduar që ato të mos rreshtohen para godinës ku do të zhvillohet seanca parlamentare, por të krijojnë një rreth të madh përqark saj. Mësohet se në dy krahët e podiumit kryesor, do të vendosen 2 ekrane të mëdhenj përmes së cilëve do të krijohet mundësia e lidhjes direkt me diskutimet në Parlament, ku opozita synon që në qendër të tyre të jetë çështja e trafikut të drogës. Po ashtu mësohet se në këtë protestë fjalën kryesore do ta mbajë kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili pritet të shpalosë faktet dhe argumentet për situatën e trafikut të drogës në vend, duke kërkuar largimin e Kryeministrit Rama dhe qeverisë që ai drejton si përgjegjësen kryesore. Partia Demokratike dhe opozita ka kërkuar mbështetjen e të gjithë qytetarëve në protestën e sotme, pa dallim partiak, pasi sipas të djathtëve, asnjë prej tyre, duke përfshirë edhe socialistët që kanë votuar qeverinë aktuale, nuk është dakord me situatën aktuale të trafikut të drogës. Sipas demokratëve, rasti i avionit më 10 maj në Divjakë vërtetoi të gjitha dyshimet e shprehura më parë nga opozita për trafik droge përmes ajrit si edhe mbështetjen e qeverisë ndaj këtij aktiviteti të jashtëligjshëm. Nisur nga kjo, kërkesa kryesore e opozitë është dorëheqja e Kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij si përgjegjëse kryesore për rritjen alarmante, sipas PD-së, të trafikut të drogës në Shqipëri.
Reagimi ndaj Kryeministrit/ PD, Ristani: Shteti është dorëzuar para krimit, policia s’rilindi, por iu këputën krahët
Partia Demokratike akuzoi Kryeministrin Rama se po tenton t’i ikë përgjegjësisë lidhur me trafikun e drogës ku përmes deputetit Arben Ristani theksoi se shteti është dorëzuar para krimit. Duke reaguar mbi deklaratën e kreut të qeverisë në takimin me drejtues të Policisë së Shtetit, Ristani pohoi se Rama dhe ministri i Brendshëm denigruan moralin dhe potencialet e policisë. “Me mendësinë e vitit zero goditën, larguan dhe denigruan mijëra oficerë trima dhe patriotë. Burra dhe gra, të rinj dhe të reja që u përplasën me kurajo dhe fituan mbi krimin dhe që me përkushtimin e tyre ndaj ligjit dhe rendit ja dolën ta fusin Shqipërinë në NATO dhe të heqin vizat për qytetarët shqiptarë. Janë po ata, Rama dhe Tahiri, që denigruan moralin dhe potencialet e policisë duke rifutur në radhët e saj individë të përjashtuar nga vetë ish-ministrat socialistë, për lidhje me krimin dhe me narkotrafikun. Çfarë do mbjellësh do korrësh”, – nënvizoi ai. Më tej, deputeti demokrat deklaroi se Partia Demokratike dhe opozita e paralajmëruan Kryeministrin se fushata e zhbërjes së Policisë së Shtetit do të vijë me një me një faturë të rëndë për rendin dhe sigurinë e vendit. “Sot ai konfirmoi të gjithë shqetësimet e Partisë Demokratike se shteti është dorëzuar para krimit, se policia jo vetëm që nuk ka rilindur, por i janë këputur krahët për të luftuar krimin, ka humbur lidhjet me informacionin dhe kontrollin e terrenit. Tritoli, vrasjet, vjedhjet, grabitjet, janë tregues i dëmit të pallogaritshëm që Rama-Tahiri i kanë shkaktuar policisë. Z. Rama, ti je përgjegjës për shkallmimin e policisë së shtetit. Ti je përgjegjës për këtë situatë të rëndë të sigurisë në vend. Të gjithë shqiptarët kanë sot një hall: nxjerrjen e vendit nga kthetrat e narkotrafikut me mbështetje dhe symbyllje qeveritare”,- u shpreh deputeti i PD-së Arben Ristani.
Deputeti i PD-së/ Islami: Pse protestat nuk janë të parakohshme, Rama jo në pushtet prej 8 muajsh
Deputeti i Partisë Demokratike, Kastriot Islami, deklaroi dje se protestat e opozitës nuk janë të parakohshme por se sipas tij përmes tyre synohet mbështetja e interesave të qytetarëve. Duke vënë në dukje deklaratat e mëparshme të Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry dhe kreut të PPE-së, Joseph Daul, Islami theksoi se SHBA e BE mbështesin protestat popullore kundër oligarkisë, madje bëjnë fjalë sipas tij për “revolucion” në vendet e Ballkanit. “Këto ditë Rama dhe klientela e tij oligarkike kanë hedhur dy teza: 1) Kemi vetëm 8 muaj në qeverisje, na lini kohë dhe është shumë herët që PD të vijë në pushtet pasi ka qenë për 8 vjet. Përgjigjja është sa me poshtë: Rama dhe klientela e tij oligarkike nuk janë në pushtet vetëm prej 8 muajsh, por prej 8 muajsh po konsolidohet një sistem korruptiv e përfaqësues i interesave të oligarkisë i cili është formuar, formësuar, forcuar, shtrirë e zgjeruar që prej 15 vjetësh. Rama, që prej 15 vjetesh, fillimisht, në Bashki, përmes tenderave korruptive dhe lejeve korruptive të ndërtimit ngriti rrjetin klientelist ekonomiko-politik e mediatik. Rama, më tej, që prej gati 10 vjetësh, në krye të PS, promovoi, afroi dhe veshi me kostum politik përfaqësues të kësaj klientele oligarkike duke eleminuar njëkohësisht të gjithë kundërshtarët”, – shkruante Islami në rrjetin social “Facebook”. Sipas deputetit demokrat në këto 8 muaj të pushteti, mazhoranca ka tentuar të marrë në kontroll pushtetin gjyqësor si edhe ka uzurpuar ILDKP-në. “Ne keto 8 muaj po uzurpon AMA-n, agjensinë e mediave audivizuale. Në këto 8 muaj do të finalizojë projektin e Reformës Territoriale me një qëllim të vetëm, krijimin e Pashallaqëve të klientelës oligarkike Rajonale etj. Pra 8 muaj kanë mjaftuar që ky regjim i ngritur prej 15 vjetësh të konsolidohet”, – pohoi Islami, duke theksuar se Kryeministri dhe qeveria po mashtrojnë publikun duke thënë se opozita nuk ka mbështetje ndërkombëtare. “PD dhe opozita, pas skandalit të trafikut shtetëror të drogës me avion, duke përdorur aerodromet ushtarake dhe institucionet civile, ka vendosur të bëjë protesta deri në dorëheqjen e Ramës nga posti i Kryeministrit. Përfundimisht, PD nuk është angazhuar në revolucion siç bën fjalë drejtuesi i lartë evropian, por mbështet e drejton aspiratat e nëpërkëmbura të qytetarëve nga interesat e oligarkisë”, – theksoi deputeti i PD-së.





