Florenc Drizari
Bylykbashi: Sistemi zgjedhor për shumë arsye vendimmarrjeje politike, dështoi
Financimi i dyshimtë i partive politike para dhe gjatë fushatave zgjedhore vazhdon të mbetet një shqetësim në Shqipëri, sipas ekspertëve të kësaj fushe, edhe pas ndryshimeve në ligjin për zgjedhjet dhe Kodit Penal. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, riktheu fenomenin e blerjes së votave në fushatat zgjedhore si një nga shqetësimet më të mëdha për demokracinë në vend, duke aluduar për përdorimin e milionave eurove nga krimi i organizuar në drejtim të partive politike në periudhat zgjedhore.
“Zgjedhjet e fundit patën një nivel të pakrahasueshëm me çdo zgjedhje tjetër. Flitet për miliona euro të hedhura anembanë Shqipërisë për të blerë votën e zgjedhësve nga parti të ndryshme. Duket që kjo të ketë qenë e suksesshme, ato që njerëzit i tregojnë në tryeza informale, sigurisht asnjëherë nuk dalin në mënyrë formale këto lloj bisedash, por në fakt ai është problem shumë i madh. Praktikisht ky financim po rrënon themelin e procesit zgjedhor”, – tha Bylykbashi.
Duke folur për financimin e partive politike, deputeti i opozitës theksoi rrezikun e rikthimit të fenomeneve të evidentuara në zgjedhjet e kaluara dhe për dështimin e sistemit zgjedhor në vend.
“Janë dy mundësi burimi dhe jam i sigurt se të dyja janë prezente në skenën zgjedhore shqiptare. është korrupsioni në të gjitha format e tij dhe është paraja që vjen nga krimi i organizuar. Kur ndërruam sistemin zgjedhor një nga arsyet ishte që mazhoritari po i hapte rrugën parasë me burim të dyshimtë për të penetruar tek të zgjedhurit e më pas në parlament. Mesa duket sistemi zgjedhor këtu për shumë arsye vendimmarrje politike, dështoi. Dështoi sepse ajo që do të bënin krerë të caktuar të partive politike për t’i mbyllur derën kandidatëve që vinin nga një begraund të dyshimtë, nuk e bënë këtë, i hapën derën dhe sot Parlamenti shqiptar është më i prekuri nga parlamentet e fundit nga ky fenomen”, – deklaroi Bylykbashi. Për zgjidhjen e këtij këtyre fenomeneve sipas deputetit të opozitës, duhet vullnet polik mes palëve. Ndërkohë, në fjalën e saj kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterie Luzi, theksoi: “Transparenca është armik i korrupsionit dhe mik i llogaridhënies. është shumë e vështirë të fshehësh korrupsionin dhe praktikat e gabuara në rast se publiku ka dijeni. Praktika ka dëshmuar se konsolidimi i proceseve aspak të lehta, sikundër është edhe kontrolli i financave të partive politike, pa dyshim kërkon dhe do të marrë kohë dhe kjo tryezë është një përpjekje që në bashkëpunim me të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë në këtë proces, të mund të ndikojmë pozitivisht”. Këto qëndrime u mbajtën paraditen e djeshme ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, organizoi tryezën teknike të nivelit të lartë “Financimi i partive politike dhe fushatave zgjedhore”. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Florian Raunig, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, zëvendëskryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore në Kuvendin e Shqipërisë, Oerd Bylykbashi, shefi i Projektit të Këshillit të Europës për Vlerësimin e Kuadrit Antikorrupsion në Shqipëri, Quentin Reed, përfaqësuesi i Misionit të OSBE/ODIHR, Marcin Walecki.
Ambasadori i OSBE-së, Raunig
Ndonëse kuadri ligjor për financimin e partive politike është përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë këtyre viteve të fundit, zbatimi i duhur i tij ende çalon. Përveç kësaj, duhet të adresohen mangësitë që kanë mbetur në legjislacion. Për shembull, ligji nuk ofron transparencë të mjaftueshme në raportimin e fondeve të fushatës, pasi nuk vendos detyrime ligjore për bërjen e tyre publike para ditës së zgjedhjeve.





