Ervin Kaduku
– Këtë vit taksat për qytetarët dhe biznesin u rritën në total me 200 milionë dollarë mbi nivelin e tyre të vjetshëm. FMN thekson se ka një marrëveshje trevjeçare me qeverinë shqiptare, ku kjo e fundit ka marrë përsipër rritjen e mëtejshëm të tyre…
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, që ushtroi kontrollin e tij për dy javë rresht mbi ekonominë shqiptare, arriti në konkluzionin se të paktën dy nga premtimet më të bujshme të ekzekutivit “Rama” është e vështirë të mbahen. Së pari, në fushën e kompensimit të pronarëve, që lidhet edhe me legalizimet “gratis” që sjell një mega-faturë të papërballueshme. Dhe, së dyti, lidhur me koston nga humbjet e mëdha të energjisë elektrike.
“Ne kemi qenë këtu për dy javë për të bërë rishikimin e programit të FMN-së, – tha Nadeem Ilahi, përfaqësuesi i FMN-së për Shqipërinë në një konferencë të orëve të vona për shtyp, para se të nisej për në Uashington. – Së bashku me kolegët kemi bërë diskutime intensive për të realizuar një analizë të tremujorit të parë të këtij viti dhe vlerësim të situatës në vijim”.
Sipas tij, rritja ekonomike këtë vit do të jetë 2%, pritet një rimëkëmbje e kërkesës së brendshme si dhe zgjerim i eksporteve. Por, nga ana tjetër, “është e rëndësishme të theksohet se aktiviteti ekonomik vazhdon të jetë i dobët, nën potencialin e vet”, – shtoi përfaqësuesi i Fondit. Pritet që presionet inflacioniste të mbeten të ulëta.
FMN që para se të vijë gjysma e vitit, po shfaq përpjekjet paternaliste për të kontrolluar edhe përgatitjen e buxhetit të vitit të ardhshëm. Ilahi tha se u diskutua për buxhetin e vitit të ardhshëm dhe për këtë “do të flasim më gjerësisht në misionin e radhës në shtator”. Autoritetet kanë konfirmuar se do të bëjnë përpjekje për të përmbushur objektivat afatmesëm të programit, tha ai.
Rritja e kredisë së keqe vazhdon të mbetet një faktor negativ dhe kjo, sipas FMN-së, lidhet me problemet e vazhdueshme të bankave si ekzekutimi i kolateraleve dhe risku i bankave.
Një prej problemeve të diskutuara, tha shefi i FMN, lidhet me rreziqet fiskale, që i kanosen buxhetit, një prej të cilëve lidhet me energjinë. Në këtë aspekt një risk të konsiderueshëm vjen nga humbjet në sistemin e shpërndarjes. Ky rrezik duhet adresuar sepse mund të shkaktojë probleme në buxhet.
“Ne diskutuam dhe problemet që mund të vijnë në buxhet nga kompensimet e mundshme të pronave”, tha ai.
Sa i takon hapave në të ardhmen, tha Ilahi, Bordi do t’i shqyrtojë gjetjet e misionit për të konkluduar zyrtarisht me rishikimin e fazës së parë dhe pas miratimit të këtij shqyrtimi do të lëvrohet kësti i radhës, që është rreth 26.5 milionë euro.
Nga ana e tij, ministri i Financave Shkëlqim Cani ka pohuar në një konferencë të përbashkët për shtyp me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, se viti 2013 ka qenë më i vështiri që nga viti 1997, ka pasur probleme me besimin e konsumatorëve dhe rënie të kërkesës së brendshme për konsum.
Ministri njoftoi edhe përgatitjen e amendimeve për dy ligje të rëndësishme. “Është dorëzuar kodi i ri doganor, që pret mbledhjen e ardhshme të qeverisë për të kaluar. Është dorëzuar dhe projektligji i ri për TVSH, që do të marrë rrugën për në Kuvend”, – tha ministri i Financave.
Rritja e taksave
Kërkesa e Fondit Monetar për qeverinë shqiptare do të vijojë të jetë ajo e rritjes së barrës së taksave, sipas fjalëve të përfaqësuesit të lartë të këtij institucioni financiar ndërkombëtar. Sërish borxhi mbetet shqetësim dhe FMN kërkon të tjera ndërhyrje tek taksat në buxhetin e ardhshëm, tha Ilahi.
“Për këtë vit nuk shohim nevojë për masa shtese. Por, siç e dini, ne kemi një program trevjeçar me qeverinë, i cili parashikon tre raunde konsolidimi fiskal. Pra, vitin tjetër duhet një buxhet që e mban parasysh këtë. Ne kemi diskutuar me qeverinë se në çfarë taksash mund të ndërhyhet, vjet në shtator, kur u hartua buxheti i 2014-ës. Në atë kohë i vendosëm në tavolinë një numër të madh masash, nga të cilat ajo duhet të vendosë se kë do të zgjedhë. Ajo meny është ende aty. Pra, qëndrimi ynë për qeverinë është se ka nevojë për konsolidim fiskal. Vendosni ju se si do ta arrini këtë”, – deklaroi Ilahi.Këtë vit taksat për qytetarët dhe biznesin u rritën në total me 200 milionë dollarë. Por sa mendon FMN se duhet të jetë barra e re shtesë, ose masa e konsolidimit për vitin e ardhshëm?
“Është e vështirë ta thuash tani. Përshtypja ime është se do jetë diçka më pak se këtë vit. Por sërish kjo do të duhet të vlerësohet më vonë për të parë ku është pozicioni fiskal i vendit. Nëse të ardhurat kanë ecuri te mirë, nëse shpenzimet mbahen të ulëta, atëherë edhe masa e konsolidimit ndryshon”, – shtoi ai.





