“Lufta kundër krimit dhe drogës”/ Rama inkurajon policinë, prokuroria dhe KLD-ja të bëjë detyrën

Florenc Drizari

Kryeministri: Është ora që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të bëjë detyrën, sepse një popull i tërë po poshtërohet përditë nëpër gjykata

Tahiri 0 Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një takim me drejtues të Policisë së Shtetit. Takimi i kreut të qeverisë erdhi një ditë pas deklaratave të tij publike për çështjen e avionit të kapur në Divjakë dhe drogës së sekuestruar. Edhe pse Rama nuk foli konkretisht për këtë ngjarje, ai inkurajoi forcat e policisë të bëjnë detyrën, duke theksuar se qeveria do të mbështesë misionin e tyre edhe me anë të një reforme të re ligjore.

“Nuk kemi asnjë alibi ne për të kërkuar, çka po korret sot, është mbjellë dje, çka do të korret nesër do të mbillet në vijim, së shpejti. Kudo ku do të mbillet për mirë do të jetë pa asnjë dyshim rruga jonë, kurse kudo që do të mbillet për keq, drogë, për t’i bërë dëm këtij vendi, aty do të ndahet rruga jonë nga ata që skllavërojnë shqiptarët nëpër plantacione dhe që përfitojnë nga një rrugë e gjatë poshtërimi e Policisë së Shtetit dhe me këdo brenda Policisë së Shtetit që do të kërkojë të përfitojë duke mbyllur sytë përpara këtyre plantacioneve”, – u shpreh Rama. Duke folur për misionin e vështirë që ka policia e shtetit në përballjen me krimin që sa vjen e fuqizohet edhe falë lidhjeve ndërkombëtare dhe teknologjisë, Kreu i ekzekutivit i bëri thirrje edhe organeve të tjera të hetimit dhe të drejtësisë, që të bëjnë punën e tyre dhe të ndihmojnë në këtë luftë të përbashkët siç e quajti ai, përballjen me fenomenet kriminale. Më konkretisht Rama u ndal tek prokuroria dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

 

Për Prokurorinë dhe KLD-në

“Sigurisht, e dimë që puna juaj mund të jetë shumë më e mirë, jo vetëm për arsyet tuaja, por edhe për arsye të institucioneve të tjera. Për këtë arsye nuk është vetëm ora që Policia e Shtetit të hyjë në një fazë të re, në fazën e dytë të luftës me drogën dhe me trafikun e drogës; është edhe ora që Prokuroria e Republikës të hyjë në një fazë të re, në fazën e dytë të një marrëdhënieje që është vendosur në mirëbesim e që është vendosur me vetëdijen së çdo institucion duhet të bëjë detyrën dhe se ne nuk jemi këtu për të drejtuar institucionet e pavarura, por nga ana tjetër edhe me bindjen se çdo institucion i pavarur është i pavarura nga çdo gjë, por jo nga kushtetuta dhe nga ligji; Është ora që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të bëjë detyrën, sepse një popull i tërë po poshtërohet përditë nëpër gjykata dhe nga gjykatës që siç tregojnë dokumentet tuaja të bëra me dije edhe Presidentit të Republikës nga Ministri i Brendshëm, e kanë gjënë më të lehtë në botë që të lëshojnë rrugëve kriminelë, që ju mezi i kapni”, – deklaroi Rama.

 

Byroja Kombëtare e Hetimit

Duke folur për Byronë Kombëtare të Hetimit, Rama tha se pret me padurim ligjin e ri që sipas tij, do të bëjë ndryshimin në koordinimin e punës së forcave të rendit dhe hetimet më të specializuara ndaj krimit të organizuar. “Në Byronë Kombëtare të Hetimit, që pa as më të voglin dyshim do ta ngrejë në një cilësi të re, gjithë punën hetimore të Policisë së Shtetit. Pa asnjë lloj dyshimi do ta ngrejë në një cilësi të re edhe marrëdhënien me Prokurorinë e Republikës”, – theksoi Kryeministri Rama.

 

 “Droga në Divjakë”/ Tahiri: Operacioni, jo më i vështiri, të pavërteta prodhohen dhe konsumohen vetë

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjatë takimit që pati bashkë me Kryeministrin Rama me drejtuesit e policisë, theksoi disa nga arritjet e forcave të policisë në aksionet e kapjes së drogës. Ministri Tahiri kërkoi që lidhur me ngjarjen e Divjakës, hetimet të vazhdojnë, ndërsa foli edhe për të pavërteta që janë ngritur e që, sipas tij, konsumohen nga vetë ata që i thonë.

“Jam shumë i bindur që për ju dhe punonjësit e policisë së shtetit, ky nuk ishte ndër operacionet më të vështira. Siç jam plotësisht i bindur që sikur vëmendja e medias dhe e publikut të ishte kaq e lartë për çdo operacion policor të zhvilluar në këto muaj, ku janë kapur jo dy individë, por organizata kriminale mjaft të rrezikshme dhe ku janë sekuestruar jo qindra kile, por tonelata lënde narkotike, pa asnjë dyshim, shoqëria do ishte më e qetë nga turbullira që i ka shkaktuar vrulli i të pavërtetave që i prodhojnë vetë dhe pastaj i konsumojnë vetë”, – deklaroi ministri. Tahiri tha më tej se politika në vend që të sulmojë krimin sulmon policinë, ndërsa apeloi se institucionet përkatëse duhen lënë të bëjnë punën e tyre, të hetojnë.

 

 

 

Share it :