Ervin Demo: Një nxënës i shkollës së mesme, duhet të ketë një standard minimal akademik
Pas deklaratave të krerëve të qeverisë për fillimin e reformës për arsimin e lartë, janë ngritur grupet e punës, ndërkohë që në të njëjtën kohë, kanë ardhur edhe propozimet e para. Profesorë të universiteve theksojnë domosdoshmërinë e rikthimit të mesataresh si kriter në shkollat e larta. Ndërkaq, ky proces ka hyrë në rrjedhën e punimeve të Kuvendit, ku Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, pritet të diskutojë të hënën projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar””.
Paralelisht me këtë proces Komisioni për reformën në arsimin e lartë ka përgatitur draftin e parë me ndryshime themelore, i cili para se të arrijë në fazën e tij finale do të konsultohet më parë me grupet e interesit.
Zëvendësrektori i Universitetit të Tiranës, Ervin Demo, i cili është pjesë e këtij komisioni, tha se këtë javë do të nisin konsultimet me përfaqësuesit e universiteteve publike: “Javën tjetër fillon në mënyrë zyrtare marrja e mendimit në nivel departamenti, në nivel këshilli fakulteti dhe vetë senati i Universitetit të Tiranës do të japë mendimin e vet. Të gjitha mendimet do t’i vihen para komisionit dhe do të shqyrtohen të gjitha opinionet.”,-deklaroi Demo për TCH.
Aktualisht Komisioni po punon për ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë, i cili pritet të kalojë në korrik në komision. Financimi i universiteteve publike dhe rritja e cilësisë së tyre është një pikë shumë e rëndësishme, çka do të kërkojë rritje të tarifave, por edhe shtim të financimit nga buxheti i shtetit: “Që të rrisim standartet e cilësisë, duhet patjetër që universitet publike të mbështeten.”
Profesorët që po merren me reformën në arsimin e lartë kanë vendosur një mesatare për hyrjen e nxënësve në universitete. Por, për çdo të ri që nuk e arrin këtë prag apo kërkon të profilizohet në arsimin profesional, për të cilin tregu i punës ka mjaft interes, do të aplikohen diplomat profesionale 2-vjeçare: “Një nxënës i shkollës së mesme, nëse dëshiron të vazhdojë arsimin e lartë, duhet të ketë një standard minimal akademik. Do të ketë diploma post-sekondare, të cilat janë 2-vjeçare universitare profesionale.”
Reforma për arsimin e lartë synon rritjen e cilësisë së uinversiteteve publike, çka do të thotë që mësimdhënia, kurrikulat, por edhe kërkimi shkencor duhet të jenë në nivele shumë më të larta.





