Seancë plenare/ Mazhoranca miraton me 74 vota ndryshimet për reformën territoriale, opozita kundër

 

 Florenc Drizari

 

Opozita: Mazhoranca minoi konsensusin, propozimet nuk zgjidhin çështjne e reformës

 

ilir metaKuvendi i Shqipërisë miratoi pas një seance maratonë prej 13 orë debatesh, ndryshimet në komisionin e posaçëm për reformën administrativo-territoriale. Me 74 vota pro nga mazhoranca dhe 14 vota kundër nga opozita, Kuvendi miratoi ndryshimet në projektligj që parashikojnë reduktimin e votave të opozitës duke i kaluar shumicën në komision mazhorancës. gjithashtu Kuvendi votoi me shumicë votash që deputetja e LSI-së, Blerina Gjylameti të jetë anëtarja e re e komisionit, anëtarët e opozitës u shprehën se nisma e mazhorancës është një iniciativë që nuk e zgjidh çështjen dhe që përkeqëson frymën e konsensusit në vend.

Ndërkohë, në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, tha se miratimi i vendimit për ndryshimin e përbërjes së komisionit të posaçëm për reformën administrativo-territoriale, vjen si një detyrim për skadimin e afateve për faktin se opozita nuk mori pjesë prej disa muajsh në këtë komision. Gjithashtu Meta deklaroi se opozita e ka të hapur derën e këtij komisioni, pasi sipas tij, në momentin kur pakica parlamentare do të bëhët pjesë atëherë përbërja e komisionit të posaçëm do të funksionojë me të drejtë vote edhe për të djathtën. “Opozitës edhe pse i mungon besimi, besoj se hap pas hapi edhe ajo do të jetë e interesuar të marrë pjesë. Askush nuk e pengon opozitën që në çdo moment të bashkohet në këtë komision. Në rast se bashkohet, komisioni do të funksionojë ashtu siç është deri tani pa u ndryshuar përbërja. Nuk ka asnjë arsye që të mos miratohet ai variant, por Shqipëria nuk mund të vazhdojë më të ketë 400 kryetar bashkisë dhe 400 komunash dhe kemi katër qind mijë probleme me administrimin e ujit të pijshëm, mbeturinave, etj etj”,-deklaroi Meta. Në fjalën e tij, kryetari i PS-së në komisionin e posaçëm për reformën administrativo-territoriale, Bashkim Fino, theksoi se miratimi i kësaj reformë është domosdoshmëri për mirëfunksionimin e pushtetit vendor.

“Të gjitha njësitë sot varen totalisht nga buxheti i shtetit. pesëdhjet për qind e komunave nuk mbledhin dot as taksat e tyre. 71 komuna kanë nivelin e taksave vendor zero. Vetëm për pagat komunat e Shqipërisë harxhojnë 25 milionë dollarë dhe asnjë shërbim ndaj qytetarëve. Pra kemi një problem shumë të madh demografik.”,-deklaroi Fino.

Kreu i PR-së, Fatmir Mediu tha se mazhoranca nuk i mori votat në zgjedhjet e 23 qershorit për të miratuar e vetme këtë reformë pa konsensusin e opozitës, ndërsa theksoi se qëndrimet se opozita do të bllokonte këtë refomë duke përdorur veton, janë të pabaza.

Deputeti i opozitës, Ardian Turku deklaroi se reforma e propozuar nga mazhoranca, nuk mund të jetë reforma që mund të zgjidhë problemet vendore. Sipas tij, reforma territoriale nuk mund të realizohet pa kosensensus, përndryshe tha ai ajo do të jetë e cunguar. Në fjalën e tij, Turku foli për një reformë të gjerë dhe që duhen të preken ligje të tjera e pse jo ndërhyrje edhe në Kushtetutë që kjo reformë të ketë sukses.

 

 

Ngrihet komisioni hetimor për “drogën” si dhe anëtarët PS-së e PD-së

Mazhoranca me 73 vota pro projektvendim “Për krijimin e Komisionit Hetimor të Kuvendit për hetimin “Mbi implikimin e Forcave të Armatosura dhe bazave ushtarake në veprimtari kriminale – transportin e lëndëve narkotike”. Edhe pse parimisht pati konsensus pozitë-opozitë lidhur me objektin e çështjes, palët nuk gjetën konsensus për amendamentet e opozitës. gjithashtu Kuvendi miratoi edhe emrat e anëtarëve të komisionit, ku nga PS-ja do të jenë deputetët Felaj, Çcuko, Lutaj e Caka, ndërsa nga opozita deputetët, Bylykbashi, Strazimi, Ristani dhe Ademi.

Më herët palët shkëmbyen replika të ashpra mes tyre. Fillimisht kreu i grupit parlamentar socialis Gramoz Ruçi u shpres se: “Nëse është një lajm i keq që nuk merr pjesë tek komisioni për reformën administrativo-territoriale, është lajm i mirë që merr pjesë në komisionin hetimor. Nuk mund të flitet për baza ushtarake që transportojnë drogë. Nuk është Shqipëria as kultivuese dhe as konsumatore e droges, nëse është një fenomen i caktuar në një fshat të caktuar apo në një zonë të caktuar, kjo nuk është e gjithë Shqipëria. Shqipëria nuk konsumon drogë”. Nga ana e tij, ish-kryeministri Berisha kërkoi që kjo çështje të merret seriozisht dhe mos të injorohen raportimet e ndërkombëtarëve. Gjithashtu opozita akuzoi edhe mungesën e raportimit të ministres Kodheli në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.

 

Share it :