Majlinda Kelmendi ka arritur një tjetër sukses të madh për vetën dhe vendin e saj. Majlinda u shpall kampione në kuadër të Evropianit që po zhvillohet në Francë, duke e fituar medaljen e saj të parë të kampiones në një ngjarje të tillë. Kjo është medalje e saj e dytë madhore, pas titullit botëror të fituar vitin e kaluar. Xhudistja nga Peja ka arritur të shpallet kampione në kuadër të Kampionatit Evropian që po mbahet në Francë. Kelmendi triumfoi në kategorinë e saj -52 kg, për ta fituar medaljen e saj të parë të artë në një Evropian. Majlinda u tregua më e suksesshme se rusja, Natalia Kuziutina, në finale, duke e mposhtur atë me pikë. Ky është suksesi i radhës për Kelmendin, pasi vitin e kaluar e fitoi medaljen e artë në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Rio. Kelmendi ka qenë në top-formë këtë vit, duke e fituar medaljen e artë edhe në dy turnet paraprak, në Samsun të Turqisë dhe në Paris, duke vazhduar kësisoj dominimin e saj absolut në xhudon botërore.
Rumenige: “Allianz Arena” për Realin ferr
Karl-Hajnc Rumenige, shefi ekzekutiv i Bajernit të Mynihut dhe një zë autoritar në klubin bavarez, u përpoq të motivonte lojtarët pak pas humbjes në shtëpinë e Realit të Madridit, duke paralajmëruar se takimi i kthimit nuk do të jetë aspak i lehtë për madrilenët e Karlo Ançelotit. “Pas takimit kam përshtypjen se ata që janë përgjegjës te Reali nuk kanë mbetur të kënaqur me këtë rezultat në fushën e tyre. E dinë mirë se çfarë i pret në Mynih, do të jenë mbi 70 mijë tifozë që do të mbështesin skuadrën e tyre”, – ka deklaruar legjenda gjermane.
Bartra, në lidhje dashurie me një gazetare?
Sipas asaj që shkruan “El Mundo Deportivo”, mbrojtësi i Barcelonës, Mark Bartra, është një lidhje dashurie me gazetaren e re Melisa Himenez. Lidhja e tyre ka nisur muaj më parë, ndërsa reporterja e “Moto GP” është parë javët e fundit në “Camp Nou” duke parë ndeshjet e katalanasve së bashku me mikeshën e saj Koral Simanoviç, e dashura e futbollistit tjetër blaugrana Serxhi Roberto. Përveç futbollit, Melisa është e apasionuar edhe pas motorëve dhe këtë nuk e tregon vetëm puna e saj, por edhe fotot e saj.
Suarez kthehet në yll rroku
Me miliona njerëz që i veshin fanellën dhe i thërrasin emrin çdo ndeshje, Luis Suarezit ka të gjithë të drejtën e botës të ndihet një “rock star”. Sulmuesi uruguajan i Liverpulit, i njohur jo vetëm për golat e tij, por edhe për “kafshimin” e famshëm ndaj Branislav Ivanoviçit, është bërë pjesë e reklamës më të fundit të Pepsit me titull “Born to be wild” (I lindur për të qenë i egër). Autori i 30 golave me Liverpulin këtë sezon, edhe pse mungoi për disa javë për shkak dënimi, Suarez shfaqet në këtë spot me një kitarë në dorë dhe gjithçka tjetër që duhet për t’u quajtur një rock star.





