Dhuna/   Grushte shefit të rendit, goditen 3 efektivë të patrullës

Anxhela Tato

 

Lushnjë, konflikti për zërin e lartë të muzikës, pronari i lokalit sulmon punonjësit e policisë

 Kukës, dhunohet shefi i rendit, ndërhyri pas denoncimit të tri vajzave për ngacmim

 

 

policiDhunohet shefi i rendit të Kukësit dhe prangosen tre efektivë policie në Lushnje. Vetëm brenda 24 orëve janë regjistruar dy raste të kundërshtimit dhe ushtrimit të dhunës fizike ndaj uniformave blu, ndërsa është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorëve. Rasti i parë është shënuar mëngjesin e së enjtes në Lushnjë, ku shkak i konfliktit është bërë volumi i muzikës së një lokali. Nga ana e efektivëve blu është kërkuar mbyllja e lokalit, duke qenë se muzika e lartë ishte bërë shqetësuese për banorët. Por, pronari i ambientit nuk i është përgjigjur urdhrit, duke e kundërshtuar dhe situata ka degraduar në konfrontim fizik dhe goditjen e policëve. Ndërsa nga ana e forcave të policisë është bërë e mundur arrestimi i pronarit dhe tre të afërmve të tij si dhe shpallja në kërkim e një personi. Ndërkohë, në Kukës kanë qenë tri vajza, të cilat kanë denoncuar disa djem për ngacmim. I menjëhershëm ka qenë reagimi i shefit të rendit, i cili ka ndërhyrë, por tre djemtë kanë goditur dhe dhunuar E. Dervishin, i cili ka pësuar dëmtime të lehta. Policia ka identifikuar dhe arrestuar tre autorët, që kanë guxuar të dhunojnë uniformën blu, përfaqësuese e rendit dhe e sigurisë së qytetarëve.

 

Ngjarjet

 Dhunohen me mjete të forta tre punonjës të policisë së Lushnjës. Ngjarja është shënuar rreth orës 01:50 të natës në lokalin në pronësi të shtetasit Adem Xhepexhiu në lagjen “Loni Dhamo”, ku pronari i lokalit së bashku me Sokol, Bardhyl dhe Marjus Xhepexhiun kanë kundërshtuar punonjësit e Patrullës së Përgjithshme të Policisë për mbylljen e lokalit për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Këta shtetas janë konfrontuar fizikisht duke goditur me mjete të forta punonjësit e Patrullës së Përgjithshme të Policisë si dhe dy mjetet e tyre. Aktualisht një punonjës policie ka marrë dëmtime në kokë dhe vazhdon të marrë mjekim pranë ambienteve të spitalit, ndërsa dy punonjësit e tjerë, pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore janë larguar. Policia bën të ditur se ka arrestuar Adem, Sokol dhe Bardhyl Xhepexhiun, ndërsa ka shpallur në kërkim Marjus Xhepexhiun. Mbi ta rëndon akuza për veprat penale “Prishje të rendit e qetësisë publike”, “Kundërshtim të punonjësit të rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrim prone”. Ndërkohë, tre persona janë vënë në pranga nga polica e qytetit të Kukësit, pasi akuzohen se kanë goditur me grushte shefin e rendit. Sipas policisë, E. Dervishi kishte ndërhyrë pas ankesës së disa vajzave. Blutë e Kukësit theksojnë se vajzat ishin ankuar te shefi i rendit për ngacmim.

 

 

Greqi/ Sherr mes 2 të burgosurve shqiptarë, vritet me thikë i dënuari

 Një sherr mes dy të burgosurish shqiptarë në burgun e Patras ka degraduar në konfrontim fizik, duke sjellë edhe vdekjen e njërit prej tyre. Sipas asaj që raportojnë mediat greke, një i burgosur shqiptar ka qëlluar për vdekje me thikë një tjetër të burgosur shqiptar. Sipas autoriteteve greke, nuk dihet ende shkaku i zënkës mes tyre. Mësohet se autori i krimit ishte i dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa viktima ishte i dënuar për grabitje. Ndërkohë, identiteti i dy të burgosurve nuk bëhet ende i ditur, ndërsa vijojnë hetimet nga pala greke për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nga të dhënat e policisë mësohet se konfrontimi ka qenë për shkaqe banale dhe ka ndodhur në momentin e orarit të ajrimit. Ndërkohë që policia helene po mban të fshehura gjeneralitetet e të burgosurve, për arsye hetimore, mësohet se në burg janë dyfishuar masat e sigurisë. Në mediat greke komentohej se siguria e ulët në burgje është iniciuesi dhe shkaktari i këtyre ngjarjeve, të cilat krijojnë precedent. Ndërsa përmendej edhe krimi i kryer nga Ilia Kareli, i cili arriti që të siguronte një armë të ftohtë, duke i marrë jetën gardianit të burgut. Në shkrimin e medias greke renditeshin disa ngjarje të rënda kriminale, ku personazhe kryesore kanë qenë të burgosur shqiptarë. Por, paralelisht me këtë çështje, trajtohej edhe rasti i dhunimit çnjerëzor ndaj Ilia Karelit, ku përgjegjësia bie mbi gardianët dhe drejtorin e burgut. Ndërsa po vijojnë hetimet për këtë krim të ndodhur, është kërkuar shtimi i numrit të gardianëve në patrullime në orarin e ajrimit për të dënuarit si dhe kontrolle të befasishme në qeli për gjetjen e sendeve të ndaluara, siç kryesisht në pjesën më të madhe të rasteve janë thika artizanale, të krijuara nga vetë të dënuarit.

 

 

KLD/ Pezullohet nga detyra gjyqtari Pojanaku, inspektim punës së 1 viti

Pa u mbushur ende 24 orë nga deklarimi i arrestimit të gjyqtarit të Pogradecit, si dhe kërkesës së kryeprokurorit për arrestimin e tij, mesditën e djeshme është mbledhur urgjentisht KLD, që i ka hequr imunitetin gjyqtarit Dhimitër Ponjanaku. Pas kësaj procedure, Prokurorisë i është hapur rrugë për hetimin e gjyqtarit. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi të autorizojë sot Prokurorinë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale penale për Dhimitër Pojanaku, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Pogradec”, – thuhet në njoftimin e KLD-së. Më tej ky institucion bën me dije se “në vijim të mbledhjes së jashtëzakonshme, me unanimitet Këshilli vendosi pezullimin nga detyra të Dhimitër Pojanakut, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec, deri sa të merret një vendim gjyqësor i formës së prerë”. Gjithashtu, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kanë vendosur edhe miratimin e kërkesës së zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për inspektimin e veprimtarisë për një vit të gjyqtarit Dhimitër Pojanaku, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec. Këshilli i Lartë i Drejtësisë u njoh nga Prokuroria e Përgjithshme për arrestimin e gjyqtarit të Korçës, Dhimitër Pojanaku.

 

 

Tiranë/ U gjet i pajetë, mjekësia ligjore, thirrje për identifikimin e kufomës

Mjekësia ligjore ka bërë thirrje për identifikimin e një kufome. Personi i pajetë është aksidentuar një ditë më parë rreth orës 15:00 te Rruga e Elbasanit. Sipas mjekësisë ligjore, kufoma i përket një mashkulli rreth 80 vjeç, me mustaqe, pa flokë dhe 1.83 cm i gjatë. Ka të veshur një këmishë me vija të kuqe dhe një triko gri.

 

 

Gjirokastër/ Vodhi në konvikte, pranga studentit

 Një student është arrestuar ditën e djeshme nga polica e Gjirokastrës i akuzuar për vjedhje. Blutë e këtij qyteti bëjnë me dije se kanë vënë në pranga të riun I. Kutallari, student në Universitetin “Eqrem Çabej”. Ai akuzohet se ka kryer vjedhjen e tre studentëve të tjerë në konvikt. Sipas policisë, për të kryer vjedhjet i riu është ndihmuar edhe nga dy vajza, K. K. dhe E. L. Blutë e Gjirokastrës kanë vendosur që dy vajzat të ndiqen në gjendje të lirë.

Share it :