Florenc Drizari
Mashoranca mohon akuzat: Avionët janë për dezinfektimin e mushkonjave
Debatet për përfshirjen e mundshme të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në trafiqet e drogës u rikthyen sërish pas një javë në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët e opozitës publikuan të dhëna të reja duke aluduar për përfshirjen e strukturave të armatosura në trafiqe droge me avionë të ndryshëm që mund të jenë ulur në zonën e Divjakës, Gjadrit, në rrugën Levan-Tepelenë etj. Gjithashtu përfaqësues të opozitës akuzuan krerët e mazhorancës, ministren e Mbrojtjes Mimi Kodhelin si dhe Kryeministrin Edi Rama për heshtjen e treguar gjatë këtyre ditëve ndaj këtij siç pranon ta quajë e djathta, ndërkohë që përfaqësues të qeverisë theksuan se asnjë nga qëndrimet e opozitës nuk është e vërtetë. Ish-kryeministri Sali Berisha tha se burime të forcave inteligjente të ushtrisë konfirmojnë përfshirjen e këtyre strukturave në operacionet e drogës.
“Dua t’ju informoj ju me përgjegjësi të plotë se Shërbimet Inteligjente të Ushtrisë dhe shërbimet e tjera ushtarake, sipas burimeve të pa kundërshtueshme të Forcave të Armatosura, të cilët urrejnë mashtrimet dhe krimin që po i kaplon, kanë informuar me kohë të përbetuarën këtu para jush (Kodhelin) mbi gënjeshtrën. Ky përbetim është i një njeriu të papërgjegjshëm, i Edi Ramës, i cili ka filluar të gllabëroje pronat e ushtrisë në mënyrë të paimagjinueshme”, – deklaroi Berisha.
Deklaratat e ish-kreut të qeverisjes së PD-së, u bënë pas qëndrimeve të mbajtura nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila theksoi se nuk ka fakte dhe prova që Forcat e Armatosura të jenë përfshirë në operacione të tilla.
“Ju zotërinj nuk keni asnjë provë. Nuk ka asnjë provë të vetme dhe fakt të vërtetuar që fa janë të implikuara në veprime kriminale për të cilat janë folur kaq shumë këtë javë. Nuk keni akuzuar vetëm FA por gjithë këtë vend. Nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt”, – u shpreh Kodheli.
Pas këtyre deklaratave, replikat vazhduan mes ish-kryeministrit Berisha, kreut të qeverisë Edi Rama dhe Kryeparlamentarit Ilir Meta. Dy krerët e mazhorancës mohuan akuzat e opozitës, duke ironizuar qëndrimet e pakicës parlamentare edhe me operacionet e ministrisë së Shëndetësisë për dezinfektimin e mushkonjave në vijën bregdetare, atë të Divjakës, zonë në të cilën PD pretendon se janë ulur avionë për transportin e drogës.
“Ka mundësi të ketë ndodhur një keqkuptim shumë i madh, sepse ka nis një aksion i Ministrisë së Shëndetësisë për spërkatjen në Divjakë prej kohësh edhe prandaj kanë vajt ato sms se spërkatja bëhet gjatë kohës që nuk ka diell, bëhet në periudhë të errët dhe ka mundësi që edhe në Gjadër të jenë përsëri helikopterët që bëjnë spërkatjet në Shëngjin se kishte njëzet e ca vjet Shqipëria pa spërkatje në sezonet turistike”, – deklaroi Meta.
Ndërsa Kryeministri Rama u shpreh pas fjalës së Metës: “Pikërisht këtë doja të thosha, duke dëgjuar se doktorit i shkojnë sms se çdo natë avionët ulen mbi Divjakë. Nuk janë avionët, por janë mushkonjat që kanë 25 vjet qyshse doktori mori shtetin në dorë që nuk i hedh më njeri asnjë lloj helmi dhe kështu që janë kthyer si avionë të droguar që pickojnë vazhdimësisht opozitën sot dhe opozita me drogën që merr nga mushkonjat, vjen këtu e pickuar dhe përpiqet të pickojë opinionin publik, por është stina e fundit kjo sepse javën që vjen fillon dezinfektimi”.
Replikat Imami-Braçe për itineraret e avionëve dhe dokumentin nga SHISH-i
Pas shkëmbimit të debateve dhe batutave mes ish-kryeministrit Sali Berisha, Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeparlamentarit Ilir Meta, replikuan ashpër për çështjen e përfshirjes së mundshme të forcave të ushtrisë në operacionet e drogës edhe deputetët Arben Imami nga radhët e opozitës dhe Erjon Braçe nga shumica parlamentare. “Policia ka informacion. Më 19 mars, në orën 7 të mëngjesit, ditën për diell, një avion i bardhë i cili vjen e ulet shpeshherë dhe kjo ishte pika e fundit, pasi është raportuar gjithandej, jo vetëm për Divjakën, por edhe për rrugën Tepelenë Gjirokastër ku ulen si në Kolumbi avionë të vegjël për transport droge. Është e pabesueshme, por zotërinjtë kanë informacion për këtë. kanë informacion për uljet në Gjirokastër, për uljet në Divjakë, për uljet në Gjadër dhe ne po ju themi a keni informacion dhe çfarë masash po merrni?”, -deklaroi Imami. Ndërsa në replike me të, deputeti Erjon Braçe, njëherësh edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë, tha se të njëjtat dokumentet i disponon edhe ai dhe se ato shkresa nga shërbimet inteligjente nuk përbëjnë prova. “Z. Imami, ti ke një shkresë të SHISH-it dhe përmbajtjen sapo e citove këtu, me një gabim të vogël që nuk përmendi Divjakën. Në atë shkresë nuk përmendet Divjaka. Në atë shkresë nuk ke një provë. Unë i kam provat. Në zyrën tuaj i kam marrë dhe mos bëni sikur nuk kuptoni tani. Po jua them edhe njëherë tjetër, ajo shkresë që citon z. Imami, nuk flet as për fakte e as për prova. Ajo shkresë bën fjalë për të dhëna që vetë shërbimi i ka në proces verifikimi për t’i vërtetuar. E gjithë kjo që po bëni këtu ka një kosto edhe për juve, por edhe për vendin”, – deklaroi Braçe.
Zbardhje debatesh dhe batutash në Kuvend mes Berishës, Ramës e Metës për “Ushtrinë” dhe “mushkonjat”
Sali Berisha: Lidhur me çështjen e avionit dhe të trafikut të drogës në Gjadër, unë dua t’ju informoj ju me përgjegjësi të plotë se Shërbimet Inteligjente të Ushtrisë dhe shërbimet e tjera ushtarake, sipas burimeve të pa kundërshtueshme të Forcave të Armatosura, të cilët urrejnë mashtrimet dhe krimin që po i kaplon, kanë informuar me kohë të përbetuarën këtu para jush (Kodhelin) mbi gënjeshtrën. Ky përbetim është i një njeriu të papërgjegjshëm, i Edi Ramës, i cili ka filluar të gllabëroje pronat e ushtrisë në mënyrë të paimagjinueshme.
Ilir Meta: Zoti Berisha, ju lutem kthehuni nga qytetarët, ju lutem se i keni kthyer kurrizin.
Sali Berisha: Do i provojmë dhe do i faktojmë shqiptarëve se çfarë po bëni ju. Merrni paratë e komandove dhe shkoni e fshini plehrat dhe i lini dy muaj pa rrogë. Vijnë nga fronti dhe njeri s’u del në aeroport për t’i pritur se kanë punë të tjera. Janë lëshuar si lukuni në pronat e ushtrisë.
Ilir Meta: Fjalën e ka z. Rama, por me qetësi e mos bëni zhurmë. Zoti Braçe, se u mërzitët për punën e Divjakës, se jua përmendi, por ka mundësi të ketë ndodhur një keqkuptim shumë i madh, sepse ka nis një aksion i Ministrisë së Shëndetësisë për spërkatjen në Divjakë prej kohësh edhe prandaj kanë vajt ato sms se spërkatja bëhet gjatë kohës që nuk ka diell, bëhet në periudhë të errët dhe ka mundësi që edhe në Gjadër të jenë përsëri helikopterët që bëjnë spërkatjet në Shëngjin se kishte njëzet e ca vjet Shqipëria pa spërkatje në sezonet turistike.
Edi Rama: Kryetar dhe Bashkëkryetar do rroni më shumë se unë dhe normal se jam më i vjetër se ju, pikërisht këtë doja të thoja, duke dëgjuar se doktorit i shkojnë sms se çdo natë avionët ulen mbi Divjakë. Nuk janë avionët por janë mushkonjat që kanë 25 vjet qysh se doktori mori shtetin në dorë që nuk i hedh më njëri asnjë lloj helmi dhe kështu që janë kthyer si avionë të droguar që pickojnë vazhdimësisht opozitën sot dhe opozita me drogën që merr nga mushkonjat, vjen këtu e pickuar dhe përpiqet të pickojë opinionin publik, por është stina e fundit kjo sepse javën që vjen fillon dezinfektimi.
Ilir Meta: Jam i bindur doktor që sms t’i dërgojnë socialistët e Divjakës pikërisht që pa dashje të krijojnë këto situatë të paqena.
Sali Berisha: Ratë në kurth, sepse për gjera të tilla serioze, instinkti më ka thënë dhe më thotë se duhet një superkujdesje. Mesazhi ka ardhur tre muaj përpara se ju të shqiptonit për here të parë termin spërkatje për mushkonjat dhe tani doni të mbroheni me spërkatësit e Beqes, kjo është qesharake dhe mesazhi është botuar, është hapur gazeta. Tre muaj përpara është hapur gazeta “Rilindja Demokratike”, ndaj dhe kësaj here kunupi nuk ju shpëton dot. Kunupi do t’ju hajë të gjithëve ju.
Ilir Meta: Megjithatë ky aksioni kundër mushkonjave duhet përshëndetur besoj.
Edi Rama: Kur zgjohesh i pickuar nga mushkonja do kohë që të kapësh veten. Sms kanë ardhur pikërisht kur s’kishte filluar spërkatja dhe mushkonjat u bënë avionë nga mungesa e spërkatjes. Spërkatja fillon javë që vjen. Sa ishit ju në pushtet i hapët rrugën Kunupit dhe e bëtë linjë ajrore për drogë.
Sali Berisha kërkon fjalën.
Ilir Meta: Doktor ne e kuptojnë njëri-tjetrin përmes shakave më mirë.Jozefina Topalli: Kryeministri flet për aksionin e mushkonjave por Piovra është në krye të vendit. Sipas mediave të huaja dhe policisë greke, vetëm në muajin mars ka dyfish drogë të sekuestruar nga policia greke që vjen nga Shqipëria. 5 ton drogë janë kapur sipas policisë në Igumenicë, Janinë e qytete të tjera. 1.4 ton drogë janë kapur në bari ditët e fundit…
Ilir Meta: Ju lutem mos e nënvleftësoni aksionin kundër mushkonjave. E them me seriozitetin më të madhe sepse është një problem për turizmin dhe turistët.
Arben Imami: Mos bëni presion mbi Prokurorinë. As Kryeministri e as ju (Ilir Metës). Unë që në fakt jam i sulmuar nga ju, kam pasur në gjithë këto muaj një koshiencë të pastër ndaj ligjit dhe nuk kam folur asnjë fjalë për të folur institucionet.
Ilir Meta: Meqenëse ju i ndjetë i prekur apo i cenuar edhe pse askush nuk ju përmendi emrin. Ju keni qenë ministër i Mbrojtjes për katër vjet dhe jo çdo informacion është i besueshëm.
Arben Imami: Mos bëj avokatin tani.
Ilir Meta: Jo, nuk jam avokat. Por mendoj se ne të gjithë është e rëndësishme që të jemi të përgjegjshëm dhe të mos bëjmë zhurmë që dëmton interesat e vendit.
Ilir Meta: Ftoj të gjithë politikanët që kanë informacion të shkojnë në Prokurori.
Edi Paloka: Kur gjërat janë serioze, mos u përpiqni t’i bëni qesharake. Të përpiqesh të mbulosh fakte kaq të rënda me banalitete të tilla dhe avionët e drogës na i paraqisni si avionë për dezinfektim mushkonjash, kjo është shumë e rëndë. Kështu ngërdheshej edhe ministri i Rendit në Komision para se ti dilte SMS-ja. Kështu qeshte me zor, por pastaj i iku ngërdheshja. Kështu u bë edhe para shumë vitesh kur ne thamë se është vjedhur thesari i shtetit.





