Atentat/   Eksploziv makinës së biznesmenit, shenjë kërcënimi

Anxhela Tato

 

 

 Mekanizmi, shpërthimi, 2 sekonda pasi Eduart Xhepa kishte zbritur nga automjeti dhe po hynte në lokal

 Dyshime se lënda plasëse është montuar natën, pista e hetimeve, konkurrenca në biznes

 

 

shperthimi i makinesAtentat me eksploziv automjetit të pronarit të një lokali në shëtitoren e Durrësit. Fatmirësisht, 45-vjeçari ka arritur të shpëtojë, pasi automjeti ka shpërthyer kur ai ka zbritur. Ngjarja e rëndë ka tronditur të gjithë kalimtarët dhe klientët, të cilët janë terrorizuar nga atentati. Nga të dhënat e para bëhet me dije se lënda plasëse ishte montuar në pjesën e poshtme të automjetit dhe dyshimet janë përqendruar tek pista e konkurrencës në biznes. Ka qenë ora 07:52 e mëngjesit të djeshëm, kur Eduart Xhepa ka mbërritur në parkingun e lokalit në shëtitoren “Taulantia”. Sapo ka fikur automjetin dhe është drejtuar në këmbë për tek hyrja e lokalit, është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm. Nëse 45-vjeçari do të kishte qëndruar edhe pak sekonda më gjatë në automjet, ai mund të kishte rrezikuar të humbte jetën. I trembur nga kjo ngjarje, ka njoftuar policinë, e cila me të mbërritur në vendin e ngjarjes, ka nisur nga mbledhja e provave. Por, siç ndodh në të gjitha rastet e atentateve, nuk është bërë e mundur gjetja e asnjë prove, që të çonte në identifikimin e autorëve të mundshëm. Dyshimet e bluve janë që lënda plasëse mund të jetë montuar natën vonë, kur automjeti ndodhej i parkuar poshtë banesës së biznesmenit. Lënda plasëse e llojit C4 ka qenë e montuar nën pjesën e sedijes së drejtuesit dhe bëhet fjalë për një sasi prej 150 gramësh tritol. Për blutë ka qenë rastësi shpëtimi i 45-vjeçarit, i cili nëse nuk do të kishte dalë në moment nga automjeti, mund të ishte viktima e radhës e këtij sulmi. Vetë, para oficerëve të Policisë Gjyqësore, 45-vjeçari ka mohuar të ketë probleme ose kërcënime. Ai nuk ka shprehur asnjë dyshim në lidhje me autorët, ndërsa ka treguar se i vetmi dyshim mund të jetë për çështje konkurrence në biznes. Kjo është edhe pista ku janë përqendruar hetimet e bluve.

 

Ngjarja

 Automjeti tip “Volkswagen”, me targa TR 2137 R, në pronësi të një biznesmeni nga Durrësi, është shpërthyer me eksploziv rreth orës 07:50, në parkingun e jashtëm të lokalit. Fatmirësisht, nga shpërthimi që ka tronditur banorët e zonës, si dhe klientët që ndodheshin në lokal për të shijuar buzë detit kafen e mëngjesit, nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale. Lënda eksplozive ishte vendosur në pjesën e përparme të makinës dhe dyshohet se akti është përdorur si kërcënim ndaj biznesmenit, një nga më të njohurit në Durrës. Automjeti i dëmtuar përdorej për furnizim, nga subjekti që ofron shërbimin bar-restorant-hoteleri në shëtitoren bregdetare të Durrësit. Burime nga policia lokale deklaruan se po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërkohë që pista kryesore dyshohet të jetë konkurrenca në fushën e biznesit. Ndërkohë që nga ana e forcave të policisë është dërguar për analizë shkencore automjeti dhe janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë. Do të jetë e vështirë identifikimi i autorëve në kushtet kur nga ana e bluve nuk janë gjetur gjurmë gishtash, pasi janë shkatërruar nga shpërthimi. Atentatet me eksploziv janë ndër krimet më të vështira për tu zbardhur, pasi në pjesën më të madhe të rasteve nuk arrihet dot në gjetjen e provave.

 

 

“Artizanali 2”/ Sekuestrohet arsenal armësh në Bulqizë dhe Elbasan, shoqërohen 5 persona

Në kuadër të dy operacioneve të policisë së Elbasanit dhe asaj të Bulqizës është bërë i mundur sekuestrimi i dy arsenaleve armësh, një në Bulqizë dhe një në Elbasan, ndërsa janë shoqëruar për në polici edhe pesë shtetas. Kështu, policia e Elbasanit ka bërë të mundur sekuestrimin e një arsenali armësh, ndërsa ka vënë në pranga tre persona zotërues të tyre. Në kuadër të operacionit të koduar “Artizanali 2” janë arrestuar shtetasit Ardjan Gashi, Besnik Ulqini si dhe Përparim Lleshi. Sipas policisë, të arrestuarve u janë sekuestruar 2 automatikë, 2 pushkë, 2 pistoleta si dhe 800 fishekë. Materialet e sekuestruara i kanë kaluar në ngarkim Prokurorisë për procedim penal ndaj të arrestuarve. Një tjetër arsenal armësh është bërë e mundur të sekuestrohet nga policia e Bulqizës, ndërsa janë arrestuar edhe dy zotëruesit e tyre. Burime nga policia bëjnë me dije se kanë vënë në pranga shtetasit E. Peti dhe A. Keta. Të arrestuarve u janë sekuestruar 2 armë automatike, 1 pushkë dhe 800 fishekë. Materialet e sekuestruara i kanë kaluar Prokurorisë për ndjekje penale ndaj 2 shtetasve.

 

 

Lezhë/ Tentoi të vriste për hasmëri, parandalohet krimi

 Parandalohet një vrasje në qytetin e Lezhës. Për këtë ngjarje policia ka arrestuar në flagrancë Klevis Prengën, 25 vjeç, banues në fshatin Barbullojë. Sipas informacioneve që vinë nga blutë e këtij qyteti, shtetasi në fjalë ishte në hasmëri prej kohësh, ndaj kishte dalë të kryente vrasjen e hasmit. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e markës “Audi Q7” me targë AA888GG, në përdorim të 25-vjeçarit, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri luftarake pistoletë tip “Pietro Bereta” me një krehër me 8 copë fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Hasmëria mendohet të ketë fillesën e saj më 17 maj të vitit 2013, ku Klevis Prenga ka mbetur i plagosur me automatik. Bëhet me dije nga policia se në shënjestrën e Prengës ishte autori dhe familja e tij. Ndërkohë, materialet në ngarkim të shtetasit të arrestuar do t’i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën “Mbajtje pa lejen e organeve kompetente e armëve luftarake në mjete motorike” parashikuar nga neni 278/4 i Kodit Penal.

 

 

Tiranë/ Aksidenti, automjeti përplas këmbësorin, jashtë rrezikut për jetën

 Një këmbësor është përplasur nga një automjet, teksa po kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën mëngjesin e djeshëm. Aksidenti ka ndodhur në zonën e njohur si Ura e Beshirit. I aksidentuari është nisur menjëherë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve.

Share it :