SUPLEMENT/ NE & LIGJI

MASAT E SIGURIMIT

drejtesia1-550x360Masat e sigurimit janë masa që kufizojnë lirinë e një personi të dyshuar për një vepër penale ose masa që drejtohen mbi pasurinë e personit, e vënë kjo si garanci për pagimin e të gjitha detyrimeve që mund të dalin nga procesi penal si dhe masa që kufizojnë disponimin e sendeve që mund të kenë shërbyer si mjete për kryerjen e veprës penale. Në varësi të objektit ndaj të cilit drejtohen, këto masa ndahen në: 1. Masa të sigurimit personal (ndaluese dhe shtrënguese); 2. Masa të sigurimit pasuror (sekuestro preventive dhe konservative).

Masat e sigurimit personal nuk mund të vendosen mbi çdo person të akuzuar për kryerjen e një vepre penale. Për t’u zbatuar masa të tilla duhet të plotësohen domosdoshmërisht 3 kushte kumulative që janë:1. Ekzistenca e veprës penale; 2. Ndaj personit të ketë dyshim të arsyeshëm bazuar në prova; 3. Të mos ekzistojnë kushte padënueshmërie (si p.sh. papërgjegjshmëria për shkak të moshës, sëmundjeve psikike ose zhvillimi të metë mendor apo shuarjes së veprës penale pra të ndjekjes penale apo të dënimit). Përveç ekzistencës së këtyre tri kushteve, duhet të ekzistojë gjithashtu të paktën një prej kushteve të përcaktuara në nenin 228/3 të Kodit të Procedurës Penale që janë: 1. Kur ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës; 2. Kur i pandehuri është larguar ose ekziston rreziku që ai të largohet; 3. Kur për shkak të rrethanave të faktit apo të personalitetit të të pandehurit ka rrezik të kryejë krime të rënda apo të të njëjtit lloj me atë për të cilin ky person procedohet.

Masat shtrënguese parashikohen në nenin 232 të Kodit të Procedurës Penale dhe janë:

1. Ndalimi i daljes jashtë shtetit – personi ndalohet të dalë jashtë shtetit pa autorizim, proceduralisht personit i tërhiqet pasaporta.

2. Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore – personi është i detyruar të paraqitet në një zyrë të caktuar të policisë gjyqësore në ditët dhe orët e caktuara nga gjykata që vendos duke marrë parasysh për sa është e mundur vendbanimin dhe punën e të pandehurit.

3. Ndalimi dhe detyrimi për qëndrimin në një vend të caktuar – personi ndalohet të qëndrojë domethënë nuk mund të shkojë në një vend të caktuar pa autorizimin e gjykatës dhe detyrimi për të qëndruar në një njësi të caktuar administrative, kryesisht në vendbanimin e tij.

4. Garancia pasurore – depozitimi në bankë i një shume të caktuar si garanci që personi do të paraqitet sa herë që ta kërkojë organi i procedurës. Në rast mosparaqitjeje kjo shumë kalon në favor të shtetit.

5. Arresti në shtëpi – gjykata urdhëron të pandehurin të mos largohet nga banesa e tij ose nga një vend i caktuar ku ai banon, kurohet ose mbahet në asistencë. Koha e qëndrimit të arrestit llogaritet në caktimin e dënimit.

6. Shtrimi i përkohshëm në një spital psikiatrik – në rastet kur personi që duhet arrestuar është i sëmurë mendërisht dhe për këtë përjashtohet ose pakësohet aftësia e të kuptuarit nga ky person.

7. Arresti në burg – është masa më e rëndë shtrënguese e cila vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së autorit të veprës penale apo të vetë veprës penale. Kjo masë nuk mund të jepet ndaj grave shtatzëna ose me fëmijë në gji, ndaj një personi që ndodhet në gjendje shëndetësore, veçanërisht të rëndë ose që ka kaluar moshën 70 vjeç, një personi toksikoman ose të alkoolizuar, për të cilin zbatohet një program terapeutik në një institucion të posaçëm. Në këto raste arresti me burg mund të vendoset vetëm kur ka shkaqe të një rëndësie të veçantë për krimet që dënohen me më shumë se 10 vjet burg në maksimum.

Masat ndaluese – parashikohen nga neni 240 i Kodit të Procedurës Penale. Këto masa janë:

1. Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik – është një masë e përkohshme që ndalon personin të kryejë plotësisht apo pjesërisht veprimtarinë që lidhet me këto funksione.

2. Ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale apo afariste – jepet gjithashtu përkohësisht dhe konsiston në ndalim pjesërisht ap plotësisht të kësaj veprimtarie., por personi duhet të jetë duke ushtruar këtë profesion dhe kur procedohet për vepra penale për të cilat një dënim më të lartë se një vit.

Sekuestroja konservative – vendoset kur ka arsye për të menduar se nuk ka garanci për të paguar shpenzimet procedurale, dënimet me gjobë apo detyrimet e tjera ndaj pasurisë së shtetit. Kjo sekuestro vihet qoftë mbi pasurinë e luajtshme apo atë të paluajtshme të personit që ndiqet penalisht.

Sekuestroja preventive – vendoset kur disponimi i lirë i sendit që lidhet me veprën penale mund të rëndojë ose të zgjasë pasojat e saj ose të lehtësojë kryerjen e një tjetër vepre penale. Në çdo rast gjykata duhet të marrë parasysh kërkesën e prokurorit, pasi ajo nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo që i kërkon prokurori.

 

KONTRATA E HUASË

Në ditët e sotme është e pashmangshme lidhja e një marrëveshje huaje, e cila parashikohet dhe rregullohet në mënyrë të detajuar në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë.

Kontrata e huasë është e parashikuar në nenet 1050 e në vijim të Kodit Civil ku përcaktohet objekti i saj dhe të drejtat e detyrimet e palëve kontraktore. Kontrata e huasë është kontrata në të cilën njëra palë (huadhënësi) i jep në pronësi palës tjetër (huamarrësit) një shumë të hollash ose sende të përcaktuara në numër, peshë e masë. Kjo kontratë lidhet me afat të rënë dakord nga palët në përfundim të të cilit huadhënësi detyrohet t’i kthejë palës tjetër të njëjtën shumë ose sende të të njëjtit lloj ose cilësi. Kontrata mund të lidhet dhe pa afat e në këtë rast huamarrësi detyrohet të kthejë huanë me kërkesën e huadhënësit. Në kontratë mund të parashikohet pagimi i huasë me këste, por në rast se huamarrësi nuk përmbush 2 këste ose vetëm 1 këst për më shumë se 3 muaj atëherë huadhënësi ka të drejtë të kërkojë kthimin e menjëhershëm të parave apo sendeve të dhëna hua. Ligji e lë në vullnetin e lirë të palëve nëse huaja do të rëndohet me kamate apo jo(interes apo shumë mbi huanë). Kamatat nëse vendosen do të paguhen çdo vit ose në afate të ndërmjetme të përcaktuara nga palët. Gjithsesi, në çdo rast mospagimi i kamatave përbën mospërmbushje thelbësore të detyrimit. Në qoftë se sendi i dhënë hua është me të meta huadhënësi mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar huamarrësit përveç rasteve kur ai provon se nuk kishte dijeni për ta. Sidoqoftë, ligji u lë mundësi palëve që të bëjnë parashikime të tjera në kontratë për sa kohë që nuk bien në kundërshtim me ligjin.

 

 

Si mund të përfitojmë ndihmë ligjore pa pagesë?

 Çfarë është Klinika e Ligjit?

Klinika e Ligjit është struktura më re e ngritur pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, misioni i së cilës është i veçantë dhe i ndryshëm nga çdo strukturë tjetër e ngritur pranë çdo fakulteti. Klinika e Ligjit ofron ndihmë dhe këshillim ligjor të kualifikuar për kategori të caktuara individësh, kushtet e të cilëve, e bëjnë të detyrueshëm afrimin pranë Klinikës.

Veprimtaria e kësaj strukture konsiston në ndihmën vullnetare të studentëve të drejtësisë, nën kujdesin dhe përkushtimin e pakushtëzuar të pedagogut përgjegjës Alban Koçi.

Kush mund të përfitojë ndihmë juridike nga Klinika e Ligjit?

Klientë të Klinikës së Ligjit mund të jenë të gjithë personat, gjendja financiare e të cilëve nuk u jep mundësi për të mbuluar shpenzimet për një ndihmë të kualifikuar juridike, me kushtin që çështja nuk është ndjekur më parë nga një avokat apo këshilltar ligjor. Klinika nuk bën përfaqësimin e klientëve në gjykatë.

Cilat janë shërbimet që ofron Klinika e Ligjit?

Ndihma që ofron Klinika shtrihet në fushat e së drejtës penale, civile dhe publike. Studentët do të jenë ata që me ndihmën e pedagogeve, japin këshillim ligjor për subjektet e interesuara, hartojnë akte të ndryshme juridike, bëjnë takime me klientë të ndryshëm, punë kërkimore për çështje konkrete etj.

Si mund t’i drejtohemi Klinikës së Ligjit?

Është shumë e thjeshtë të kërkoni ndihmën e Klinikes së Ligjit. Mjafton të drejtoheni pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në sekretarinë e Klinikës. Kërkesa do të konsiderohet e pranuar, kur klienti të ketë plotësuar “Formularin e deklarimit të çështjes” të vënë në dispozicion nga personeli i Klinikës dhe është vënë në dijeni me shkri për kushtet e ofrimit të ndihmës juridike, duke përfshirë edhe afatet sipas rregullores së saj. Në rast se informacionet e vëna në dispozicion janë të pamjaftueshme për të përgatitur një opinion juridik mbi çështjen, atëherë përcaktohet një afat tjetër për takimin ose përmes korrespodencës apo bisedës telefonike, kërkohet plotësimi i informacioneve të domosdoshme.

Në çdo rast, Klinika e Ligjit garanton konfidencialitetin për çdo informacion në kuadër të ndihmës së ofruar.

 

 

BIRËSIMI

Birësimi është një veprim juridik me anë të të cilit krijohet një marrëdhënie gjinore, sipas së cilës një person madhor, i cili quhet birësues, merr përsipër vullnetarisht të rrisë dhe të edukojë si fëmijë të lindur prej tij, një fëmijë të mitur të lindur nga subjekte të tjerë.

Statusi i fëmijës së birësuar në legjislacionin tonë barazohet me statusin e fëmijës biologjik, duke njohur të njëjtat të drejta e detyrime mes fëmijës së birësuar e familjes birësuese. Në këtë mënyrë, fëmija i birësuar shkëput çdo marrëdhënie me familjen e origjinës, duke u bërë pjesëtar i një familjeje të re. Ky veprim ndodh vetëm në interes të të miturit, duke u vlerësuar rast pas rasti sipas procedurës së parashikuar në ligj.

Cilat janë kushtet për të birësuar një fëmijë?

Për shkak të vetë natyrës së këtij veprimi juridik, rëndësisë që ai paraqet dhe pasojave që do të vijnë prej tij, duhet të kemi parasysh disa kushte të parashikuara në Kodin e Familjes dhe në ligjin për procedurat e birësimit.

–          Fëmija që do të birësohet duhet të jetë i mitur, nuk mund të birësohet një individ në moshë madhore.

–          Diferenca minimale e moshës midis birësuesit dhe të birësuarit duhet të jetë të paktën 18 vjet dhe nëse birësohet fëmija i bashkëshortit, kjo diferencë duhet të jetë të paktën 15 vjet.

–          I mituri nuk mund të birësohet nga shumë persona, përveç rastit kur këta janë bashkëshortë.

–          Birësuesi vetë duhet të ketë moshë madhore dhe të ketë zotësi të plotë për të vepruar.

–          Birësuesi nuk mund të birësojë kur i është hequr përgjegjësia prindërore; vuan nga një sëmundje psikike ose ka zhvillim të metë mendor apo çdo sëmundje tjetër që mund të vërë në rrezik shëndetin dhe jetën e atij që do të birësohet; apo nuk ka asnjë garanci që do të kryejë me kujdes detyrën e birësuesit në lidhje me mirërritjen, edukimin dhe arsimimin e atij që do të birësohet.

–          Nuk mund të birësohet një person nga të paralindurit ose të paslindurit e tij.

–          Nuk mund të birësohet një person nga kujdestari i tij, nëse ky i fundit nuk ka bërë dorëzimin e pasurive të tij dhe nuk është bërë vlerësimi nga gjykata.

Cila është procedura e birësimit?

Personat e interesuar për të birësuar një fëmijë i drejtohen Komitetit Shqiptar të Birësimit me kërkesën përkatëse. Ata mund të birësojnë vetëm një fëmijë, emri i të cilit është në listat e Komitetit. Shtetasit e huaj nuk mund të paraqesin kërkesën drejtpërdrejt, përveçse kur janë rezidentë prej 2 vitesh dhe legjislacioni i tyre kombëtar e lejon birësimin. Së bashku me kërkesën, pranë Komitetit duhet të paraqitet edhe dokumentacioni përkatës, i cili duhet të përmbajë: kërkesën me motivimin e birësimit; të dhënat personale për marrëdhëniet ndërpersonale me anëtarët e familjes, informacione për ta dhe qëndrimin e tyre ndaj birësimit; të dhënat për gjendjen civile, kopje letërnjoftimi, certifikatë lidhje/zgjidhje martese ose certifikatën e vdekjes së bashkëshortit; vërtetimin e gjendjes gjyqësore; deklaratën për fëmijërinë, mënyrën e rritjes, edukimin dhe profesionin; vërtetime të punësimit, të të ardhurave dhe të pasurive të paluajtshme; vërtetimin e pronësisë së banesës dhe të dhëna për kushtet e jetesës; deklaratën me të dhënat ekonomike dhe sociale; vërtetim nga organet e njësisë së qeverisjes vendore të vendbanimit, për sjelljen dhe figurën morale; deklaratën e gatishmërisë së familjarëve dhe miqve në mbështetje të aplikantit birësues. Pas shqyrtimit të kërkesës dhe dokumenteve përkatëse nga sekretariati ekzekutiv, bëhet studimi i aftësisë birësuese dhe i paraqitet këshillit drejtues për shqyrtim në mbledhjen e ardhshme. Për fëmijën, emri i të cilit është në listat e sekretariatit ekzekutiv, propozohet një familje shqiptare dhe në rast se emri i fëmijës është në listë për më shumë se 6 muaj, atëherë ai i propozohet një familjeje të huaj. Këshilli drejtues shqyrton dokumentacionin përkatës të fëmijës dhe të aplikantit birësues, duke vendosur nëse ky i fundit është i përshtatshëm ose jo për të birësuar. Në rastin e parë, komisioni jep pëlqimin me shkrim për birësimin e fëmijës nga aplikanti birësues dhe lë një periudhë prove jo më shumë se 3 muaj. Në përfundim të kësaj periudhe, sekretariati përgatit raportin për përshtatshmërinë e këtij birësimi dhe ia dërgon gjykatës.

Birësimi është një procedurë mjaft komplekse në tërësinë e saj, rregullimi që i bëhet nga Kodi i Familjes dhe nga ligjet e posaçme, është i detajuar dhe ka në themelet e saj mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijës. Kjo është fryma që përshkon gjithë këtë procedurë dhe çdo institucion përgjegjës për të.

 

Share it :