Gëzim Saliu
Kryeministri: Sfida jonë e madhe është shkolla si qendër komunitare, skualifikohen 150 tekste
“Rrjet kombëtar dixhitalizimi në shkolla, arsimi parauniversitar të rrisë cilësinë e mësimdhënies”
Kryeministri i vendit, Edi Rama, kërkoi dje rritjen e transparencës dhe standardeve në arsim, ndërsa cilësoi si një sfidë kthimin e shkollave në qendra komunitare. Në një takim me drejtuesit e drejtorive arsimore në rrethe, kreu i qeverisë drejtoi një thirrje për drejtuesit që të shmangin një orë e më parë të gjitha dukuritë negative të trashëguara në sistemin arsimor parauniversitar, sikundër theksoi se karriera e çdo mësuesi apo mësueseje do të jetë e garantuar në bazë të rezultateve të matshme të punës së tyre si edhe vlerësimeve prindërit e nxënësve. “Sfida jonë është ndërtimi i një sistemi ku shkollat të kenë baza të qëndrueshme si qendra komunitare, pasi do të bashkojë jo vetëm njerëzit brenda sistemit, por edhe qeverinë dhe prindërit duke bërë të mundur një sërë programesh të reja sikundër është regjistri elektronik. Përmes këtij programi do t’i japim mundësi prindërve të njihen me ecurinë e përditshme të fëmijëve, mësuesve të njihen me ecurinë e përditshme të nxënësve dhe qeverisë të njihet me ecurinë e përditshme të sistemit”, – theksoi Rama.
Takimi
Në takimin me drejtorët e DAR, Kryeministri bëri të ditur se do të ketë një ristrukturim të altertekstit, ku150 tekste nuk do të jenë më pjesë e këtij procesi. “Falë kontributit të mësuesve kemi edhe një ristrukturim të politikës të altertekstit. Hartimi i udhëzimit të ri nuk përfshin rreth 150 tekste të skualifikuara nga vetë mësuesit, të cilët janë burim këshillimor në gjithë sistemin e arsimit”, – u shpreh ai. Më tej, kreu i mazhorancës qeverisëse tha se në fazën përfundimtare të një viti shkollor, të cilën e cilësoi si fazën e parë të reformimit të sistemit në Shqipëri, duhet të rritet vëmendja ndaj çdo komuniteti. “Duhet të përmirësojmë mekanizmat që bëjnë të mundur bashkërendimin mes këtyre të patjersueshëm dhe të pazëvendësueshëm. Edhe fillimi i një sistemi të ri komunikimi me prindërit përmes informimit të tyre për ecurinë e fëmijëve në shkollë duhet të përmirësohet në mënyrë që të jetë një informacion i standardizuar”, – deklaroi Rama. Në fjalën e tij, Kryeministri e vuri theksin jo aq në investimet në objekte sesa në rritjen e cilësisë së mësimdhënies, të vazhdimësisë së karrierës së çdo mësuesi, të bashkëpunimit me prindërit dhe, mbi të gjitha, në kthimin e shkollave në qendra komunitare. “Në vend që të investohej në një numër të kufizuar shkollash me tulla dhe llaç, do të investohet në të gjitha shkollat e Shqipërisë për të ndërtuar platformën e përbashkët dixhitale dhe për të hedhur kështu themelin e një transformimi rrënjësor që do të jetë transformimi i viteve të ardhshme dhe që do të garantojë bashkimin në një platformë të të gjithë nxënësve në të gjitha skajet e vendit dhe të gjithë mësuesve po ashtu kudo ku ata japin kontributin e tyre, duke bërë që cilësia e marrjes së informacionit dhe po ashtu i të gjithë procesit të mësimdhënies dhe llogaridhënies të jetë e barazvlefshme në të gjithë territorin e Shqipërisë”, – pohoi Rama. Po ashtu, kreu i ekzekutivit bëri të ditur se shumë shpejt pritet të finalizohet me sukses unifikimi i koncepteve mësimore Shqipëri-Kosovë. “Në një kohë shumë të shkurtër do kemi një strukturë të përbashkët, pas takimit të ministres Nikolla me homologun e saj të Kosovës. Ky sistem do ketë efekte pozitive për sistemin arsimor. Do rrisim vëmendja ndaj çdo komuniteti, duke shkuar drejt afirmimit të atij trekëndëshi të domosdoshme për të jetësuar politikën tonë në arsim”, – nënvizoi Kryeministri.
Vizita/ Rama me Emirin e Katarit Al Thani: Mundësi për punësimin e shqiptarëve në arsim e ndërtim
Kryeministri Edi Rama ka mbyllur dje vizitën e tij dyditore në Katar me takimin që zhvilloi me Emirin e Katarit, Sheikun Tamim bin Hamad Al Thani, ku u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fushat e turizmit dhe bujqësisë. Në këtë takim, me interes të veçantë u pa edhe bashkëpunimi në fushën e transportit ajror, ku “Qatar Airways” është një nga linjat kryesore në këtë sektor. Emiri i Katarit u shpreh gjithashtu i gatshëm për të mirëpritur më shumë shqiptarë në Katar, të cilët mund të punësohen kryesisht në shërbimin shëndetësor, arsimor dhe ndërtim. Ndërkaq, ditën e parë të vizitës në Doha, Rama zhvilloi një takim me Kryeministrin e Katarit, Sheikun Abdullah Bin Nasser Al Thani, ku në përfundim të tij, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i pranishëm në vizitën në Katar, firmosi në emër të delegacionit shqiptar “Marrëveshjen në lidhje me rregulloren e punësimit të fuqisë punëtore në shtetin e Katarit”, e cila rregullon punësimin e shtetasve shqiptarë në Katar, si dhe “Memorandumin e mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë”. Gjatë takimit me Kryeministrin e Katarit u fol kryesisht për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve. Gjithashtu, gjatë vizitës në Katar, Kryeministri Rama zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Katarit, Sheikun Khalifa bin Jassem bin Mohammed Al Thani, si edhe me ministrin e Shtetit dhe CEO e Autoritetit të Investimeve të Katarit, Ahmad M. Al-Sayed. Bisedat në këto takime u përqendruan te nxitja e tregtisë dhe shkëmbimi ekonomik mes dy vendeve, gjithashtu u fol për projekte të ndryshme në fushat e energjisë, turizmit dhe bujqësisë. Gjatë kësaj vizite në Katar, Rama shoqërohej nga ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj, ministri i Transportit Edmond Haxhinasto, ministrja e Turizmit Eglantina Gjermeni, si dhe nga deputetë dhe kryetarët e bashkive të Durrësit e Lezhës, Vangjush Dako dhe Viktor Tusha.
15-vjetori i eksodit të ‘99-ës / Nesër mblidhen në Kukës qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës
Qeverisja vendore në Kukës vlerëson se mbledhja e përbashkët e dy qeverive Rama-Thaçi që do të mbahet në 16 prill në këtë qytetet, do të jetë një ngjarje me rëndësi të veçantë për qytetarët e këtij qarku. Sipas prefektit të sapoemëruar, Safet Gjici, kjo ngjarje shënon një rritje të vëmendjes së qeverisë në qarkun e Kukësit, i cili, sipas tij, është ndër më të varfrit në vend. Ndërsa kryetari i Bashkisë Kukës, Hasan Halilaj, deklaroi se përkujtimi i “Eksodit 99” po merr dimensionin e duhur sa i përket vlerësimit të qeverisë, ndërsa u ndal edhe tek problemet e mprehta që shqetësojnë banorët e kryeqendrës së verilindjes. Më 16 prill, në qytetin e Kukësit nën përkujdesin e qeverisë shqiptare do të përkujtohet 15-vjetori i “Eksodit 99”, ndërsa më pas do të zhvillohet mbledhja e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare. Në mbledhjen e parë të dy qeverive në Prizren, produkti më i rëndësishëm ishte dokumenti për bashkëpunimin strategjik në të cilin përcaktoheshin parimet dhe shtyllat ku do të mbështeten dy qeveritë në punën e tyre. Po ashtu, në draftin e firmosur parashikohej bashkëpunimi në fushën ekonomike, të drejtësisë, arsimit dhe rendësi i vihej bashkëpunimit në fushën e energjisë.





