Gerd Myler, goleadori legjendar gjerman që u thye nga Mesi

Myler është një ndër më të mëdhenjtë e Gjermanisë në kohën kur luante bashkë me Bekenbauerin dhe Sep Majerin

 gerd mylerEdhe Gjermania ka pasur sulmues të mëdhenj, edhe pse tani do t’i nevojitej të kishte një si legjendari Gerd Myler. Gerdard Myler, i njohur me nofkën “Gerd”, është edhe sinonimi i sulmuesit model për mënyrën e shkëlqyer të shënimit të golave dhe rekordet e jashtëzakonshme të shënuara nga “Der Bomber”. Rekorde që edhe sot mbeten të pathyeshme nga shumë lojtarë. Qendërsulmuesi i Bajernit të Mynihut dhe i Gjermanisë ka shënuar 365 gola në 427 ndeshje në Bundesligë dhe 68 gola në 62 ndeshje ndërkombëtare, rekorde të shkëlqyera për një lojtar të asaj epoke, që sot është arritur vetëm nga Pipo Inzagi. Dhe kjo, pavarësisht nga shprehja e tij kur thotë: “Një ndeshje futbolli nuk është aspak e lehtë, golat nuk shënohen asnjëherë në mënyrë komode”, – të cilën Gerd Myler e ka përdorur dhe në tentativën e tij të shkurtër për të hyrë në botën e muzikës pop me “Dann macht es bum!” Në përfundim të karrierës së tij të shkëlqyer, Myler mund të numëronte një numër të jashtëzakonshëm golash historikë të shënuar prej tij në shumë ndeshje të mëdha. “Më i rëndësishmi ka qenë sigurisht ai që na ka ndihmuar të triumfojmë me rezultatin 2-1 në finalen e Kupës së Botës në vitin 1974 në Mynih kundër Holandës”, – është shprehur sulmuesi gjerman vite më pas, kur ka ripërshkruar karrierën e tij. Epoka e artë për klubet e mëdha gjermane dhe skuadrën kombëtare në gjysmën e parë të viteve ‘70, do të kishte qenë e pamendueshme pa Gerd Mylerin, siç nënvizon dhe ish-shoku i tij i skuadrës, Franc Bekenbauer: “Bajerni i Mynihut i sotëm i detyrohet për gjithçka Gerd Mylerit dhe golave të tij të jashtëzakonshëm që ka shënuar me këtë skuadër”.

 

Arkitekti i Bajernit që njohim sot

Kur Myler është blerë nga një skuadër e kategorisë së dytë, për t’u transferuar tek Bajerni i Mynihut, në vitin 1964, trajneri Zllatko ‘Tshik’ Cajkovski, në fillim qeshte për konstruktin e çuditshëm fizik të sulmuesit gjerman, duke shprehur ndonjëherë edhe deklarata të ashpra të tipit: “Çfarë duhet të bëj me një peshëngritës në skuadër?” Faktikisht, këmbët e shkurtra të Mylerit mbi një trung pak a shumë të ngjeshur dhe me një bazë nga mesi tek koka prej 64 centimetrash, krijonin për të gjithë në fillim idenë e një peshëngritësi nga Evropa Lindore, por aspak imazhin e një sulmuesi të madh, siç rezultoi më pas. Por, gjithsesi, sulmuesi shtatshkurtër dhe rrobust, që e filloi karrierën e tij në moshën nëntëvjeçare në qytetin e tij të lindjes në Nordlingen, që ndodhet pothuajse një orë e gjysmë nga qyteti i Mynihut, ka realizuar disa kalime të shpejta drejt niveleve të mëdha. Në moshën 16-vjeçare progresoi, duke kaluar në shumë skuadra të moshave, deri në skuadrën më të rëndësishme të të rinjve që ishte TSV Nordlingen. Në vitin 1962-1963, shënoi shifrën e pabesueshme të 180 golave, duke ia atribuuar forcën e tij të madhe tek sallata me patate që i përgatiste mamaja. Me trajnerin Cajkovski në bankinë, Gerd Myler ka qenë i detyruar të qëndrojë në bankinë për dhjetë ndeshje, përpara se trajneri të ndërronte mendim përballë presionit të madh të presidentit të atëhershëm të Bajernit të Mynihut, Vilhelm Nojdeker, dhe vendosi të aktivizonte nga minuta e parë sulmuesin e ri në disa ndeshje. Në debutimin e tij në kampionat, në tetor të vitit 1964, Myler ka arritur të shënojë dy herë kundër Frajburgut, duke hedhur në këtë mënyrë bazat për një karrierë të jashtëzakonshme. Cajkovski filloi për më tepër t’i referohet atij në mënyrë shumë të sjellshme dhe plot dashuri, duke e cilësuar atë “të voglin e mbushur Myler”. Në vitin 1965, Gerd Myler, Sep Majer dhe Franc Bekenbauer, treshja e madhe që do ta dërgonte më pas Bajernin e Mynihut në majën e botës, kanë udhëhequr skuadrën drejt ngjitjes në Bundesligë. Bajerni i Mynihut përfundoi i treti në sezonin e parë në Bundesligë dhe arriti të fitonte Kupën e Gjermanisë, arritje e cila do të përsëritej edhe në vitin 1967, 1969, 1971. Bajerni i Mynihut është kurorëzuar kampion Gjermanie për herë të parë në vitin 1969, përpara se të siglonte një tripletë të madhe në vitet 1972 dhe 1974. Skuadra nga Mynihu i Bavarisë ka arritur të fitojë Kupën e parë të Kampioneve në vitin 1967, për ta përsëritur më pas këtë arritje në vitet 1974 dhe 1976, duke arritur ta kurorëzojë gjithë këtë seri suksesesh me një triumf në Kupën Interkontinentale. Pa Gerd Mylerin në atë epokë të artë do të kishte qenë gjithçka e pakonceptueshme. Myler ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës çdo vit, nga 1964/65 deri në 1977/1978 dhe për shtatë herë golashënuesi më i mirë në Bundesligë (1967, 1969, 1970, 1972, 1973,1974,1978). Në sezonin 1971-1972, arriti të shënonte plot 40 gola, një numër golash që deri në këtë moment nuk e ka arritur asnjë lojtar tjetër.

 

Goleador i madh i Gjermanisë

Ishte vetëm çështje kohe përpara se sulmuesi i shkëlqyer gjerman të tërhiqte vëmendjen e trajnerit të skuadrës kombëtare, Helmut Shën. Gerd Myler ka kryer debutimin e tij me skuadrën kombëtare gjermane në vitin 1966, në një ndeshje të fituar në shtëpi 2-0 kundër Turqisë. Në Kupën e Botës 1970, të zhvilluar në Meksikë arrin të fitojë Këpucën e Artë me 10 gola, duke arritur të krijojë një dyshe sulmuese të jashtëzakonshme me Uve Shëlerin. Akoma edhe sot, Gerd Myler vlerëson rëndësinë e madhe që ka pasur ai turne në karrierën e tij sportive: “Për mua, ai Botëror ka qenë edhe më i rëndësishëm se Botërori 1974 që kemi zhvilluar në Gjermani. Kishim në dispozicion një skuadër të shkëlqyer, edhe pse shumë njerëz kanë cilësuar si skuadrën më të mirë gjermane atë të vitit 1972”. Bomberi ka festuar suksesin në Kampionatin Evropian në vitin 1972, kur Gjermania Perëndimore siguroi trofeun, pasi mundi në finale Bashkimin Sovjetik, për të shënuar më pas golin jashtëzakonisht vendimtar në finalen e Botërorit Gjermani 1974 kundër Holandës. Myler kujton ende sot me emocion atë moment: “Rainer Bonhof hyn në zonë me topin në zotërim. Vrapoj përpara me dy lojtarë holandezë pranë, pastaj ndalem, sepse pasimi është disi në qendër. Topi mbërrin në këmbën time të majtë, unë impenjohem dhe kthehem lehtë në goditje dhe papritur topi hyn brenda”, – rrëfehet ai, duke rikrijuar përsëri skenën që ka ndodhur në minutën e 43-të të ndeshjes së zhvilluar në “Olimpiastadion” të Mynihut në Bavari. Myler ka lajmëruar tërheqjen e tij nga futbolli ndërkombëtar, pasi është shndërruar kampion bote në moshën 28-vjeçare. Zëra nëpër korridore thoshin që kjo kishte ndodhur nga fakti që gratë e futbollistëve nuk kanë qenë të ftuara në banketin e mbajtur pas ndeshjes finale të Botërorit. Në çdo rast, Myler është i lumtur që ka mundësi të sqarojë atë çështje: “Tri ditë përpara zhvillimit të finales i kisha thënë trajnerit Shën, që do të tërhiqesha. Më ka thënë që të prisja dhe ta bëja publik këtë lajm menjëherë, pasi të ishte zhvilluar finalja. Isha i vendosur. Nuk kisha gjë tjetër për të thënë”. Pastaj Myler e ka cilësuar “qesharake” ofertën e mbërritur nga Federata Gjermane e Futbollit, që ka mbërritur pas fitores në Botëror.

 

Karriera me ulje-ngritje

Në vitin 1979, Myler ka pranuar një kontratë të pasur për të luajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mendonte se mund të ndërtonte një karrierë të dytë, pasi kishte mësuar që trajneri i Bajernit të Mynihut, Pal Csernai, i kishte shprehur hapur se nuk ishte më në planet e tij dhe e kishte zëvendësuar për herë të parë në karrierën e tij. Ishte hera e parë, që Gerd Myler shitej. Në 6 mars 1979, Myler firmosi një kontratë prej dy vitesh e gjysmë me Fort Lauderdale Strikers, një skuadër e Ligës Amerikano-Veriore (NASL). Duke parë që karriera e tij si lojtar po shuhej njëherë e mirë, Myler u përfshi nga një krizë e thellë. Kalimi nga jeta me një popullaritet të madh në një jetë normale çdo ditë nuk ishte aspak e lehtë për të. Përveç mundësisë për të firmosur autografe ose takime të rëndësishme me njerëz të mëdhenj, Myler nuk dinte se si të mbushte kohën, përveçse duke qëndruar për orë të tëra përpara divanit ose duke diskutuar me gruan. Pinte gjithmonë e më shumë alkool. “Kam shkatërruar jetën time”, – rrëfehet vite më vonë vetë bomberi legjendar gjerman. Për fat të mirë, miqtë e tij tek Bajerni i Mynihut dhe mbi të gjitha trajneri Uli Hënes, e ndihmuan menjëherë për t’u ngritur nga gjendja fatale ku ishte përfshirë. Në vitin 1992, iu ofrua një kontratë nga ana e ish-skuadrës së tij. Në fillim, për të kërkuar sponsorë dhe talente, përveç detyrës për të stërvitur sulmues dhe portierë, pastaj për të stërvitur në sektorin e të rinjve si zëvendëstrajner për skuadrën e parë. Po në vitin 1992, Gerd Myler arrin të marrë patentën e trajnerit të kategorisë A dhe iu dha detyra e trajnerit të skuadrës së dilentatëve të Bajernit në kampionatin rajonal në vitin 1995-1996. Sot, ka rigjetur kontrollin e plotë ndaj jetës së tij dhe ka gjetur ekuilibrin e brendshëm që i mungonte për disa vite: “Nuk mund të aspiroj për diçka më të madhe sesa Bajerni i Mynihut”. Me rastin e ceremonisë së 40-vjetorit të Bundesligës, në gushtin e vitit 2003, Gerd Myler është kurorëzuar si personaliteti i spikatur në historinë e Bundesligës. Më shumë se një mijë të ftuar në një teatër në Këln janë ngritur në këmbë dhe kanë duartrokitur për të nderuar atë njeri, që ka kontribuuar në mënyrë të shkëlqyer për historinë e futbollit gjerman. Ky nderim gjendet në krah me shumë mirënjohje që i janë dhënë gjatë karrierës së tij të gjatë sportive. Në vitin 1967, vetëm në moshën 21-vjeçare, është përzgjedhur si “Lojtari më i mirë gjerman i vitit”, – për ta fituar përsëri këtë titull dy vite më mbrapa. Në vitin 1970, ka qenë gjermani i parë që ka arritur të fitojë “Topin e Artë”, pas fitimit të Këpucës së Artë dhe Botërorit, po në vitin 1970. Një tjetër provë për statusin e tij është dhënë nga tre prezencat në Top 11 që ka përzgjedhur FIFA në vitet 1971, 1972, 1973 dhe një Top 11 të UEFA-s në vitin 1973. Përveç trofeve sportivë, Myler ka marrë Medaljen e Argjendtë në vitin 1967 dhe Kryqin Federal për Merita në vitin 1977. Myler ishte një prej dymbëdhjetë ambasadorëve të Botërorit Gjermani 2006 dhe përfaqësonte qytetin e tij, Mynihun.

 

 

 

 

Sukseset ndërkombëtare

62 ndeshje në Kupa e Evropës dhe 68 gola të shënuar

1974 kampion bote me Gjermaninë

1970 i treti në botë me Botërorin e Meksikës

1972 Fitues i Kampionatit Evropian

1970 Këpuca e Artë e Botërorit me 10 gola

Golashënuesi absolut në fazën finale të botërore me 14 gola

 

 

Myler: I lumtur që Mesi më theu rekordin

Legjenda e futbollit gjerman, Gerd Myler, e ka cilësuar Lionel Mesin si “një lojtar të pabesueshëm” që e meritonte të thyente rekordin e tij. 25-vjeçari argjentinas, një natë më parë barazoi dhe pastaj theu rekordin e Myler me 85 gola në një vit kalendarik falë dy golave të shënuar ndaj Betis. Ndonëse mendon se sulmuesit në shekullin e 21-të e kanë më të lehtë të shënojnë me mbrojtjet në zonë dhe jo ato individuale që aplikoheshin në kohën e tij, Myler i ka thurur elozhe argjentinasit që theu rekordin që mbijetonte prej katër dekadash. “Rekordi im qëndroi për 40 vite, 85 gola në 60 ndeshje, ndërsa tani, lojtari më i mirë në botë e theu dhe unë jam i lumtur për të”, – deklaroi ai kohë në kohën kur pleshti e theu. Ai është një lojtar i pabesueshëm, një gjigand. Ai është një profesionist kaq i këndshëm dhe modest sa që shpresoj të shënojë edhe 2-3 gola të tjerë në vitin 2012, si dhe të arrijë të mbajë këtë rekord për 40 vitet e ardhshme”, – u shpreh sulmuesi legjendar gjerman. “Mesi është fantastik. Ai ka vetëm një defekt të vogël dhe ky është se nuk luan për Bajernin e Mynihut”, – deklaroi me humor goleador legjendar.

 

 

Me Tomas Mylerin ndajnë vetëm mbiemrin

Shumë njerëz mendojnë se lojtari që aktivizohet tani me Bajernin, Tomas Myler, ka lidhje me legjendën. Mirëpo ata i lidh vetëm mbiemri, pasi nuk kanë asnjë lidhje familjare. Mirëpo, legjenda ka pasur shumë rol në aktivizimin e lojtarit. Kjo, pasi me sugjerimin e tij talenti i bavarezëve të Guradiolës u fut në moshat e skuadrës gjermane. Kjo, në kohën kur Gerdi punonte në grup-moshat e ekipit.

 

 

 

Pasaporta e lojtarit

Emri: Gerd

Mbiemri: Myler

Datëlindja: Nordligen, Gjermani

Pozicioni: Sulmues

 

Share it :