Mesazhi/ Füle: Konfrontimi aktual minon arritjet. S’ka justifikim për shkarkimet me bazë politike

Gëzim Saliu

 

Për integrimin në BE, topi është në fushën e Shqipërisë. Eurokomisioneri: Çdo dyshim se qeveria shkel rregullat e Kushtetutës dëmton vendin. Opozita duhet të ruajë një përqasje konstruktive

 

 

fyleKomisioneri për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Štefan Füle, jep një mesazh të drejtpërdrejtë për klasën politike shqiptare, duke theksuar se klima aktuale konfrontuese mes palëve minon arritjet e vendit në kuadër të aspiratës për integrimin në Bashkimin Evropian. Përmes një editoriali të titulluar “Integrimi në BE, topi është në fushën e Shqipërisë”, eurokomisioneri theksoi se mesazhet e tij pas Dialogut të Nivelit të Lartë të zhvilluar më mars, i drejtohen si qeverisë ashtu edhe opozitës, ku shtoi se statusi i vendit kandidat, pasi të jepet, do të jetë një vlerësim i punës së të gjitha palëve. “Klima aktuale politike konfrontuese i minon arritjet e Shqipërisë. Ju, qeveria dhe opozita bashkë, duhet të siguroni që procesi të mos dalë nga udha. Qeveria duhet të krijojë hapësirë për pjesëmarrjen e opozitës. Gjithashtu, duhet të japë një shembull të mirë duke respektuar rregullat. Çdo perceptim apo dyshim se qeveria nuk i respekton plotësisht rregullat e Kushtetutës e dëmton vendin. Nuk mund të ketë justifikim për shkarkimin e ekspertëve në agjencitë ekzekutive bazuar në përkatësitë e tyre politike. Sigurisht, të gjitha administratat janë të detyruara të sigurojnë se të gjithë punonjësit e tyre u përmbahen standardeve më të larta profesionale dhe etike. Edhe opozita ka një përgjegjësi të qartë. Ajo duhet të ruajë një përqasje konstruktive. Duke punuar së bashku, përpjekjet tuaja do të forcohen”, – nënvizoi Füle.

 

Reformat

Sipas komisionerit Füle, rruga drejt vendimit për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë në qershor është e qartë, ku, theksoi ai, udhëheqësit e Shteteve Anëtare të BE-së e kanë përmbledhur dhjetorin e kaluar, duke njohur përpjekjet, angazhimin dhe rezultatet e arritura tashmë nga Shqipëria në përpjekjet e saj për reforma. “Shqipëria duhet të mbështetet te kjo, të ruajë dhe të shtojë tempin e reformave dhe të trajtojë sfidat që ka përpara në fushat ku duhen përqendruar më shumë përpjekje dhe energji. Veç kësaj, ne kemi identifikuar pesë përparësitë kyçe që nevojiten për hapjen e negociatave”, – theksoi ai. Më tej, eurokomisioneri pohoi se ndër pikat kryesore ku duhet të mbështetet Shqipëria në rrugën e saj drejt integrimit në BE është shteti ligjor dhe prodhimi i rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar si edhe reforma në gjyqësor e ajo administrative. “Integrimi i komunitetit rom, antidiskriminimi dhe qartësia mbi të drejtën e pronës janë gjithashtu reforma të rëndësishme. Ekziston një konsensus i gjerë kombëtar në Shqipëri mbi aspiratat e saj për në BE. Të gjitha energjitë vitale të vendit, përfshirë ato të shoqërisë civile dhe botës akademike, duhen përdorur për arritjen e synimit të anëtarësimit në BE”, – deklaroi Füle. Nga ana tjetër, ai përshëndeti vendimin e qeverisë për ngritjen e një mekanizmi të posaçëm për mbledhjen dhe përdorimin e përbashkët të këtyre burimeve, siç është “Këshilli Kombëtar për Integrimin në BE”, me pjesëmarrjen e gjithë palëve kryesore të interesuara. “Por koha për veprim është tani. Nuk ka kohë për të humbur. Çdo shtyrje nuk do të ishte në interesin e Shqipërisë. Ndarja e kësaj ndjesie nguti, duke demonstruar një kapacitet të qëndrueshëm për të dhënë rezultate është thelbësore. Rezultatet në reforma dhe garantimi i funksionimit të qetë të institucioneve të vendit është ajo çka ka rëndësi për statusin e vendit kandidat”, – përmbylli mesazhin e tij, komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Štefan Füle.

 

 

Shqipëria dhe rajoni, Füle: Integrimi ka ndikim përtej kufijve

 Në mesazhin e tij, eurokomisioneri Füle pohoi se, krahas interesit për vendin, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE ka ndikim përtej kufijve. Sipas tij, rëndësia për të gjithë rajonin nuk mund të theksohet sa duhet. “Shqipëria ka përgjegjësi jo vetëm kundrejt qytetarëve të saj, por edhe kundrejt të tjerëve që e shohin si burim frymëzimi. Duke ecur me vendosmëri përpara në udhën drejt BE-së, Shqipëria do t’u dërgojë një mesazh të fuqishëm të gjitha vendeve fqinje dhe qytetarëve të tyre; mesazhin se vlerat evropiane janë të forta dhe udhëheqin njerëzit që dëshirojnë ta marrin në duart e tyre të ardhmen e vet evropiane”, – nënvizoi Füle.

 

 

Ambasadori Sequi

BE zyrtarizon largimin nga Shqipëria, Ashton dhe Füle u përgjigjen akuzave: Ka kontribute

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tirane, Ettore Sekui, do të lërë së shpejti Tiranën e bashkë me të edhe strukturat e Bashkimit Evropian, pasi ai pritet të marrë postin e drejtorit të kabinetit të ministrit të jashtëm italian. Në përgjigje të akuzave në shtyp për detyrën në Shqipëri, zyra e BE-së në Tiranë ka publikuar falënderimet e zëdhënëses së Ashton-it dhe komisionerit Füle ndaj kontributit të ambasadorit Sequi. Maja Kocijancic, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë Catherine Ashton, shprehu dje falënderimet e Përfaqësueses së Lartë Catherine Ashton dhe komisionerit Štefan Füle për ambasadorin Ettore Sequi dhe për kontributin e tij në afrimin e Shqipërisë me BE-në. “Ambasadori Ettore Sequi do të largohet së shpejti nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri për të marrë një pozicion kyç në Ministrinë italiane të Punëve të Jashtme. Ambasadori Sequi, një diplomat italian që ka shërbyer, ndër të tjera, në Kombet e Bashkuara në Nju Jork dhe si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së në Afganistan, ka dhënë një kontribut domethënës në afrimin e Shqipërisë me BE-në”, – tha Kocijancic. Më tej, ajo theksoi: “Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton dhe komisioneri Štefan Füle e falënderojnë z. Sequi për punën e tij të shkëlqyer dhe i urojnë suksese në detyrën e tij të re”.

Share it :