Janë mbyllur dje në mbrëmje ndeshjet e fazës së parë të çerekfinaleve të Champions League. Dy sfidat e luajtura ishin ato midis Realit të Madridit dhe Dortmundit, ndërsa në Francë PSG ka bërë surprizën dhe ka mposhtur bindshëm Çelsin e Murinjos. Në Madrid, nuk pati shumë histori, por vetëm një rezultat hakmarrjeje. Ishin madrilenët ata që dominuan lojën dhe arritën që të mundnin djemtë e Jurgen Klëpit. Ishte uellsiani Bejl ai që hapi i pari shifrat e ndeshjes, duke çuar skuadrën në epërsi. Më pas galerinë e golave do ta plotësonte Isko me një gjuajtje të bukur dhe Ronaldo që shënoi golin e 14 në këtë kompeticion. Ndërsa nga ana tjetër verdhezinjtë gjermanë nuk arritën që t’ia dilnin mbanë të ndryshonin pritshmëritë, duke mos u shfaqur rrezikshëm para Kasijasit. Mungesa e Levandovskit ishte një humbje e madh për Dortmundin që do të duhet të presë ndeshjen e radhës për të parë nëse do të mund të realizojë të pamundurën. Ndërsa në Paris nddoh mrekullia për ekipin e PSG-së. Skuadra e Blankut ka marrë një triumf mjaft bindës, duke i treguar Murinjos se nuk do ta ketë të lehtë ndeshjen e kthimit. Do të ishte Laveci ai që do të shënonte i pari duke e çuar skuadrën e tij në epërsi. Ndërsa shifrat për Çelsin e barazoi belgu Hazard që i dha shpresa skuadrës se diçka mund të ndryshonte. Por më pas autogoli i Luizit dhe supergoli i Pastores do ta çonin ekipin e Ibrës drejt fitores. Një fitore që i çon më të sigurtë për kualifikim në Londër.
FIFA dënon Barçën 14 muaj pa merkato. Pikat ku do të vuajnë katalanasit
Një tronditje tjetër për Barcelonën. Pas barazimit me Atletikon dhe problemeve që kanë pasur gjatë gjithë këtij sezoni me rezultatet dhe çështjen “Nejmar”, tashmë është shtuar dhe një tjetër. I gjithë problemi tashmë është përqendruar te vendimi i FIFA-s për të ndëshkuar Barcelonën të kryejë lëvizje në merkato vetëm në hyrje për 14 muajt e ardhshëm, pas problemeve me transferimin e disa futbollistëve minorenë. Një problem shumë i madh që nuk e penalizon shumë skuadrën. Kjo, pasi këtë qershor pritej që Barça të bënte edhe disa rregullime të reja në skuadër, që do ta ndihmonin. Jo shumë kohë më parë ishte presidenti i klubit të katalanasve, Bartolomeu, ai që u shpreh se ekipi do të hynte në këtë merkato me 125 milionë euro. Një shifër e konsiderueshme, që do ta freskonte Barcelonën dhe do t’i jepte një stil të ri. Mirëpo, tashmë shumë probleme janë hapur në horizont. Kjo, pasi vetëm klubi spanjoll ishte gati të lejonte largimin e portierit më fitimtar në historinë e klubit, Viktor Valdes, që ka shprehur haptazi dëshirën për t’u larguar në përfundim të sezonit, atëherë kur mbaron edhe kontrata e tij. Momentalisht, Valdes vuan një dëmtim në gju dhe u mendua që aventura e tij me fanellën azulgrana ka përfunduar. Por dënimi i marrë mund të bëjë që drejtuesit e klubit t’i ofrojnë një kontratë më të mirë, për ta bindur që të qëndrojë e të ndihmojë klubin në këtë situatë të vështirë. Një problem tjetër janë edhe marrëveshjet gjysmë të deklaruara. Nuk është sekret që katalanasit kanë arritur akordin me portierin e Borusia Mynshegladbah, Mark Andre Ter Stegen për rreth 14 milion euro. Por vendimi i FIFA-s vendos në pikëpyetje këtë transferim. A është nënshkruar kontrata? Nëse po, a është e vlefshme ajo? Nëse Ter Stegen nuk kalon në “Camp Nou”, atëherë Barcelona duhet me doemos të bindë Valdesin të qëndrojë. Ndërkohë, javën e kaluar ish-kampionët e Evropës anonçuan blerjen e talentit 17-vjeçar, kroatit Alen Haliloviç, nga Dinamoja e Zagrebit. Një repart që mund të pësojë probleme është edhe mbrojtja. Kapiteni Karles Pyjol, fitues i 6 titujve kampion në Spanjë dhe i tre Champions League, ka deklaruar largimin në verë. Katalanasit bënë publik planin për të afruar një qendërmbrojtës të ri, duke nxjerrë si objektiv kryesor David Luiz të Çelsit. Me Xherard Pikeenë dhe Havier Maskeranon në mbrojtje, cili do të jetë elementi i ri që do t’i bashkohet skuadrës si alternativë në qendër të mbrojtjes? Kjo mund të shkaktojë edhe një humbje të freskisë te lojtarët. Kjo verë shihej tek Barcelona si mundësia për të rinovuar skuadrën, nën drejtimin e një trajneri të ri, duke qenë se shpesh është aluduar që Tata Martino dëshiron të largohet. Prej kohësh Barça është vënë në gjurmët e një sulmuesi, por edhe të një zëvendësuesi të denjë për Ksavin. Gjithashtu, edhe 30-vjeçari Dani Alves është në përfundim të kontratës dhe ende nuk është arritur marrëveshja e re. Mbyllja e merkatos për dy sesione do të thotë që mosha e skuadrës do të vijë duke u rritur, vetëm nëse në lojë do të hyjnë produktet e shkollës së famshme, La Masia.
Kosta i lumtur, kthehet pas 10 ditësh
Një lajm i mirë ky për Atletikon e Madridit, që shpreson shumë ta ketë të gatshëm yllin e saj për takimin e kthimit me Barcelonën në “Vincente Calderon”. Sipas asaj që bëri me dije klubi bardhekuq në llogarinë e tij në rrjetin social “Twitter”, sulmuesi me origjinë braziliane, por që luan për përfaqësuesen e Spanjës, vuan një dëmtim muskulor të shkallës së parë në kofshën e djathtë, por nuk ka asnjë lloj këputjeje të ligamentit. Megjithatë, 25-vjeçarit i duhet të qëndrojë rreth 7 deri në 10 ditë jashtë fushave të futbollit dhe në këtë mënyrë prania e tij në sfidën e kthimit me Barcelonën është në dyshim, ndërsa mungesa e Kostës në ndeshjen e javës së 32-të të La Liga me Vilarealin është thuajse e sigurt. Kontrollet e fundit mjekësore kanë qetësuar edhe vetë futbollistin e bardhekuqve që nuk ishte aspak optimist për një rikuperim të shpejtë të tij. Braziliani i natyralizuar si spanjoll është golashënuesi i skuadrës së Simeone në këtë sezon teksa në 43 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet me “rojiblancos” ka shënuar 33 gola.
Shqipëria në qershor sfidon San Marinon
Federata Shqiptare ka siguruar një tjetër takim miqësor në kuadër të përgatitjeve për eliminatoret e Euro 2016. Kundërshtari i radhës do të jetë San Marino, ndërsa ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Serravalle”, më datë 8 qershor në orën 20:30. Ky takim plotëson me tri miqësore, fushatën përgatitore që trajneri Xhani de Biazi, po programon para fillimit të eliminatoreve. Më 31 maj, Shqipëria do të luajë në Sion të Zvicrës në “Stade de Tourbillon” miqësoren e parë me Rumaninë, më 4 qershor do të jetë testi i dytë me Hungarinë për ta mbyllur më pas pikërisht ndaj San Marinos me 8 qershor. Gjatë gjithë kësaj periudhe ekipi kombëtar do të jetë i grumbulluar.





