Krijohen më shumë hapësira për punëkërkuesit e rinj dhe për femrat
Dje qeveria bëri ndryshime në vendimet për nxitjen e punësimit. Në këtë mënyrë pritet t’u krijohen më shumë lehtësi punëkërkuesve që hyjnë për herë të parë në punë, femrave si dhe punëkërkuesve në vështirësi. Mundësitë e punësimit, sipas qeverisë, do të krijohen falë financimit që pritet t’u bëhet bizneseve nëpërmjet pagesës së kontributeve të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore si dhe vetë punëmarrësve.
Punëkërkuesit që hynë për herë të parë në punë
Përfitues të këtij programi janë punëkërkues të rinj nga mosha 16-30 vjeç. Zyra e Punësimit financon:
punëdhënësin, me një financim mujor në masën deri në 100 për qind të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se një vit. Ky financim bëhet nga zyra e punësimit në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore, sipas procedurave përkatëse. punëmarrësin e përfshirë sipas këtij programi, me katër paga në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, në muajt e pestë e të gjashtë dhe në muajt e njëmbëdhjetë e të dymbëdhjetë të kontratës, ndërsa për muajt e tjerë financon punëdhënësi. Punëdhënësit, persona juridikë apo fizikë, kanë të drejtë të kërkojnë të përfshijnë në program:
-deri në 100 për qind të numrit aktual mesatar të të siguruarve në tre muajt e fundit, në rast se kanë deri në 50 punonjës.
-deri në 50 për qind të numrit aktual mesatar të të siguruarve në tre muajt e fundit, në rast se kanë mbi 50 punonjës.
Nxitja e punësimit të femrave
Përfitues të këtij programi janë femrat punëkërkuese nga grupet e veçanta, zyra e punësimit financon: punëdhënësin, me një financim mujor në masën deri në 100 për qind të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se një vit. Ky financim bëhet nga zyra e punësimit në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore, sipas procedurave përkatëse.
Punëmarrësin e përfshirë sipas këtij programi, deri në katër paga, në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, në muajt e pestë e të gjashtë dhe në muajt e njëmbëdhjetë e të dymbëdhjetë të kontratës, ndërsa për muajt e tjerë financon punëdhënësi. Punëdhënësit, persona juridikë apo fizikë, kanë të drejtë të kërkojnë të përfshijnë në program:
-deri në 100 për qind të numrit aktual mesatar të të siguruarve në tre muajt e fundit, në rast se kanë deri në 50 punonjës.
-deri në 50 për qind të numrit aktual mesatar të të siguruarve në tre muajt e fundit, në rast se kanë mbi 50 punonjës. Punëdhënësit mund të aplikojnë për programin në mënyrë elektronike apo pranë zyrave të punësimit.
Nxitja e punësimit nëpërmjet formimit në punë
Përfitues të këtij programi janë punëkërkues të papunë të cilët do të përfitojnë trajnim nëpërmjet punës, zyra e punësimit financon:
– deri në 70 për qind të tarifave me bazë koston e trajnimit, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
– deri në 50 për qind të tarifave me bazë koston e trajnimit, për ndërmarrjet e mëdha.
Punëkërkuesit në vështirësi
Përfitues të këtij programi janë punëkërkuesit e papunë në vështirësi, zyra përkatëse e punësimit financon: punëdhënësin, me një financim mujor në masën deri në 100 për qind të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se një vit. Ky financim bëhet nga zyra e punësimit në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, sipas procedurave përkatëse.
Punëmarrësin e përfshirë në këtë program, deri në katër paga, në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, në muajin e pestë e të gjashtë dhe në muajin e njëmbëdhjetë e të dymbëdhjetë të kontratës, ndërsa për muajt e tjerë financon punëdhënësi. Punëdhënësit, persona juridikë apo fizikë, kanë të drejtë të kërkojnë të përfshijnë në program:
-deri në 100 për qind të numrit aktual mesatar të të siguruarve në tre muajt e fundit, në rast se kanë deri në 50 punonjës.
– deri në 50 për qind të numrit aktual mesatar të të siguruarve në tre muajt e fundit, në rast se kanë mbi 50 punonjës. Në rastet kur punëkërkuesi, si punëmarrës, pjesëmarrës në këtë program, largohet përpara afatit të përcaktuar në kontratë, për shkaqe të arsyeshme, zëvendësimi bëhet nga zyra përkatëse e regjistrimit pas njoftimit nga punëdhënësi.
Kospiri: Përfitojnë kategoritë në vështirësi
Zv.ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, pas miratimit të vendimit u shpreh se do të ketë më shumë mundësi punësimi për kategoritë specifike në vështirësi. Në bazë të ndryshimeve që u miratuan, çdo biznes, person juridik ose fizik ka të drejtë të aplikojë dhe përfitojë nga programet e Fondit të Nxitjes së Punësimit. Me ndryshimet e bëra afati kohor i miratimin të shpërndarjes së fondeve shkurtohet në 10 ditë, me qëllim shpejtimin e impaktit në hapjen e vendeve të reja të punës. Nga ana tjetër, ndryshimet sjellin inovacion me futjen e mjeteve elektronike në publikimin dhe aplikimin për programet e nxitjes së punësimit, lehtësojnë procedurat për subjektet private, si dhe përmirësojnë procesin e miratimit të projekteve. Këto ndryshime kanë për qëllim dhënien me prioritet të fondeve për punësimin e kategorive specifike në vështirësi dhe grupeve të veçanta të femrave, punëkërkuesve të papunë të rinj pa profesion, si dhe atyre që përfitojnë pagesë papunësie dhe ndihmë ekonomike, të papunët afatgjatë, personat mbi 45 vjeç që nuk kanë një arsimim më të lartë se arsimi i mesëm ose ekuivalent të tij, personat me aftësi të kufizuar, personat nga komuniteti rom dhe emigrantët e kthyer me probleme ekonomike. Për vitin 2014, fushat prioritare për zbatimin e fondit të nxitjes së punësimit janë: industria prodhuese, aktivitetet e lidhura me bujqësinë dhe blegtorinë, industria e turizmit, teknologjia e informacionit, dhe industritë e lidhura me detin”, – u shpreh Kospiri gjatë një konference për shtyp.
Shërbimi Kombëtar i Punësimit, me 9 anëtarë
Po dje qeveria ndryshoi statusin e Këshillit Kombëtar të Punësimit. Këshilli Administrativ Trepalësh është organi më i lartë vendimmarrës i Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Ai përbëhet nga 9 anëtarë dhe kryesohet nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Anëtarët e tjerë janë përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Inspektoratit Shtetëror të Punës, Institutit të Sigurimeve Shoqërore, organizatave më të përfaqësuara të punëmarrësve në këshill, me dy anëtarë, dhe të organizatave më të përfaqësuara të punëdhënësve në këtë këshill, me dy anëtarë. Mandati i anëtarëve të këtij këshilli është trevjeçar dhe miratimi i emërimit të këtyre anëtarëve bëhet nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore duhet të jenë në nivel zëvendësministri ose drejtori drejtorie”, – thuhet në vendimin e qeverisë.





