Kthimi i borxhit, deri tani janë paguar 120 milionë dollarë

Ervin Kaduku

 

Cani: Nga Fondi Monetar ende nuk ka mbërritur asnjë qindarkë; Financat nisin pagesat e detyrimeve të shtetit, por nxjerrin “bishta” lidhur me parregullsitë e faturave, ndërkohë që biznesi pret

 

shtrimi rrugeveNë mbledhjen e Këshillit Konsultativ, të zhvilluar të martën pasdite, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka konfirmuar se deri tani shuma që i është kthyer biznesit nga shteti për detyrimet e prapambetura ka arritur në shifrën 120 milionë dollarë. Nga kjo shumë, 30 milionë dollarë janë paguar vitin e kaluar (kur në dhjetor 2013 u alokua një shumë prej 5 miliardë lekësh, nga e cila 2 miliardë shkoi për paraplegjikët dhe 3 miliardë fatura të prapambetura), ndërsa gjatë këtij viti janë paguar 90 milionë dollarë. “Lëvrimi i fundit i fondeve është bërë në 31 mars”, – tha Cani. Po ecet me objektivin, tashmë të deklaruar, për të paguar 350 milionë dollarë deri në qershor. Nga shuma e paguar, mbi 80% i përket rimbursimit të TVSH-së.

 

Faturat

Por, kreu i Financave publike nuk la pa nxjerrë justifikimin e radhës, kur theksoi më tej se “tashmë problem po bëhet biznesi, pasi kompanitë po rezultojnë që kanë probleme me faturat”. Sipas burimeve nga Financa, janë rreth 10 mijë fatura të hedhura në faqen e Tatimeve, ku bizneset mund të verifikojnë gjendjen, por shumë prej këtyre rezultojnë me probleme gjatë rakordimeve.

Cani tha se paratë për të shlyer detyrimet janë siguruar nga brenda vendit, ndërkohë që fondet e FMN-së nuk kanë mbërritur akoma. Për huanë e Fondit pritet më parë miratimi nga Kuvendi, ky projektligji sapo ka filluar të diskutohet ditën e hënë. Sipas tij, është rënë dakord me FMN-në që do të ecet me shlyerjen e borxhit duke parë dhe si do të reflektojë ekonomia.

Qeveria është angazhuar për të shlyer 72 miliardë lekë detyrime të prapambetura për periudhën 2014-2014, gjysma e të cilave pritet të paguhet brenda këtij viti. “Deri tani kemi arritur një të tretën e objektivit të këtij viti”, – tha ministri i Financave në Këshillin Konsultativ pranë tij, që përbëhet nga analistë dhe ekspertë të fushës ekonomike dhe të medias, i cili zhvilloi të martën mbledhjen e tretë të radhës.

 

Cilat janë subjektet që kanë marrë më shumë

Vetëm nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar në 3-mujorin e parë të vitit 2014, janë likuiduar punime të kryera nga ndërmarre private dhe të papaguara me vlerë në total 3.19 miliardë lekë. Gjithsej, llogariten 97 transaksione thesari që janë kryer në këtë drejtim, ku 14 prej tyre janë me vlerë mbi 100 milionë lekë (1 miliard të vjetra).

Sa më poshtë, vijon lista e faturave më të larta paguar deri tani.

 

Përfitues

Vlera në lekë

Datë regjistrimi

Datë ekzekutimi

GECI139,043,49931.12.20136.1.2014
A. N. K.121,558,83231.12.20136.1.2014
SALILLARI111,349,40831.12.20136.1.2014
G. P. G. COMPANY127,982,79631.12.20136.1.2014
AGBES CONSTRUKSION161,093,44131.12.20136.1.2014
VICTORIA INVEST INTERNATIONAL196,026,91631.12.20136.1.2014
ALBSTAR SH.P.K100,000,00031.12.20136.1.2014
G J I K U R I A111,111,94631.12.20136.1.2014
CURRI- Sh.p.k100,000,00031.12.20137.1.2014
PE – VLA – KU200,000,00031.12.20137.1.2014
COPRI-AKTOR247,333,41730.12.201310.1.2014
ALB-TIEFBAU112,325,92231.12.201310.1.2014
GECI153,767,93031.12.201310.1.2014
SERENISSIMA CONSTRUZIONI TIRANE111,704,56725.3.201426.3.2014

 

 

 

Ç’mendon biznesi

Kur ka nisur të disbursohet pjesa e parë e borxheve që qeveria u ka bizneseve dhe është konfirmuar se brenda këtij viti do të paguhet rreth gjysma e tyre, sipërmarrësit, nga ana e tyre, megjithatë duken pesimistë. Megjithëse qeveria ka nisur pagesën e detyrimeve të prapambetura për shumë kompani që kanë realizuar punë publike, çka pritet të shtojë likuiditetet në treg, sipërmarrësit thonë se pjesa më e madhe e këtyre parave do t’u shkojë bankave për të paguar kreditë si dhe të tretëve.

Shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë konfirmojnë se rënia e fuqisë blerëse, që ka ulur shitjet, vonesat në pagesa të kompanive me njëra-tjetrën, detyrimet e prapambetura të shtetit kanë bërë që bizneset të zbrazin llogaritë e tyre pranë bankave gjatë vitit 2013. Sipas statistikave, llogaritë rrjedhëse të bizneseve ishin rreth 24 miliardë lekë në fund të vitit 2013, duke shënuar tkurrje prej gati 2% me bazë vjetore, në një kohë që depozitat pa afat në total u rritën me 9.5% për të njëjtën periudhë.

 

Ndërtimi

Me gjithë pagesat e premtuara, një situatë ende negative pritet të vijojë në sektorin e ndërtimit, një nga më të goditurit nga kriza ekonomike. Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve deklaroi këto ditë për median se i gjithë viti do të jetë “apatik”, ndërsa shpresat për përmirësim i përkasin vitit 2015. E njëjta gjë ndodh edhe te sektorët e lidhur me ndërtimin, si hidrosanitaret, tullat, bojërat etj., ku nuk pritet përmirësim. Artan Dulaku tha se të paktën edhe për këtë vit, sektori i ndërtimit do të jetë në staniacion, d.m.th. nuk do të shënohet ndonjë risi, qoftë pozitive, qoftë negative. “Është e vërtetë që qeveria ka nisur të paguajë detyrimet dhe pjesa më e madhe e tyre u përkasin pikërisht firmave të ndërtimit, por këto para do të shkojnë të paguajnë bankat, ku kompanitë kanë shumë kredi të papaguara”, – u shpreh ai.

 

Shqetësimet

Nga ana tjetër, presidenti i organizatës së biznesit “Konfindustria Shqiptare”, Hajredin Fratari, vëren se ka shumë pesimizëm nga ana e bizneseve. “Është e vërtetë që ka nisur shlyerja e detyrimeve, por është paguar ende shumë pak. Të gjitha bizneset kanë borxhe nëpër banka dhe mund të ketë shumë sasi që do të përkthehet në likuiditet. Janë të shumta kompanitë e infrastrukturës që i kanë dërguar në shtëpi punonjësit, qoftë në asistencë, qoftë për pushim nga puna. Nga ana tjetër, ne po ndeshim probleme me tërheqjen e investitorëve të huaj, të cilët po stepen sepse ne sot jemi ndër vendet me taksat më të larta në rajon. Është shqetësuese për ne marrja e kredisë nga FMN-ja dhe kushtet e forta që e pasojnë atë për qeverisë, që në rast se nuk përmbushen do të çojnë në rritjen e mëtejshme të taksave”, – thotë Fratari.

 

Share it :