Intervista/ Ermonela Jaho: Jam një “Madam…”, katarsi ku gjej paqen si grua

Violeta Murati

 

Në provat gjenerale, asnjë ndryshim nga premiera, këngëtarja Ermonela Jaho ka treguar sfilitjen e dramës së saj, gruas që zhgënjehet nga dashuria dhe sakrifikon jetën, deri në vetëflijim – një pasazh gjendje, në homazh të gruas shqiptare, asaj çfarë ndodh në kronikat tona të zeza

 

jahoErmonela duhet të mbajë si në shtizë gjithë kohën trupin, për të pasur një prezencë të Madam Buterfly japoneze. Deri në fund kur lëshon djalin nga duart dhe vendos fatalitetin e jetës së saj, vetëvrasjen, Madam Buterfly shndërrohet në një homazh për sakrificat dhe gruan shqiptare, për sopranon që ka namin e madh nga skenat e botës, e që në skenën e Teatrit të Operas në Tiranë është kthyer pas shtatë vitesh.

Për Ermonelën, një rol sfidues, i vështirë, mjaft dramatik gati sfilitës. E dukshme e gjithë kjo gjendje derisa u mbyll perdja. Për një moment u duk sikur sopranoja ishte e mbytur nga lodhja, rraskapitja që i jep roli… duke menduar se deri tani ky produksion është vënë tetë herë në skenë. Sfidë! Sigurisht nuk e ka përjashtuar Tiranën, Ermonela duke shfaqur anën “inatçore” të karakterit të saj, deri në realizimin e rikthimit.

“Hera e parë kur kam interpretuar Madam Buterfly ishte para gjashtë vitesh. E kam shtyrë pak në axhendë, pasi doja që të ishte dhuratë prindërve të mi. Nuk qe e mundur atëherë, sepse vështirësitë ishin të mëdha. Është një rol tepër impenjativ, qoftë nga ana vokale, kërkon pjekuri, ashtu dhe nga ana dramatike. Por, për mua këndimi është një ushqim shpirtëror, është një lloj katarsi ku gjej paqe. Dua të jem vetvetja që në momentin është mënyra e vetme, më se e vërtetë, ku unë shpreh shpirtin tim. Ndoshta gjeta disa gjëra të përbashkëta që më ka ndihmuar në këtë rol kaq të vështirë. Sa edhe sot e kësaj dite përpiqem ta përmirësoj sa më tepër. Nga Madam Baturfly që kam vënë deri sot, ajo e djeshme është si e dhënë, sepse kthehesh në vendin tënd, gjë që është shumë emocionante, pasi nuk e kam provuar në asnjë vend tjetër ku kam debutuar. Kemi qënë të gjithë në të njëjtin nivel shpirtëror, në të njëjtën gjuhë, të gjithë së bashku dhe ai emocioni kur e këndon me artistë që flasin gjuhën tënde të jep fuqi tjetër”.

Siç shihet, janë sentimentale arsyet e Ermonelës pse zgjodhi t’i propozojë Teatrit shqiptar, operan e Madam Buterfly, me kompozim të Puçinit. E vënë në tetë produksione duket sikur nuk e ngop këngëtaren dramatikja e kësaj vepre, duke gjetur rezonancën me natyrën shqiptare, duke i dhënë asaj “ADN”-në e nevojshme për t’u përmbushur në këtë rol të vështirë në skenë. “Besoj se ne shqiptarët jemi po kaq dramatikë, kaq emocionalë. Në art është një kartë shumë e fortë. Kur flitet me gjuhën e zemrës, mendoj se përmes kësaj opere rezonon me emocionet shqiptare, me atë mentalitet, pasioni që kemi ne ballkanasit me këto opera”.

Bujar Llapaj, i konsideruar si “burri i madh, i vogël” dirigjenti i njohur, rikthyer në opera (kujtojmë pushuar nga puna në vitin 2000, që pasoi me grevën unike të artistëve të Operas), prej më shumë se dhjetë vitesh emigruar jashtë vendit, ka treguar: “Gjithmonë jam kthyer me dëshirë në vendin tim, pa bërë asnjë pazar. Në këtë rast për mua dhe të gjithë artistët shqiptarë që janë këtu, ishte një ngjarje që nuk mund ta humbisja, sepse të bësh opera me Ermonela Jahon që këndon në skenat më të mira botërore, është për të paguar të vish për ta dëgjuar. Në karrierën time është një nga pikat kulmore realizimi i kësaj opere. Ishte një komunikim që nuk ka fjalë. Do ishte mirë që të vinin këngëtarë botërore deri këtu, dhe të mos organizohet një akademi artesh, qoftë dhe privatisht, një master class apo bisedim, është një gjë që ne e kemi vështirë ta pranojmë. Edhe pse jemi ndryshe kemi çfarë mësojmë nga njëri-tjetri. Edhe pse jemi të gjithë të mëdhenj, kemi sërish ç’mësojmë, se ka male dhe maja. Është kënaqësi ajo çfarë kemi ndjerë me këtë shfaqje. Ka qenë një impenjim maksimal për këtë opera”.

E pyetur nga gazetarët se çfarë shikonte të ndryshuar në opera, Ermonelës i duhet të kalojë në një komunikim personal dhe pse për pak shmanget për të “shfryrë” në instinkt “mosmarrëveshjen” që e bllokoi të ishte në Opera kur drejtohej nga Zhani Ciko.

“Unë kam dashur shumë të vijë më përpara, por në momentin e fundit asgjë nuk ka funksionuar. Në momentin që ne nuk respektojmë gjërat minimale midis njëri tjetrit…”, – është ndërprerë fjala e saj këtu, nga drejtori Ilir Kerni, duke kërkuar nga mediat që të fokusoheshin tek shfaqja. Këngëtarja nuk e “keqkuptoi” median në këtë rast, ashtu siç ndodhi me Kernin, me reagimin e tij “nervoz” se për çfarë nuk duhej të pyesnim. Megjithatë, Ermonela e çliruar nga çdo mentaliteti, dhe ky shqiptar, i shkoi në fund se “artisti nuk i përket politikës”, duke treguar se gjeti në këtë bashkëpunim anën njerëzore, ku funksionoi disiplina; se artisti i foli artistit e jo biznesmenit, apo politikanit. “Ka qenë një lloj disipline, korrektësie si parim kryesor për respektin mes njëri tjetrit. Kemi shkëmbyer mendime, dhe s’ka pasur unë jam i madh, apo ti je i vogël, ata që vijë nga larg… Kemi qenë të hapur të dyja palët. Ja kjo gjë ka ndryshuar për mua. Ndoshta mund të duket e vogël, por kjo për mua është një hap i parë, i madh por është diçka që po shkon përpara. Për ta kthyer Teatrin në një shtëpi me krahë gjigandë që mbledh të gjithë artistët, i kthen brenda saj. Kjo është çfarë shoh unë mjaft pozitive”. Edhe regjisori, Nikolin Gurakuqi ka qenë të njëjtën frymë, ndoshta më i befasuar nga bashkëpunimi me sopranon duke thënë se ka qenë një punë e jashtëzakonshme, dhe një modesti e admirueshme nga Ermonela. “Kam ndier ndër rastet e rralla se si njeriu punon me mendje të hapur, me korrektësi e dashamirësi”, – tha Gurakuqi.

Dhe përpjekjet e Ermonelës për të qenë sa më autentike me veprën, ajo japonezja që e ther dashuria, e zhgënjen, e sakrifikon deri në flijim e bën të shprehet se “kemi bashkëpunuar për ta bërë sa më të vërtetë këtë dramë”.

Ndërsa ka ekzistuar dhe një ndjeshmëri sociale ku këngëtarja ka reflektuar në kontekstin e femrës shqiptare, çfarë ndodh në kronikat tona të zeza: “Zgjedhja e këtij personazhi është një homazh i virtyteve të shpirtit të gruas shqiptare. Ajo është shpresoj si një fëmijë, kur çdo është e zezë, dashurohet si një adoleshente totale, sa vendos të sakrifikohet si një profete, është një rezonim që e kam parë në të gjitha nënat dhe gratë shqiptare, dhe në një farë mënyrë jam ndier, pasi janë disa gjëra që i kam jetuar në jetën e grave e nënave shqiptare. Reagimi i djeshëm dhanë atë copë jete të grave shqiptare, jo të vrasin veten, por sakrifica e saj, ndjeshmëria”. S’është keq për një artiste të ketë përshtypjen jashtë gjendjes së saj, ashtu siç reflektojnë pa droje jo pak këngëtarë në botë! Ndoshta, Ermonela për këtë s’ka mundur të shprehet në tjetër vend.

 

Share it :