Sonja Caka
Kërkesa u parashtrua nga avokatët, pranohet nga trupi gjykues. Pranohen 54 dëshmitarë të mbrojtjes, si dhe vënia në dispozicion e dëshmisë së “dëshmitarit të mbrojtur”
Një grup ekspertësh do të përshkruajnë të njëjtin itinerar të përshkruar nga Arben Frroku ditën e vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, nga Tirana për në Kapshticë. Akuza dyshon se i pandehuri mbërriti në Kapshticë për 2 orë e 54 minuta, pas momentit që ndodhi vrasja. Tashmë do të jenë ekspertët ata që do të shohin nëse nga ora 16:30, kur ndodhi krimi dhe deri në Kapshticë, rruga përshkruhet për 2 orë e 54 minuta. Kjo ishte një kërkesë e palës mbrojtëse, e cila u pranua dje nga trupa gjyqësore. Kanë qenë avokatët Genci Gjokutaj dhe Tonin Prendi ata që kërkuan në sallën e gjyqit që të bëhet ky eksperiment, për të përcaktuar nëse një mjet mund të udhëtojë në këtë interval kohe drejt Kapshticës, duke u nisur nga Tirana në orët e pasdites. Gjykata, e cila pranoi këtë kërkesë, e caktoi nisjen nga Tirana pikërisht në orën 18:30, kur është qëlluar mbi Lamajn. Gjithashtu, trupi gjykues pranoi edhe listën me emrat e 54 dëshmitarëve që kërkohen nga mbrojtja për t’u pyetur pas përfundimit të provave të akuzës. Dhe, ndërsa dorëzonte listën e dëshmitarëve, avokati parashtroi edhe një tjetër kërkesë, atë të vënies në dispozicion të dëshmisë së “dëshmitarit të mbrojtur” që ka deklaruar se ka parë Arben Frrokun natën e vrasjes, duke qëlluar nga Dritan Lamaj, gjë për të cilën ata aluduan se ka deklarime kontradiktore. Edhe kjo kërkesë e palës mbrojtëse u pranua nga trupa gjyqësore e kryesuar nga gjyqtari Dritan Hallunaj. Pas këtij momenti, seanca u shty për javën e ardhshme, kur pritet të vijohet me pyetjen e dëshmitarëve të akuzës.
Akuza
Në kërkesën për gjykim, prokurorët rendisin dinamikën e ngjarjes ku mbeti i vrarë kryekomisari Lamaj. “Në datën 24.2.2013, rreth orës 18:30, në rrugën “Ibrahim Dervishi”, blloku i banesave “Vasil Shanto”, është qëlluar me armë automatike, brenda në mjetin e tij, tip “Lancia”, me targa TR 2564 N, shtetasi Dritan Lamaj, me detyrë specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. I dëmtuari është transportuar nga personat e pranishëm për në Spitalin Ushtarak, ku më pas ka ndërruar jetë. Nga hetimet ka rezultuar se viktima është ndjekur nga autorët me një mjet tip “BMW”, ngjyrë gri, me targa DR 1944 F dhe në momentin që po parkonte, është qëlluar nga brenda mjetit. Autorët më pas janë larguar nga vendngjarja. Menjëherë Policia Gjyqësore ka vajtur në vendngjarje, duke proceduar me këqyrjen ku janë gjetur dhe sekuestruar 4 gëzhoja automatiku model 56 dhe 1 trup predhe, të cilat janë dërguar për ekspertim. Nga këqyrja e kufomës rezulton se viktima ka marrë 12 plagë armë zjarri me drejtim qitjeje nga prapa-para, goditje të cilat i kanë shkaktuar vdekjen. Mjeti me targa DR 1944 F është gjetur i djegur pjesërisht nga brenda mbrëmjen e datës 24.2.2013, në vendin e quajtur Rruga e Dorbës në fshatin Domje, pa targa, në të cilën janë gjetur 4 gëzhoja automatiku mod. 56. Mjeti tip “BMW” me targa DR 1944 F rezulton se i është vjedhur në datë 23.2.2013, ora 19:00, shtetasit Fatmir Lila në qytetin e Durrësit. Viktima ka ushtruar disa funksione në Policinë e Shtetit, ku ka qenë edhe në detyrën e shefit të komisariatit të policisë nr. 6 Tiranë”, – ka deklaruar lidhur me momentin e krimit dhe gjetjen e makinës me të cilën u krye krimi prokurori.
Hetimi
Sipas akuzës, nga hetimet ka rezultuar se viktima ka pasur një konflikt serioz me të pandehurin Arben Frroku, i cili ka një biznes në zonën që mbulon ky komisariat. Konflikti ka filluar në muajin mars të vitit 2012. “Ky konflikt është acaruar më shumë në muajin shtator, kur shtetasi Arben Frroku është shoqëruar në komisariatin e policisë nr. 6 dhe ka mbetur ende i pazgjidhur. Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se ky i fundit menjëherë pas ngjarjes ka udhëtuar nga Tirana në drejtim të qytetit të Korçës dhe rreth orës 21:27, ka kaluar Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë për në Greqi dhe aktualisht ndodhet atje. Nga hetimet rezultoi se i pandehuri Arben është treguar entuziast duke krijuar përshtypjen se kishte përfunduar ndonjë «punë» dhe duhej të festonte. Po ashtu, nga hetimet e kryera rezulton se persona të afërt me shtetasin nën hetim janë treguar të frikësuar për Arbenin lidhur me faktin se tashmë policia ka prova për ngatërrimin e tij në këtë ngjarje. Nga pyetja e personave që kanë të dhëna për hetimin, rezulton se ikja e të pandehurit Arben Frroku në drejtim të Greqisë, pasditen e datës 24.2.2013, ka qenë e papritur. Po ashtu, konfirmohet edhe konflikti midis të pandehurit dhe viktimës Dritan Lamaj. Nga hetimi rezulton se deklarimet e një dëshmitari në vendngjarje…… provohen dhe me prova të tjera të administruara gjatë hetimit ku nga analiza e tyre përfundimtare rezulton se i pandehuri Arben Frroku ka kryer veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, në bashkëpunim, si dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit”, përfundon prokurori akuzën dhe më pas shton se “i pyetur rreth akuzës, ky e pandehur e nuk pranon atë”.
Shpallet inkompetenca
Dosja e skandalit në Gjykatën e Pukës transferohet për gjykim në Shkodër
Skandali i marrjes së ryshfetit në Gjykatën e Pukës nuk do të gjykohet nga gjyqtarët e Tiranës, por nga ata të Shkodrës. Vendimi është marrë dje nga gjyqtari i Shkallës së Parë të Tiranës, Lazër Sallaku, i cili shpalli inkompetencën për gjykimin e të pandehurve në këtë Gjykatë. Arsyeja është se ngjarjet janë zhvilluar në Pukë dhe jo në Tiranë dhe për këtë arsye kjo çështje për kompetencë tokësore i takon Gjykatës së Pukës dhe për shkak të konfliktit të interesit, i kalon për gjykim një gjykate më të afërt, asaj të Shkodrës. Pas këtij vendimi të gjyqtarit Sallaku, dosja transferohet për në Gjykatën e Shkodrës, ku pritet t’i nënshtrohet shortit elektronik për caktimin e trupës gjyqësore që do ta gjykojë në vijimësi. Të pandehur janë një gjyqtar, një prokuror, një kancelarë, një sekretare, shoferi i prokurorit, dy avokatë dhe çifti që ofroi paratë, Bardhe dhe Pal Pjetri. Policia në atë kohë arrestoi gjyqtarin Shtjefën Lleshi, prokurorin Pëllumb Prençi; sekretaren Liljana Shkjau; kancelaren Meliha Kuka; avokatët Fran Dashi dhe Fariz Xhurxhi, si dhe shoferin e prokurorit, Dëfrim Prençin. Arrestimet erdhën pas denoncimit me filmime të emisionit “Fiks Fare” të një rasti korrupsioni, marrjeje ryshfeti në këmbim të lirimit të disa të arrestuarve, të cilët u prangosën gjatë protestave ndaj një kompanie minerare në Kukës. Të gjithë ish-zyrtarët e Gjykatës së Pukës tashmë po gjykohen të lirë, pasi Gjykata e Apelit u ka hequr masat e “Arrestit me burg”. Të pandehurit akuzohen për veprat penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorit ose i funksionarëve të tjerë të lartë të organit të drejtësisë”, “Korrupsion aktiv i gjyqtarëve, prokurorit ose i funksionarëve të tjerë të lartë të organit të drejtësisë”; “Moskallëzim krimi”; “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.





