Tepelenë/ Konflikti për pronën, vret kushëririn me sëpatë

Anxhela Tato

 

 

Krimi, Sokol Dida i ka marrë nga dora sëpatën viktimës, Shkëlqim Dida, duke e goditur në pulpë

 Familjarët rrëfejnë se të dyja palët kanë pasur mosmarrëveshje për pronësinë e një trualli toke

  

 

vrasja tepelene Shkëlqim Dida sokolZënka e radhës për një truall toke ka përfunduar me vrasjen e Shkëlqim Didës. Krimi i rëndë ka ndodhur në fshatin Luftinjë të Tepelenës, kur autori ka marrë sëpatën në dorë dhe ka goditur në pulpën e këmbës kushëririn. Sokol Dida po punonte arën, kur viktima i është afruar për të biseduar. Mes të dyve ka plasur sherri i përhershëm për pronësinë e një toke dhe këtë herë kushërinjtë janë konfrontuar fizikisht. Viktima kishte në dorë një sëpatë, të cilën ia ka marrë Sokol Dida dhe e ka qëlluar. Viktima është rrëzuar në tokë dhe ka pësuar gjakderdhje nga pulpa. Menjëherë fqinjët kanë njoftuar policinë. Viktima është transportuar në urgjencë nga makina të rastit, por nuk ka mundur dot të mbijetojë. Ndonëse ndihmës së dhënë nga mjekët gjakderdhja ka qenë e madhe duke i shkaktuar vdekjes Shkëlqim Didës. Ndërkohë që, pas krimit 40-vjeçari Sokol Dida ka tentuar që të fshihet për t’i shpëtuar policisë. Por vetëm brenda një harku shumë të shkurtër kohor uniformat blu kanë gjurmuar 40-vjeçarin, duke e prangosur me akuzën e vrasjes me dashje. Ndërsa familjarët janë shprehur se ishin në dijeni të konfliktit mes kushërinjve, por nuk e mendonin që situata do degradonte në vrasje. Vetë autori i krimit gjatë marrjes në pyetje ka shfaqur shenja pendese. Ai është shprehur para oficerëve të policisë gjyqësore se nuk donte të vriste kushëririn dhe ndjehet shumë keq për çka ka bërë. “Jam penduar për krimin e kryer, nuk doja ta vrisja. Isha shumë i nxehur dhe humba logjikën. Kërkoj falje dhe jam penduar”, – pjesë nga rrëfimi i Sokol Didës.

 

Ngjarja

 Rreth orëve të mesditës një telefonatë ka mbërritur në rajonin e policisë, ku sinjalizohej një konflikt i dhunshëm në arrë mes dy personave. Menjëherë patrulla e policisë ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ka marrë njoftimi se dy kushërinjtë ishin konfliktuar dhe njëri prej tyre i plagosur është shoqëruar në spital. Disa punonjës policie janë paraqitur në spitalin e Tepelenës, ku janë vënë në dijeni se Shkëlqim Dida kishte vdekur. Ai është paraqitur me një plagë të thellë në pulpë, çka i kishte shkaktuar gjakderdhje. Në vendin e ngjarjes është gjetur sëpata, në këtë rast arma e krimit, me të cilën autori ka qëlluar viktimën. Nga dëshmitarë dhe familjarë policia ka arritur të zbulojë konfliktin për pronën mes dy kushërinjve. Sipas bluve ka qenë viktima, i cili ka vajtur të takojë autorin që po punonte arrën. Sokoli dhe Shkëlqimi kanë nisur të debatojë me njëri-tjetrin, kur autori i ka marrë viktimës sëpatën që kishte në dorë dhe e ka qëlluar. Autori ka tentuar të arratiset duke e lënë viktimën të plagosur në rrugë. Kanë qenë makina të rastit që kanë ndihmuar viktimën, i cili nuk ka mundur dot të mbijetojë. Trupi i 42-vjeçarit ndodhet në morgun e spitalit, ku i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Ndërsa autori pas dy ditësh do të dalë para gjykatës për t’u njohur me akuzën dhe masën e sigurisë.

 

 

Durrës

Grabitën 7 dyqane e banesa, pranga 2 autorëve

 Policia e Durrësit ka zbardhur një sërë vjedhjesh në qytetin e Durrësit, si dhe ka vënë në pranga dy autorët. Të arrestuarit janë dy të rinj, Edmond Pjetri, 18 vjeç, dhe Erjon Ferra, 19 vjeç. “Nga puna hetimore u arrit të identifikohen dhe në orën 23:00 u bë ndalimi i dy shtetasve, bashkautorë të dyshuar në këto vjedhje: 1-Edmond Pjetri, 18 vjeç, banor i lagjes nr. 17 Durrës dhe Erjon Ferra, 19 vjeç, banor i së njëjtës lagje”, – thuhet në njoftimin e bluve. Dy adoleshentët akuzohen se përgjatë periudhës janar-mars 2014, kanë realizuar vjedhjet me thyerje të të paktën shtatë dyqaneve e banesave në lagjet 16, 17 dhe 14 të qytetit të Durrësit. Sipas policisë të rinjtë më 28 janar në lagjen 17 kanë vjedhur dyqanin e shtetasit K. M., në të cilin kanë përvetësuar produkte ushqimore e cigare. Më datë 11 shkurt në lagjen 14 vodhën dyqanin e shtetasit F. H., në të cilin kanë vjedhur 60 artikuj veshmbathje. Më datë 4 mars vodhën dyqanin e shtetasit A. K., në lagjen 16, ku morën artikuj ushqimorë me vlerë 6 000 lekë. Më date 21 mars vodhën banesën e shtetasit B. K. në lagjen 17, në të cilën kanë marrë një televizor. Më datë 25 mars vodhën magazinën e F. S. në lagjen 16, ku morën një motoçikletë. Një ditë më vonë vodhën lokalin e shtetasit B. K. në lagjen 17, ku morën një televizor dhe një ekspres kafeje. Dhe me 26 mars kanë vjedhur banesën e shtetasit F. M. në lagjen 14, në të cilën kanë marrë produkte të ndryshme ushqimore. Materialet hetimore i kanë kaluar për hetime të mëtejshme organit të akuzës, ndërsa vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë bashkëpunëtorë në këto krime.

 

 

Fier

Vetëhelmohet me ilaçe antidepresiv, ndwrron jetw aktorja Dafina Llupi

 I jep fund jetës duke u vetëhelmuar aktorja e teatrit “Bylis”. Dafina Llupi është transportuar me urgjencë mesnatën e së enjtes në spital, por nuk ka mundur dot të mbijetojë. Sipas informacioneve të bluve, mësohet se 26-vjeçarja është vetëhelmuar me një sasi të konsiderueshme ilaçesh antidepresiv. E reja është vajza e aktorit të humorit Todi Llupi, i cili njihet me rolin e Malos në skeçin “Po martojmë Malon”. Nga të dhënat e policisë mësohet se 26-vjeçarja ka vdekur në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Drejtorja e spitalit të Fierit, Antoneta Dhima, ka bërë me dije për median se vdekja e 26-vjeçares ka ardhur nga konsumimi i një sasie ilaçesh antidepresiv. Nuk dihen ende shumë detaje për këtë ngjarje të hidhur në familjen Llupi apo shkaqet që çuan aktoren e re t’i japë fund jetës. Ndërsa nga ana e bluve janë marrë në pyetje familjarë të vajzës, të cilët kanë mohuar që ajo të kishte shfaqur shenja shqetësimi. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e motivit që ka nxitur 26-vjeçaren të vetëflijohet.

 

 

Sarandë

Grabiti lokalin, pranga 22-vjeçarit

 Policia e Sarandës ka arrestuar në flagrancë për vjedhje shtetasin Fred Baraktari, 22 vjeç, banues në fshatin Ishull-Lezhë. Policia informon se ka shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtorin e tij, shtetasin me inicialet A. P. Sipas policisë, këta dy shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin rreth orës 10:00 kanë hyrë në lokalin e shtetasit B. B., banues në lagjen nr. 4 të Sarandës, dhe i kanë marrë një shumë parash, duke u larguar me vrap. Falë ndërhyrjes së menjëhershme njëri prej tyre dhe pikërisht shtetasi Fred Baraktari u kap nga patrulla e policisë, në afërsi të lokalit.

Share it :