Korçarët sfidojnë një rival, që më parë u ka hapur probleme dhe që ndeshjet me ta gjithmonë kanë pasur emocione të veçanta, për shkak edhe të statusit që kanë të dyja skuadrat
Teuta e Durrësit ndeshet me rivalët e Kukësit që janë të gatshëm të bëjnë surprizën, me synimin që nga ky sezon të dalin me një pikë
Sot luhen ndeshjet e para të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Sfida të veçanta, që do të përcaktojnë se kush kalon për në finalen e madhe. Përballë janë vënë skuadra shumë të forta, që gjithmonë kanë pasur një rivalitet të madh midis tyre. Kampionët e Skënderbeut do të përballen me skuadrën e Flamurtarit, që është dhe rivali numër 1 i korçarëve. Ndërsa Teuta do të përballet me verilindorët e Kukësit në një sfidë midis të barabartëve, ku është e vështirë të parashikohet favoriti.
Skënderbeu-Flamurtari
Shorti i gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë rezervoi një sfidë të veçantë për Skënderbeun, që do të rikthehet në Vlorë për t’u përballur me Flamurtarin. Dueli i viteve të fundit është shoqëruar gjithmonë me polemika në sfidën e vlefshme për javën e tretë të Kategorisë Superiore tensioni arriti kulmin, me goditjen e presidentit të Skënderbeut Ardjan Takaj në tribunën VIP nga një tifoz i Flamurtarit. Megjithatë, trajneri i kampionëve në fuqi, Mirel Josa përgatit skuadrën për atë që e pret në 90-minutëshin e Kupës dhe jo për atë që kaloi. Gjithashtu Josa ndalet më tej për të analizuar dy ndeshjet e Kupës, kompeticion që e vlerëson shumë po aq sa edhe kampionatin. Këtë sezon skuadra e Skënderbeut ka vuajtur shumë mungesat e futbollistëve të dëmtuar, të cilët kanë detyruar trajnerin tiranas të bëjë ndryshime në formacion. Ekipi korçar nuk e pati të vështirë që të kalonte për në fazën e gjysmëfinaleve. Kjo pasi përballë kishin Ilirinë e Fushë Krujës. Një skuadër të cilën e mundi me rezultatin e thellë 11-1 dhe brenda të cilës nuk pati më shumë histori përveç dominimit të korçarëve. Ndërsa në fazën e dytë ekipi i Josës pati përballë Mamurrasin që e mundi me rezultatin thellë 6 me 1. Në çerekfinale ishte një përballje e veçantë pasi kishte si kundërshtar mbajtësit në fuqi të kupës, Laçin. Por edhe kjo ndeshje nuk pati shumë emocione pasi skuadra e Nices fituan me rezultatin 3 me 0. Ndërsa në turin e parë labët mposhtën Gramshin e Kategorisë së Dytë me rezultatin 5 me 0 duke pasur mjaft të thjeshtë dhe pa shumë komplikime të dyja sfidat. Ndërsa e njëjta histori u përsërit edhe në sfidën me Tomorin e Beratit. Vlonjatët e mposhtën me rezultatin 6 me 2 duke i dhënë vetes biletën për çerekfinale. Në këtë fazë djemtë e Gjokës kishin përballë Vllazninë. Edhe pse me një rezultat të ngushtë jugorët arritën që të mposhtnin shkodranët duke siguruar kështu edhe gjysmëfinalen.
Teuta-Kukësi
Teuta niset në Kukës me bindjen se Evropa është më pranë nga kompeticioni i dytë më i rëndësishëm në vend. “Djemtë e detit” kanë rigjetur suksesin në derbin me Besën, çka i ka dhënë qetësi në klasifikim skuadrës së drejtuar nga Ilir Biturku. Përpara sfidës së parë gjysmëfinale të Kupës, trajneri kavajas analizon lojën e skuadrës që ai drejton, ku sheh përmirësime në aspektin mbrojtës. Përballë Teutës do të jenë nënkampionët e sezonit të kaluar, një kundërshtar i fortë që kurrsesi nuk duhet nënvlerësuar. Por në analizën e Biturkut ka vend edhe për individët të cilët mund të përcaktojnë edhe fatin e ndeshjes. Ekipi verilindor i Kukësit ka pasur këtë vazhdimësi gjatë aventurës së kupës. Në sfidën e parë është përballur me Naftëtarin. Blutë e mundën skuadrën e Kategorisë së Parë me rezultatin 6 me zero. Ndërsa në fazën e dytë kuksianët patën përballë Apoloninë. Fierakët ishin dhe viktima e radhës që i dha mundësinë ekipit të Gjicit për të kaluar në fazën e tretë. Në çerekfinale u përball me finalistët e Bylisit ndaj të cilëve arritën që të dilnin fitimtar me golavarazhin 4 me 1. Kurse skuadra e djemve të detit pati si kundërshtar të parë skuadrën e Besëlidhjes. Teuta arriti që të triumfonte ndaj kavajasve, duke fituar me rezultatin e përgjithshëm 4 me 1. Ndërsa kundërshtari i dytë ishte Shkumbini. Më i lehtë si kundërshtar por arritën që të fitonin vetëm me rezultatin 2 me 0. Ndërsa në çerekfinale përballë kishin Lushnjën. Sfida ndaj myzeqarëve ishte e thjeshtë pasi blutë arritën t’i shkatërronin me rezultatin 7 me 4.
Ndeshjet, të rrethuara me forca të shumta policie
Rend dhe Ligj. Kjo është motoja tashmë e sportit në stadiumet shqiptare. Incidenti i fundit në Ballsh ka sjellë një mobilizim edhe të forcave policore që sot do të jenë në gatishmëri për dy ndeshjet e Kupës. Në kërkesën e bërë nga FSHF është shkruar: “Të mërkurën në stadiumet e Vlorës dhe Kukësit luhen dy ndeshje shumë të rëndësishme sa i përket kompeticionit të Kupës së Shqipërisë. Lutemi që të merrni masa të përforcuara, pasi këto dy përballje kanë një shkallë të lartë vështirësie për vetë rëndësinë që kanë. Nisur nga ato që kanë ndodhur gjatë fundjavës së kaluar në Ballsh, kërkojmë që të ketë prani të Forcave Speciale pasi nuk mjafton gatishmëria e policisë lokale. Vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet siguria në këto dy stadiume. Në bazë të informacioneve që kemi, masat duhet të jenë të forta pasi vetëm kështu mbarëvajtja e ndeshjeve do të shkojë normalisht”, – bëhet e ditur ndër të tjera në shkresën që FSHF i ka dërguar dje Drejtorisë së Policisë së Shtetit.
Shqipëria U-17 përballet me Italinë
Përfaqësuesja U-17 e Shqipërisë nis këtë të mërkurë aventurën në Elitë Round, ku është shortuar në një grup shumë të vështirë bashkë me Italinë, Anglinë dhe Republikën Çeke. Djelmoshat kuqezinj që drejtohen nga boshnjaku Xhemal Mustedanagiç, do të zbresin në fushë në orën 14:00 përballë Italisë së trajnerit Daniele Zorato. Skuadra axurre mbetet një nga pretendentet kryesore për t’u kualifikuar në fazën finale. Më 28 mars, 17-vjeçarët e Shqipërisë do të luajnë kundër Anglisë, një tjetër superfuqie të futbollit evropian, për ta mbyllur këtë fazë më 31 mars me sfidën e fundit me Çekinë, vendi që organizon ndeshjet e grupit 4 të Elite Round. Në raundin kualifikues, që u luajt në Shqipëri, Shqipëria U-17 u rendit e dyta pas Rumanisë, në kuotën e 4 pikëve. Kjo është hera e dytë që 17-vjeçarët kualifikohen në Elite Round.





