Greqi/ I dënuari shqiptar masakron me thikë gardianin

Telnis Skuqi/ Anxhela Tato

 

 

Iu refuzua leja, i dënuari Ilir Kareli: Nuk më lejojnë të shoh nënën time, do të marr jetën e njërit prej jush

 Policia, 3 goditje me thikë në qafën e gardianit, i burgosuri shqiptar i çau arterien kryesore

 

burgu greqiI dënuari shqiptar vret gardian grek, me pretekstin se nuk i dhanë leje që të vizitonte nënën e tij. Me një thikë në dorë ai bërtiste se do të merrte hak, do t’i merrte jetën njërit nga gardianëve, pasi iu mohua e drejta për të takuar mamanë e tij. I dënuari Ilir Kareli, sipas mediave greke, ka qëlluar tri herë me thikë njërin nga gardianët, duke i çarë arterien kryesore, çka i shkaktoi vdekjen e menjëhershme. Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se i dënuari me burgim të përjetshëm kishte paraqitur një kërkesë për leje, e cila ishte refuzuar. Ilir Kareli nuk ka mundur dot ta kapërdijë refuzimin, duke marrë hak ndaj gardianit. Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Ministria greke e Drejtësisë, e cila e ka cilësuar vrasjen e gardianit të pakuptimtë. “Se sa e thjeshtë është t’i japësh një personi me burgim të përjetoshëm, të dënuar për vrasje, një leje pesëditore për të vizituar nënën e tij që ndodhet në një nga spitalet e Italisë, është pak e çuditshme mendoj unë”, – tha Charalampos Athanassiou, ministri grek i Drejtësisë, pasi u informua për ngjarjen.

 

Media greke

 Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje rreth orës 14:00 (ora lokale greke), kur një shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm në burgun e Malandrinos, ka qëlluar me thikë për vdekje, një nga gardianët e këtij burgu. Ngjarja ndodhi pas drekës, kur të dënuarit ktheheshin në qelitë e tyre, ndërsa shqiptari e ka sulmuar papritur nga mbrapa rojën e burgut. Dëshmitarët treguan se autori i krimit në një gjendje paniku, duke mbajtur një thikë të improvizuar në qafën e viktimës, filloi të bërtiste dhe thoshte se po hakmerret, për shkak se nuk i dhanë leje të vizitojë nënën e tij. Ai bërtiste: “Nuk më lejojnë të shoh nënën time, do të marr jetën e njërit prej jush”! Shqiptari, që sipas mediave, quhet Ilir Kareli, i dënuar me burg të përjetshëm për një vrasje tjetër, e goditi rojën e burgut 3 herë me thikë në qafë, duke i prerë arterien karotide. Viktima, Jorgos Cironis, 46 vjeç, babai i dy fëmijëve, shumë shpejt është transferuar në spital, por mjekët nuk mundën të bëjnë asgjë dhe ai ndërroi jetë pas pak minutash. Ndërsa efektivët akne marrë në pyetje shqiptarin, i cili ka rrëfyer se refuzimi i lejes i ka errur logjikën dhe ai ka qëlluar rojen.

 

Hetimet

 Ngjarja e papritur shkaktoi kaos e panik dhe oficerët e tjerë të burgut nuk kanë pasur kohë të shmangin tragjedinë. Mësohet se i dënuari kishte paraqitur një kërkesë për leje, për ditën e djeshme, por ajo i ishte refuzuar. Në burg u futën menjëherë forcat speciale, të cilat kryen kontrolle të mëtejshme për armë të ftohta. Ndërkohë që kanë filluar hetimet për të zbardhur ngjarjen e rëndë. Siç dihet, kohët e fundit në burgje janë forcuar masat e sigurisë pas informacioneve për trazira të mundshme dhe shkak është projekt-ligji i qeverisë në lidhje me krijimin e një burgu të sigurisë maksimale në Dhomoko. Ka rreth një javë që jashtë burgut të Malandrinos qëndrojnë skuadrat kundër trazirave, MAT.

 

 

Përgjimi

Bujar Hyska urdhëron prerjen e kokës së 2 shqiptarëve të marrë peng nga ushtria opozitare

 Mister fati i ushtarëve shqiptarë të marrë peng nga ushtria e opozitës, e cila bëhet publike në përgjimet e imamit të vetëshpallur të Mëzezit, Bujar Hyska. Sipas imamit, dy shtetasve që shfaqen në një video, duhet t’u pritet koka, pasi kanë braktisur ushtrinë dhe xhihadin, duke kërkuar kthimin në Shqipëri. Arsyeja e këtij urdhri është për shkak të publikimit të një videoje ku dy shtetasit shqiptarë kërkojnë paqen mes ushtrisë së opozitës siriane me atë të “Al Nusras”. Për imamin e vërteta është që dy shqiptarët kanë braktisur luftën dhe duhen vrarë. Nga një përgjim i 7 janarit 2012 mes Hyskës dhe Kacës tregohet se cilët janë pengjet e tjerë. “Kush janë kap peng? – Shpresim Gjoka, Mehmet Stafhasani dhe familja e Korvafajt, ata dalin në video, ku kërkojnë që të ulin armët dhe të shpallet paqja dhe të merren vesh. Për lirimin e tyre po negocionte një shtetas nga Maqedonia dhe vendi ku mbahej peng do të sulmohej nga një grup i Dowles, i cili drejtohet nga një shtetas çeçen që ka në përbërje edhe shtetas shqiptarë”. Ndërsa në përgjimin e datës 10 janar të këtij viti jepet urdhri i vrasjes së këtyre personave nga ana e imamit Hyska. “Ai me shami të kuqe ka ikur vetë nga grupi i shqiptarëve dhe nëse kthehet do të ketë gjykim të veçantë. Ajo që patë në video është pasi nuk iu bindën urdhrit të të parit tonë këtu dhe thonë që po vjen ora dhe gratë po qajnë, duan të kthehen dhe atyre do t’i shtypet koka. Lëri të kthehen dhe pasi t’iu lëpijnë këmbët prija kokën”. Në videot shfaqet një shtetas kosovar, i cili luftonte përkrah xhihaditësve shqiptarë, por pas luftimeve në zonën e Albabit të qytetit Haleb është kapur rob nga ushtria e lirë e opozitës siriane. Kjo video është postuar në 14 janar të vitit 2014 dhe me anë të saj njoftohen familjarët se të afërmit janë mirë, edhe pse gjatë luftimeve ishte vrarë Hasan Korvafaj nga Vlora dhe 4 shtetas kosovar. Ndërsa personi tjetër që shfaqet është Shpresim Gjoka, edhe ky i marrë peng. Në pamjet filmike Gjoka nuk pranon të shfaqë fytyrën, por kërkon nga kreu i xhihadistëve Lavdërim Muxheri, të ulet dhe të bisedojë me ushtrinë opozitare të Sirisë që të mos vrasin njëri-tjetrin.

 

 

Atentati

Kapsollë makinës së portierit të Tiranës: Dyshime për ngatërrim shënjestre

Kapsollë makinës së portierit të tretë të ekipit Tirana. Ngjarja është shënuar rreth orës 19:00 dje në mbrëmje, në afërsi të kompleksit “Skënder Halili”, ku automjeti ndodhej i parkuar. Në momentin e shpërthimit, portieri Xhino Sejdo ndodhej në stërvitje së bashku me djemtë e tjerë të ekipit. Sipas forcave të policisë, bëhet fjalë për kapsollë që ndez lëndën plasëse tritol, por nga shpërthimi i është shkaktuar vetëm një dëmtim i vogël automjetit. Burime nga uniformat blu kanë mbledhur në cilësinë e provës materiale copëzash të mbetura nga kapsolla, ndërsa kanë kontrolluar automjetin për të gjetur gjurmë gishtash, që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Dyshimet e policisë janë që kapsolla është hedhur në momentin kur automjeti ndodhej i parkuar, duke qenë një shenjë paralajmërimi për Xhino Sejdon. Vetë 18-vjeçari i pyetur nga blutë ka mohuar që të ketë konflikte ose probleme, duke mos ditur se kë të akuzojë për këtë ngjarje. “Nuk ka pse të bëhet kaq e madhe kjo ngjarje, pasi makina ka pësuar një dëmtim të vogël. Nuk ka qenë eksploziv, por një kapsollë, e cila i ka bërë vetëm një vrimë makinës sime. Automjeti ishte i parkuar dhe unë isha në stërvitje me djemtë. Dëgjuam zhurmën e fuqishme dhe dolëm jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Nuk kam konflikte dhe as probleme me askënd. Zero sherre apo kërcënime dhe nuk e di pse apo kush e ka bërë. Unë dyshoj se mund të jetë edhe ngatërresë shënjestre. Do të ishte vërtete fatale nëse do ishte bërë nga tifozët e Partizanit. Po pres hetimet e policisë”, – është shprehur futbollisti. Ndërkaq, pista e hetimeve të policisë është përqendruar tek konfliktet e mundshme të 18-vjeçarit apo rivalitete brenda skuadrës. Ende nuk ka të dhëna konkrete nga blutë, ndërsa pritet zbardhja e tablateve telefonike të 18-vjeçarit dhe marrja në pyetje e të gjithë futbollistëve të ekipit.

 

 

 

Share it :